Dembélé, Coutinho dhe Inigo Martinez. Barcelona ka vendosur t’i investojë menjëherë paratë e marra nga Paris Saint-Germain për shitjen e Neymar dhe është hedhur në sulm për sulmuesin e krahut të Dortmund, fantazistin e Liverpool dhe mbrojtësin e Real Sociedad. Një zgjedhje e vendosur e drejtorit Robert Fernandez, i cili kërkon t’ia besojë sulmin francezit dhe brazilianit. Por Messi dhe presidenti Bartomeu kanë në mendje një emër tjetër.
Siç ka shkruar “Corrierre dello Sport”, ata të dy duan Paulo Dybala, yllin e Juventus, “La Joya”-n e bardhezinjve. Për ta realizuar këtë operacion, duket se katalanasit kanë bërë gati dy plane për të bindur Juventus, që për momentin e konsideron argjentinasin të paprekshëm: një ofertë 120 milionë euro ose 90 plus kartonin e Andres Iniesta.
E vështirë, pothuajse e pamundur, por një pjesë e botës “Blaugrana”, deri në momentin që nuk do të merren Coutinho dhe Dembele (për të cilin është ofruar edhe kartoni i ish-milanistit Deulofeu), do të provojë të sigurojë ish-sulmuesin e Palermo-s. Sepse kjo është ajo që do Messi, i cili do një emër të madh në krah pas lamtumirës së mikut Neymar. Dhe Dybala duket se është emri i zgjedhur nga “Pleshti”.
