Prof. Hamit Boriçi
(Vijon nga numri i kaluar)
Në vijim kritikon administratën burokratike osmane dhe paraqet kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Me kurajo kundërshton manovrimet e Portës së Lartë, që, gjoja, për riorganizim administrativ, “Shqipëria është ndarë në tre vilajete: Shkodër, Janinë dhe Manastir”. Pashko Vasa me guxim shprehet: “Sipas pikëpamjes sonë, ndarja e Shqipërisë në tre Vilajete do të kishte mjaftuar për t’a bërë të pamundur efektshmërinë e administrimit homogjen”. (“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” – Kreu XI!I) Në vazhdim shton: ““Një eksperiencë e kotë, gjendje e pakënaqëshme, e trishtuar…që tri provinca të Shqipërisë qeverisen nga njerëz që nuk njohin vendin, gjuhën dhe zakonet e popullit”. “…Prandaj – i drejtohet jo vetëm ambasadorit austrohungarez – është në interesin tonë të përbashkët që e gjithë Shqipëria të bashkohet në një vilajet të vetëm, t’i jepet asaj administrimi i thjeshtë, kompetent dhe i fortë; të integrohen në administrimin e saj elementët e vendit …”…“Një harmoni e tillë e të gjithë nënshtetasve është bazuar për formën dhe fuqinë e një vendi, afron garanci për mirëqënie”. Pashko sugjeron: “Porta e Lartë t’u japë shqiptarve një organizim ushtarak të ngjashëm me Zvicrën”. (“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” – Kreu XIV)
Pashko Vasa, si reformator dhe një statist vizionar, shfaq mendimin se është e domosdoshme që “t’i jepet Shqipërisë një organizim i fortë, homogjen, kompakt, në pajtim me nevojat e saj dhe me karakterin e popullsisë së saj”, që “të vihet në gjëndje, me anë reformash radikale, për të zhvilluar forcat e veta intelektuale, pasurinë dhe fuqinë ushtarake”.
Në vepër, pasi sjell fakte për lashtësinë e shqiptarve, për tiparet e karakterin e tyre burrëror e të panënshtruar, shpreh vendosmërinë e këtij kombi për të jetuar i lirë në trojet e veta. “Ne do të parapëlqenim ta qanim Shqipërinë të vdekur, – shkruan ai, – sesa ta shihnim të copëtuar në dobi të fqinjëve. Nuk duam që populli shqiptar të bjerrë tipin e vet karakteristik, doket e veta, gojëdhënat e veta dhe gjuhën e vet”.
“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” bëri jehonë në komunitetin shqiptar, brënda dhe jashtë trojeve tona etnike, si dhe në qarqe historiane, politike e diplomatike të Europës, vlerësuar si vepër-projekt program, manifest ideopolitik e historik kombëtar.
Rilindasi Anastas Kullurioti me një editorial të së përkohshmes, që asokohe botonte në kryeqendren e Greqisë (Athinë, 1879-1880), u bënte të ditur lexuesëve se: “…qëllimi i kësaj ka qenë të tregonte, dhe e tregoi mjaft mirë në këto rrethana të vështira, se Shqipëria, e cila dikur dha aq shërbime shpëtimtare për Evropën, sot ka të drejtë për kujdesin dhe drejtësinë e kësaj Evrope, dhe s’duhet të copëtohet si plaçkë lufte, që të ngrihen mbi gërmadhat e saj shtete të tjera mikroskopike…”. ( Gazeta “I foni this Alvanias” /“Zëri i Shqipërisë”/, Athinë, nr. 27, dt. 24 maj 1880)
- “Shqypnija dhe shqiptarët”
Është një trajtesë shkencore e publicistike që zë fill me lashtësinë e etnisë shqiptare dhe përshkruan tiparet e veçoritë që e karakterizojnë kombin dhe kombësinë tonë, trashëguar në breznitë që në hershmëri.
Pashko Vasa hedh vështrimin në qenësinë e mëvetësinë e shqiptarve dhe të gjuhës shqipe që në periudhën pellazgjike. “Ne jemi – pohon – pa kundërshtim gjindja e populli më i vjetër e ma i moçmi i të gjithë Europës, ma të vjetër se Grekët e se të gjithë kombet qi njifen prej historijet”. (“Shqypnija dhe shqiptarët”,në”Allfabetare e gjuhës shqipe”,- ndë Konstandinupojë,- mbë 1879) Me krenari kumton: “Na shqyptarët kemi qindrue tash tri mijë vjet e ma tepër, e kemi mbajtun gjuhen e mendimin, karakterin, trimninë, dashtuninë e lirinë qi na kanë lanë të parët…”. (Vepra e plotë e Pashko Vasës, ,Prishtinë, l989, vëllimi 3, f. 244 )
Argumenton se qëndresa e shqiptarve ka kalur përmes luftave të pareshtura dhe sjell në vëmendje të lexuesve historinë e Skëndebeut, që në “Gjithë ato lufta, qi goditnë, emni i Skënderbeut shndriti gjithkah, porsi një diell i ri, e faqe e bardhë e Shqypnis duel në shesh e u përmend nuk vetëm në Rumeli, por edhe n’Evropë, e thuhej gjithkund se Skenderbegu ishte burri ma i miri, luftari ma i fort i jetës (shekullit) në të cilën gjalloi”. (burim i cituar,f. 65 )
Më tej u drejtohet shqiptarve bashkëkohës me thirrje “,..për dashuri, vëllazëri e bashkim kombëtar: “…për me na shtimun ndë zembër t’yn dashtunin për shoqi-shojnë e me na ngrof e me na nxemun për me shique me sy vllaut të gjith shqyptarët, të gjith ata qi flasin gjuhen t’yn e qi rrjedhin prej fisi të parve t’yn”. ( Vehbi Bala-Pashko Vasa – Tiranë 1979, f. 42 ) Prandaj si rilindës iluminist shtronte nevojën e mësimit “Makare të msoheshin e të zejshin me shkrue e me ligjrue, e t’baheshin t’ dijshem, e të hollonin menden e t’merrshin vesht punt e jetes porsi kombet tjera…”. …Pranaj’ u thomi dit e nat me çue djemt e vashzat n’shkoll qi te msohen e te zan me ligjrue e me shkrue e me u ba t’ dishem n’ daçim me fitue…”. ( Vehbi Bala-Pashko Vasa- Tiranë 1979, f. 69)
Autori e përrmyll trajtesën me formulimin e një dëshire të zjarrtë: “…na nuk kena asnji dishir ma të madh se me pa Shqypninë marë e mirë, të fortë e të pasun, me na u gëzua zemra kur të shofim vllaznit tonë me u dashtë e nderue njenin me tjetrin e me u lidhë të gjithë me besë e me fe për të mirë e lumni të dheut Shqypnisë”. (Burim i cituar, f. 71 )
Në procesin e analizës e të pasqyrimit të gjendjeve dhe parashtrimin e problemeve në trajtesën “Shqypnia dhe Shqyptarët” Pashko Vasa ka shfrytëzuar mjete dhe elemente të mjeshtërisë së publicistikës analitike, duke marrë shkas e përftuar analiza e sinteza nga zhvillimet politiko-shoqërore në Bosnjën e Hercegovinën e atyre kohëve.
- Krijues, mjeshtër i fjalës së shkruar
- Pashko Vasa letrar
Është një nga letrarët e hershëm shqiptarë, ”Shkrimtar dhe patriot i Rilindjes që “zuri një vend të merituar në historinë e letërsisë shqipe që në hapat të saj. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 1153 ) Krijimtaria e tij poetike kulmoi me vargjet e shumënjohura “O moj Shqypni e mjera Shqypni” (1880) me të cilën poeti u drejtohet bashkatdhetrve:
Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu
Të gjithë si vllazën n’nji besë shterngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
…
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund l’shon dielli vap’edhe rreze,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’ tanë”
Te desim si burrat qe vdiqne motit
Edhe mos marrohna perpara zotit”.
Vjersha-poemë “O moj Shqypni!”, që qarkulloi si “fletë fluturuese”, u bënte jehonë ideve dhe vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, (Shih: Historia e Letërsisë Shqiptare-, botim i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1983, f. 151 ) ushqente idenë e bashkimit të shqiptarve të të tri besimeve, duke vënë mbi fetë shqiptarinë që autori e quan “fe të shqyptarit”dhe “…i ftonte ata të ngriheshin në këmbë për shpëtimin e atdheut. (Albanur Forum” –Pasqyra Shqiptare ne Internet – “Zhvillimi i ideologjise dhe i kultures se Rilndjes Kombetare” (vitet ’80 te shekullit XIX- 1912 )
Po atë vit (1880), “në Janinë, Naim Frashëri shkruante poezinë e tij të parë në gjuhën shqipe, ashtu si Pashko Vasa, ia dedikonte Shqipërisë”…”. Dy poezitë…janë një angazhim social e madje edhe politik të fortë e pasionant të autorëve. Ato shënojnë lindjen e poezisë atdhetare”…”Jo rastësisht inicuesë të saj ishin pikërisht Vaso Pasha e Naim Frashëri, dy personaitete të Rilindjes Kombëtare, që koha i amshoi “Apostuj të shqiptarizmës”. ( Akademik Pëllumb Xhufi – Gazeta “Dita”,28 maj 2021, f. 18 )
Veprimtarinë krijuese letrare do ta përfundonte me prozën «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890) një nga romanet e parë në letërsinë shqiptare, që autori do t’ia kushtonte vendlindjes së tij me kujtime e përmallim. Me ndjesi e besnikri përshkruan ngjarje e përjetime, mjedisin shqiptar në Shkodrën e viteve ‘40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike, evokon ngjarje e situata konkrete.
Romani synonte t’u tregonte të huajve gjëndjen e problemet e Shqipërisë dhe shqiptarve, ndaj nxirren në pah realitete politike, shoqërore e kulturore, ide dhe probleme të kohës, si rreziku i së ardhmes së Shqipërisë nën sundimin osman, domodoshmëria e luftës për liri, çështje administrative dhe ekonomike tëe Shqipërisë.
Në gojën e Mëhill Vlashit, babait të Aradit, Pashko Vasa vën idetë e tij dhe të borgjezisë kombëtare të kohës, nevojen e luftës për liri, sidomos kur thotë: “Liria e popujve asht si një lule që shpërthen vetiu, ashtu si trumza e maleve. Që ajo të lulëzojë dhe të përhapë eren e vet të mirë, ka nevojë të selitet e të vaditet pa kursim me gjak të kulluar bujar”.
- Tipare të publicistikës vasjane
Pashko Vasa, “Një nga shtyllat e forta të Rilindjes Shqiptare” (Nexhip Alpan- Nesip Kaçi-Monograia Shqiptarët në Perandorinë Osmane-, Tiranë 1997, f. 68 ) nuk ishte gazetar apo publicist profesionist, por një dijetar me formim kulturor, diplomat, politikolog dhe ideolog. Shqyrtimi i trashëgimisë që la edhe në këtë fushë të çon në përfundimin se krijoi dhe ushtroi një publicistikë që për tiparet dhe veçoritë e saj mund të quhet vasjane.
Veçoritë e publicistikës vasjane lidhen me misionin e Pashko Vasës, që ishte zgjimi e vetëdijësimi kombëtar, bashkimi i shqiptarve në Shqipëri e diasporë.
Tipari kryesor, i përgjithshëm e thelbësor, është politik, shkencor dhe social, bazuar në idealet e Rilindjes Kombëtare, atdhetarizmi. Përmbajtja e artikujve, studimeve dhe veprave tashmë të njohura përbëhet nga pasqyrime e trajtime të gjëndjes e zhvillimeve politike e shoqërore të Shqipërisë, prirjet dhe detyrat e çdo shqiptari.
Shquhet Pashko Vasa si politikan e sociology edhe në intepretimin e ngjarjeve të kohës nga një këndëvështrimin aktual e perspektiv të përmbajtjes së tyre. Në lëvizjen e madhe kombëtare, në programin e Lidhjes së Prizrenit ai shihte tej lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, shihte udhën e drejtë që, shkallë-shkallë, do t’i çonte shqiptarët “në gjirin e familjes së madhe europjane, pjesë e të cilës janë”.
Historizmi është një tipar qenësor i veprimtarisë krijuese të shkruar të Pashko Vasës. Në artikujt dhe trajtesat e tij ai “evokon të kaluarën, tregon se në rrjedhën e kohëve Shqipëria “…ka kenë e madhe dhe e begatë, me emën të mirë e fort të nderueshëm prej gjithë botet”.
Në çdo vepër, me zhdërvjelltësi u drejtohet kohërave të Skënderbeut, bëmave dhe trimërive, fitoreve të heroit legjendar në krye të popullit në luftë për liri të vatanit.
Pareshtur me aludime dhe hapur flet e shkruan për domosdoshmërinë “…e luftës kundër pushtuesve të huaj dhe forcave reaksionare, sidomos kur arsyeton aq qartë për luftërat e drejta, duke i dalluar nga të padrejtat: “ i barabuar”. (Gazeta “Drita”, Tiranë, 27.6. 1987, f. 12 )
Koncepti publicistik është i motivuar për veprat Politiko-shkencore “E vërteta për Shqypnin e shqyptarët” dhe “Shqypnija dhe shqyptarët”, duke synuar “që Shqipëria dhe çështja shqiptare “të bëheshin mirë të njohura në botë”.Po kështu mendonte profesor Vehbi Bala edhe për artikuj-shkrime studimore “në të cilët mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të rrojtur i lirë dhe i pavarur”. ( Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 155 )
Këtej janë nisur edhe historianët që kanë shfaqur mendimin se në punimet shkencore, letrare e publicistike të Pashko Vasës “janë shkrirë: argumentimi shkencor i historianit, shpirti i poetit dhe shkathtësia e propagandistit”. (Historia e Letërsisë shqiptare-burim i cituar, f. 153)
- Artikuj, trajtesa studimore
Pashko Vasa ishte studiues e pasqyrues i ngjarjeve, i problemeve dhe idykurive politiko-shoqërore, kulturore e historike. Ai mendonte dhe arsuetonte si shkencëtar për faktet e qenësinë e tyre, për analizat e përgjithsimet mbi ta, por shfrytzonte mjete dhe elemente të pasqyrimit publicistik që të arritur, siç e shprehte hapur “të sqarojë opinionin publik fqinj dhe europian dhe të ndikonte në vetëdijen qytetare të shoqërisë.
Artikujt studimorë si ato me tituj «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» (1865) dhe «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë” ( 1872 ) janë trajtesa historike. Artikulli i parë është një analizë e thellë historike, politike, ekonomike, sociale e kulturore të gjëndjes së Bosnjë-Hercegovinës. Kjo trajtesë është vlerësuar si një studim shkencor dhe aftësi e autorit “për t’i përshkruar gjërat me një stil publicistik të qartë, komunikues dhe të rrjedhshëm në frëngjisht”. Ndërsa në “Skicë mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë” autori dukshëm nëntekston çështjen shqiptare. Dihej dhe dihet se një pjesë e malaziasve para dy shekuj kanë qenë shqiptarë. Janë disa fise, si Vasojeviçi, Kuqi, etj në zonat kufitare me Shqipërinë kanë qenë fise shqiptare, por disa prej tyre janë sllavizuar. Pashko Vasa, duke njohur mirë historinë e malësive të veriut enkas përshkruan zakonet dhe traditat shqiptare që ruanin fiset shqiptare të sllavizuar. Ai kujton sundimin e Mahmud Pashë Bushatit që shtrihej në Shqipërinë veriore (rajonin e mbiShkodrës), Malin e Zi juglindor dhe Kosovës ( pjesa perëndimore e Maqedonisë), tregon se “Kur e panë Mahmutin të kacafytur me qeverinë qendrore, malazezët kujtuan se ishte rasti i volitshëm për të ngritur krye”, por u gabuan dhe ndryshuan mendim.(sythi VIII). Dhe shkruan: “Midis këtyre fakteve që përmendëm…”(sythi V). Kështu, përmes rreshtave, u skicua historija e pashallëkut të Shkodrës (1757–1831).
Pashko Vasa ishte një nga themeluesit e veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. Si misionar për përhapjen e shkrimit shqip, me artikuj studimorë e publicistikë dha një ndihmesë të dukëshme për zgjidhjes e çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes.
Ai shkroi esse dhe skica studimore për gjuhën shqipe. Me penen e tij parashtroi nevojen e të mësuarit të fëmijëve “Makare të zejshin me shkrue e me ligjrue, e t’baheshin t’ dijshem, të hollonin menden e t’merrshin vesht punt e jetes por si kombet tjera…”.
Me rëndësi dhe vlera hulumtuese janë edhe dy studimet e tij: «Gramatika shqipe për t’u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» dhe «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» ku Pashko Vasa paraqet projektin e vet për një alfabet të shqipes. Me këtë esse ai përuronte debatin e gjatë për çështjen e alfabetit, si një nga pikat kyçe për një zhvillim të njësuar gjuhësor e kulturor e për rrjedhojë edhe politik të Shqipërisë e shqiptarëve.
Studjuesi Jup Kastrati ka shkruar: “Alfabeti që u pranua në Komisionin e Posaçëm të Kongresit të Manastirit, që u mbajt nga 14 deri 22 nëntor 1908, me përjashtim të gjashtë shkronjave, ishte krijuar që në vitin 1878 nga Vaso Pashë Shkodrani.
* * *
Publicistika e Pashko Vasës nuk është pjellë e frymëzimeve spontane, por e nevojës së autorit për të trajtuar një a disa probleme, për të krijuar një opinion të drejtë për shqetësimet vetiake a kombëtare.
Ajo duhet parë e vlerësuar në kontekstin kohor, historik, politik e shoqëror të periudhës së Rilindjes kombëtare, kur profili i shkrimtarit dhe misioni i tij ishin shkrirë e njëzuar me atë të propagandistit, të politikanit, të historianit e deri të statistit, gjeografit e njohësit të mirë të jurisprudencës.
Në veprat madhore, në studimet dhe artikujt publicistikë ai synonte që Shqipëria dhe çështja shqiptare “të bëheshin mirë të njohura në botë”. Këtë detyrë-mision do ta shprehte: “besojmë se e kemi kryer detyrën, duke u shprehur haptas, faqe botës. Ne patëm qëllim për ta bërë të njohur popullin shqiptar, duke treguar prejardhjen e tij dhe fazat nepër të cilat ai është detyruar të kalojë gjatë rrjedhës së shekujve për të arritur deri në ditët tona…”.
