Dybala tremb Juventusin: Bardhezi përjetë? Nuk bëj premtime

DITA Online

Pas një “greve urie”, që zgjati një kohë të gjatë, Paulo Dybala është kthyer në një “grusht” në kampionat. Fjala është për golin e padobishëm ndaj Sampdorias, i cili nuk ishte i mjaftueshëm për të shmangur humbjen e Juventusit, tani katër pikë larg nga udhëheqësit e Seria A, Napoli.

Kampioni argjentinas ka dhënë një intervistë të gjatë për “France Football”, ku foli kryesisht në lidhje me të ardhmen e tij, që nuk mund të jetë domosdoshmërisht përjetë bardhë e zi: “Unë nuk e di nëse do të qëndroj te Juventusi përjetë. Nuk mund të bëj të tilla premtime. Nuk them as që do të jetë viti im i fundit në Torino”.

“Topi i Artë” është një objektiv për të ardhmen, ndërsa Dybala shton: “Unë do të doja të luaja në të njëjtin nivel me Neymar, në të ardhmen. Për momentin ai është më afër për ta fituar këtë trofe, duke qenë më afër Messit dhe Ronaldos. Si standard, unë duhet të punoj për t’u përmirësuar dhe të fitoj trofe.”

Argjentinasi i Juventusi ka fjalë plot admirim për Leo Messin: “Unë e kam admiruar gjithmonë Ronaldinhon, por Leo është si Maradona për ata të brezit tonë. Për mua është një nder që luaj me të në ekipin kombëtar. Ai na kualifikoi në Kupën e Botës 2018 me atë tregolësh kundër Ekuadorit. Leo është një lider i lindur.”

“La Joya” kthehet mbrapa në kohë, në humbjen e finales fatkeqe të Champions-it nga Juventusi kundër Real Madridit, në Cardiff: “Ne gabuam plotësisht për herë të dytë. U ndjeva i pafuqishëm. Buffon është një legjendë, ai është i respektuar nga të gjithë. Ai është pothuajse 40 vjeç, por duket si 20”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *