Letër e nënshkruar
Pali Nito
I nderuar zoti Thano! E enjtja jonë parlamentare për nga rituali dhe vazhdimësia javore më ngjan si ajo e shtuna komuniste në Rusine bolshevike, atëhere kur gjeniu i Revolucionit Proletar Vladimir Iliç Lenini, së bashku me punëtorët e fshatarët bënin punë vullnetare çdo të shtunë.
Por ama i ngjante vetëm nga rituali dhe aspak nga përmbajtja, pasi të shtunat komuniste bënin punë në shërbim të qytetarëve dhe për qytetarët. Ndërsa në vendin tonë aty nga vitit 70 dhe 80 e shtuna komuniste bolshevike u kopjua me të dielën e aksioneve kur mijëra punonjës të ndërmarrjeve shtetërore dhe banorëve të qyteteve vërshonin si lumë dhe derdheshin në fusha dhe ara për mbledhjen dhe grumbullimin e misrit dhe pambukut, si dhe për pastrimin e ambienteve nga papastërtitë rreth pallateve duke u privuar nga e drejta e një dite pushimi dhe që i bezdiste tejskashmërisht qytetarët.
Aq sa shkodranët, si njerëz të humorit, ditën e dielë e emërtuan aksion duke numëruar ditët e javës: E henë, e martë, e mërkurë, e enjte, e premte, e shtunë, aksion. Por ama, gjithsesi bëhej punë e dobishme në interes të ekonomisë dhe të qytetarëve.
Ndërsa e enjtja parlamentare nuk prodhon kurrfarë gjëje veçse llafe, retorika e propaganda të neveritshme, që vijojnë në pafundësi me shpifje të ndërsjellta, me akuza e kundërakuza, me shantazhe e kërcënime deri në tregim të muskujve dhe topi kalon sa te njeri personazh te tjetri, të cilët janë bërë ustallarë të gatimit të çfarëdo menuje.
Dhe ajo që të mërzit, të irriton, të ngacmon e të revulton, është fakti që kur mbaron diskutanti së diskutuari me mbroçkullat e proçkullat e zakonta, ai çuditërisht duartrokitet nxehtësisht e me ovacione nga përkrahësist e vet si hero e kaluar heroit, vetëm se mbroçkulliti dhe mollotiti gjepura, gallatë dhe shoë parlamentar dhe aspak ide, alternativa, opsione apo zgjidhje të dobishme në interes të mbarëvajtjes së punës. Prandaj boll më me të enjten parlamentare, ndryshe të enjten do ta emërojmë parlament.
