E frikshme: Vdekshmëria mbetet 100%, Viola Zbraho dëndet me Xanax

Alqi Kociko

 

Zyrtarët e Organizatës  Botërore të Shëndetësisë shprehën zhgënjimin e thellë dje në Gjenevë të Zvicrës, gjatë një konference urgjente për shtyp në selinë e kësaj organizate, pjesë e OKB-së. Zëdhënësja Salmonela Rubeola deklaroi se sipas studimeve të OBSH-së, megjithë përpjekjet gjigande të mjekëve, shkencëtarëve, ekipeve të shpëtimit dhe profesionistëve të tjerë të shëndetësisë në gjithë botën, shkalla e vdekshmërisë globale ka mbetur e fiksuar tek 100 përqindshi.

“Vdekja, kjo dukuri metabolike që shkakton fikjen totale të të gjitha funksioneve jetësore, prej shekujsh është konsideruar shqetësimi shëndetësor numër Një i njerëzimit. Kjo dukuri, përgjegjëse për 100% të të gjitha largimeve nga kjo jetë, është verifikuar deri më tash si e pashërueshme”, tha e trishtuar znj.Rubeola.

Lajmi bombë shkaktoi zemërim në gjithë botën.

“Paaftësia e doktorëve dhe shkencëtarëve për t’iu adresuar siç duhet kësaj çështjeje, është asgjë më pak sesa një skandal”, pohoi pacientja e shqetësuar, Tirre Sorra, një nga përfitueset fatlume të check-upit falas. “Të gjithë përpjekjet e tyre si rezonancat, skanimet, ilaçet, serumet etj, janë justifikime të kota për ta shtyrë edhe ca të paevitueshmen. Turp!”

Nga ana e tij, shefi i organizatës “Shëndet Paç” me seli në Tiranë, Robert Çamçakizi, tha se edhe pse ishte herët për të nxjerrë konkluzione të sakta, “duket se vetë lindja e njeriut, si dhe krejt cikli jetësor që e pason atë, është një rrezik kyç që herët a vonë të çon tek vdekja”.

Ka thënë të vetën edhe aktivisti i të drejtave të konsumatorit dhe veprimtari i vendosur anti-vdekje, Rrup Supi.

“Pse duhet të vazhdojmë të shpenzojmë miliarda me industrinë e shëndetësisë dhe ilaçeve, synimi i vetëm i të cilave është të parandalojnë vdekjen, për të zbuluar në fund se vdekjes nuk i shpëton askush? Mjaft më me shpenzime të kota”, deklaroi Supi i nervozuar. “A ka dikush një aspirinë se po më çahet koka”, shtoi ai.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i shefes së Fondit Shëndetësor, Viola Zbraho, e cila pas një telefonate me biznesmenen Gilma Rushi ia futi të qarës dhe gëlltiti njëherësh 4 kokrra Xanax që i mbante fshehur në sirtarin e zyrës për raste të tilla.

 

*Gojët e liga është rubrikë satirike. Çdo përputhje me ngjarje e persona realë është rastësore

Share This Article
6 Comments
  • O tyca rregulloni emrin e zedheneses se late koqen e namit dhe Nishanit ( qe e hengert mortja ishallah)!

    • Taipe Faqorrja e ka brenda 8 orareshit, kurse ne Fcb mban llagapin Pisqolla pa Nishan

  • kjo Viola Zbraho sepse me ngjaka me kete Vjollca Brahon……rastesi duhet te jete, se c/ne Vjollca me xanax. ajo eshte gjithe ajo gru e rendeeee 🙂 🙂

  • Para se te fusi 200 miljarde leket e CHEK-UP-IT ne xhep,kryeministri Rama te falenderoje ideatorin e chek-Up-it Vjollca Beqen,se 140 miljon Eurot e Chek- Up,Europa nuk ja jep borxh Shqiperise as per 4 vjet.Rroft ministria e shebdetsise,/qe rruajti buxhetin e Shqiperise.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *