Interesimi i Lacios për Ergys Kaçen ka nxjerrë në sipërfaqe edhe një fakt të bujshëm, lidhur me Real Madrid. Sipas gazetës romane “Il Tempo”, gjatë sezonit të kaluar, mesfushori kuqezi i PAOK-ut është ndjekur për disa javë nga klubi spanjoll, që në atë kohë drejtohej nga Zhoze Murinjo. Nuk mund të thuhet tani se sa i fortë ka qenë interesimi i Realit, por pak javë më parë dolën të tjerë zëra nga shtypi grek për afrimin e Chelsea-t të Londrës, tani nën drejtimin e portugezit. Sidoqoftë, nëse Real apo Chelsea mbeten pjaca ndoshta të paarritshme për një lojtar shqiptar, skuadra si Lacio apo të tjera janë destinacione plotësisht të mundshëm. Klubi roman nuk është i vetëm në listën e të interesuarve për Kaçen, por mund të përfitojë nga faktori shqiptar. Te Lacio, veç drejtorit sportiv Igli Tare, janë edhe Lorik Cana, Etrit Berisha, si dhe Thomas Strakosha. Ndërkaq, vlerësimet për lojën e njëzetvjeçarit janë të shumta. Paolo Tramezzani, ndihmësi i De Biazit në kombëtaren shqiptare, e ka cilësuar Kaçen si me “shumë personalitet”. “Luan me ne, pavarësisht moshës shumë të re. Është një talent me të ardhme të madhe”, thotë Tramezzani. “Ka shumë personalitet, mund të luajë si para mbrojtjes ashtu edhe pas sulmit, është i aftë teknikisht dhe për të diktuar ritmin e lojës. Duket si veteran, megjithëse është shumë i ri. E kam parë të ruajë qetësinë e të dalë nga disa situata loje shumë të ndërlikuara. Në të ardhmen mund të bëhet lojtar i madh”. Edhe ndihmësi i De Bizit ka vlerësuar praninë e Canës e Beriushës si një siguri më tepër për lojtarin e ri nëse do të shkonte te Lacio.