Kryeinspektorja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici është shpallur e pafajshme ditën e hënë nga Gjykata e Apelit të Korçës.
Kjo gjykatë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë të Pogradecit.
Kryeinspektorja e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici u akuzua për “shpërdorim detyre”, por gjykata e hodhi poshtë këtë akuzë.
E pyetur rreth këtij vendimi, kryeinspektorja u shpreh se:
“Kjo nuk është vetëm fitore e ligjshmërisë. Eshtë forca e drejtësisë që triumfon mbi forcën e zaptuesve të pronës publike dhe përkrahësve të tyre, në dhe pas skene. Gjithsesi puna ime dhe e institucionit që unë drejtoj do të vazhdojë vetëm në shërbim të ligjit dhe publikut.”
Akuza ndaj saj u ngrit nga prokuroria e Pogradecit, fill pas kallëzimit të Mitat Cakës, pronar i një objekti në rrugën kombëtare Lin-Pogradec.
Objekti i tij u prish nga IKMT-ja përgjatë aksionit në vitin 2014, në kuadër të rehabilitimit në funksionalitet të territoreve publike.
Çështja në fjalë është regjistruar në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec në datë 3 tetor të vitit 2014.
s.a/dita
