Të jesh i sigurt në atë që bën dhe në mendimet e tua për të ardhmen është gjëja më e çmuar dhe më me vlerë që mund t’i ndodh një të riu. Dikujt mund t’i duket si një fjali e rëndomtë por sigurisht nuk duhet të harrohet fakti që siguria në vetvete është ndjenja e fundit që na shkon në mendje çdo ditë të jetësh sonë. E ardhmja është e pasigurt për ne të rinjtë dhe vizioni që kemi për të nuk përputhet me dëshirat dhe ëndrrat tona. Pasiguria na shoqëron në çdo hap. Kjo paqartësi shoqëron edhe jetën e Zanës, një vajzë e re nga periferia e qytetit. Zana ishte nje vajzë shembullore, nxënëse e shkëlqyer dhe vajzë korrekte me shoqërinë dhe të afërmit e saj. Nuk i mungonte pothuajse asgjë. Kishte mbështetjen e bashkëmoshatareve të saj dhe të familjes. Zanën në familje e shikonin si e ardhmja e ndritur. Nuk kërkonin nga ajo asgjë veçse të ishte vetvetja, të vazhdonte të shkëlqente në shkollë dhe të ëndërronte për të ardhmen. Kjo frymë e ngrohtë e shoqëroi të gjithë pjesën e fëmijërisë dhe të adoleshencës së Zanës. Gjithçka filloi të ndryshojë kur Zana kërkoi të ndryshojë rutinën e saj të jetës. Nuk kërkonte më të ishte pjesë e asaj të përditshmeje që kishte filluar ta mërziste. Kërkonte që të mos ishte më ajo vajza e përkëdhelur por kishte vendosur që të ishte vajza që do të merrte përsipër edhe fatin e të tjerëve në duart e saj. Kishte vendosur që të ngjiste shkallët e karrierës në mënyrë që t’i shpëtonte një herë e përgjithmonë realitetit të periferisë. Kjo do ta ndihmonte atë, për më tepër sipas gjykimit të saj, do të ndihmonte familjen e Zanës e cila e kishte rritur dhe edukuar me një mijë e një mundime dhe sakrifica. Sipas Zanës, kjo ishte e vetmja mënyrë për t’jua shpërblyer. Filloi të kërkonte më shumë nga vetja. Idealizmin e saj e vuri në luftë me rutinën e përditshme. Nuk kërkonte më thjesht lëvdata, por punë dhe vepra konkrete. Ngrinte fjalën e saj në çdo padrejtësi që shikonte. Bërtiste me të madhe kur shikonte ndonjë person, qoftë edhe i panjohur, në rrezik. Fjala e saj e drejtë nuk ishte e dëshirueshme për disa që kërkonin të mbanin të pa ndryshuar rutinën e tyre pasi nëpërmjet kësaj rutine përfitimet personale për ta ishin mjaft të majme. Zanën filluan ta paragjykonin si vajzë periferike, filluan ta godasin në çdo hap që hidhte. Për ta fjala e saj ishte rrezik dhe si rrjedhojë prania e saj përbënte shqetsim. Ndaj Zanën filluan ta distanconin nga rrethi shoqëror sepse e kuptuan që ajo nuk i ndryshonte parimet e saj. Nuk kaloi kohë dhe Zana e humbi mbështetjen që kishte pasi filloi të paragjykohej kudo. Filloi dhe vetë të distancohej pasi nuk i përtypte dot ofendimet dhe pseudoshoqërinë që e rrethonte. Shumë shpejt kuptoi që kishte rënë pre e një realiteti që kërkonte të ruante rutinën pasi ishte e vetmja mënyrë jetese për pjesën tjetër, kundërshtare me idealizmin e saj.
Letër e nënshkruar: Donald Dikollari