Nuk më shqitet nga mendja një imazh! Në njërën anë Ibrahim Basha dhe fytyra e nënës dhe atit të tij. Në tjetrën, imazhi i pinjollit të një gjykatësi a të një bankieri teksa vërdalloset me makinën e tij luksoze në këtë kryeqytetin tonë të dashur.
Historia e Lazaratit, përtej të shfrytëzuarve krahë pune në “vreshtat” e hashashit, nuk është thjesht një histori krimi, por është, në sintezë, fabula e tranzicionit çerek shekullor dhe të viktimave të tij.
Mësojmë, që në vegjëli, se çdo gjë ka një çmim! E ka një çmim jeta. Ndershmëria po ashtu, e ka një çmim dhe ajo. E ka një çmim puna, liria, liria jonë dhe e tjetrit, ashtu siç e kanë një çmim dhe makinat luksoze që vozitin rrugëve të kryeqytetit tonë si duke pluskuar mbi ndërgjegjiet e mfjetura.
E disa gjëra kanë çmim jetën e tjetrit! E kur dëshirat dhe ëndrrat tona, modeli që na frymëzon e që na vë në lëvizje është ai i mirëqenies të paqenë e të panevojshme të disave syresh, ahere çmimi për t’u paguar do të jetë gjithnjë jeta e njerëzve të ndershëm.
Nuk më hiqet, e përsëris, nga mendja një imazh!
Arkivoli i heroit të Paqes tonë të përbashkët dhe makinat qindra mijëra euroshe që pinjollë gjykatësish e bankierësh vozitin me snobizmin e hiçllëkut rrugëve ku duhet të ndërtohet bashkëjetesa jonë e paqtë.
U prehsh në paqe, Ibrahim!
Letër e nënshkruar
Edvin Kukunja
