Juventus ka fituar 4-2 ndaj Genoa në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të Serie A, duke bërë një përmbysje të jashtëzakonshme, pasi në shtatë minutat e para Genoa shënoi dy herë. Autogoli i Pjanic në minutën e parë dhe goli i Galabinov me penallti i dhanë vendasve avantazhin e dyfishtë.
Ky fillim, që nuk ishte ëndërruar as nga tifozi më i flaktë i Genoa, u ndihmua edhe nga VAR, moviola në fushë, që e sinjalizoi gjyqtarin Banti për faullin në zonën e kampionëve. Gjithsesi, kur u mbush çerekore lojë, bardhezinjtë u kundërpërgjigjën me golin e shënuar nga Paolo Dybala.
Juventus i ka fituar të dy ndeshjet e para të Serie A, 3-0 ndaj Cagliari dhe 3-2 në Genoa
Sulmet e Juventus u intensifikuan dhe në minutën e fundit të pjesës së parë miqtë shlyen llogarinë me VAR, pasi u akordua në favor të tyre një penallti për prekje të topit me dorë në zonën e Genoa.
Nga pika e bardhë, Dybala vuri baraspeshën 2-2. Kur u mbush një orë lojë, Cuadrado shënoi golin e tretë për Juventus në saj të një veprimi të bukur teknik, pas pasimit të marrë nga Mandzukic. Në fund, Dybala plotësi pasditen e tij të mrekullueshme duke shënuar golin e tretë personal, të katërtin për ekipin e Allegri.
