Policia e Përmetit ka vënë në pranga një shtetas, i cili në gjendje të dehur ka kanosur me një kaçavidë kreun e Bashkisë së Përmetit. Në njoftimin zyrtar të policisë deklarohet se “më datën 09.11.2012, rreth orës 19.30, në qendër të qytetit Përmet, në momentin që kryetari i bashkisë Përmet Gilbert Jaçe ka dalë nga një lokal ku pinte kafe, shtetasi Nesti Janku, pasi kishte konsumuar alkool, i ka dalë përpara me një kaçavidë duke e kanosur, fyer e ofenduar në publik për shkak të detyrës.
“Në shëtitore është ndodhur një punonjës policie i komisariatit të Policisë Përmet i cili ka ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar këtë shtetas, por ky shtetas ka fyer dhe kundërshtuar me dhunë edhe punonjësin e policisë. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Përmet, ku ka shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Përmet për veprime të mëtejshme shtetasin Nesti Janku”.
Mësohet se shkak për ngjarjen ka qenë fakti se Janku punuar si shofer i administratës së bashkisë Përmet dhe para dy muajsh është hequr nga puna. Kryetari i bashkisë ka deklaruar se gjatë këtyre dy muajve është fyer dhe ofenduar disa herë prej Jankut, pavarësisht se nuk e kishte denoncuar më parë këtë fakt.
Ndaj Nesti Jankut janë ngritur akuzat e “kanosjes për shkak të detyrës”, “fyerjes për shkak të detyrës”, si dhe “kundërshtimit të punonjësit të policisë”.