Anila Konomi është stiliste dhe sot është e ftuara jonë për të na dhënë disa këshilla se si të vishemi natën e ndërrimit të viteve. Kjo është periudha kur çdokush nga ju mund të jetë konfuz për veshjen që do mbajë natën e 31 dhjetorit. Ne kemi bërë vetë një vëzhgim të përgjithshëm se si është trendi dhe çfarë këshillohet. Sugjerohen së pari veshjet transparente, të guximshme, por të rafinuara në të njëjtën kohë, që kanë “infektuar” të gjitha shtëpitë e modës. Luani me vellot që zbulojnë lëkurën. Do të dukeni elegante dhe të rafinuara njëkohësisht. Një nga copat veçanërisht dimërore është kadifja, e cila kthehet në modë gjatë festave të fundvitit.
Ngjyra vishnje dhe jeshile pylli, janë shumë në modë. I këshillueshëm stili barok, i pasur. Dekorimet ngjyrë ari do jenë gjithashtu protagoniste për festa, duke pasuruar veshjet me punime të rralla e aksesorë të tillë, si varëset apo vathët e mëdhenj. Mbetet gjithmonë në modë kombinimi i xhaketës me pantallona, sidomos kur prerja është mashkullore. Në këtë rast mund të rrëmbeheni nga modelet klasike apo të luani me kadifen, por pse jo dhe me veshjet transparente. Kështu do të dukeni shumë të rafinuara.
Nëse doni të ndiheni femërore, provoni fundin e ngushtë dhe të gjatë, të cilin mund ta kombinoni me bluza apo këmisha mëndafshi. Gjatë periudhës së festave shpalosen peliçet, apo më mirë ekopeliçet, që pëlqehen akoma më shumë. Ngjyrat? Zgjidhni ngjyra të forta, ose verbohuni nga eleganca e ngjyrës së bardhë. Si gjithmonë, tendenca më e madhe do jetë e kuqja, por mirë do ishte sikur ta zgjidhnit në nuancën e errët. Rikthim i madh për jeshilen dhe blunë elektrike. E për të mos gabuar kurrë, e zeza.
Kemi bërë një bisedë me Anila Konomin, për të kuptuar më shumë raportin e shqiptareve me veshjet, sidomos me veshjet në periudha festash. Më poshtë një rrëfim i saj.
Anila, për shqiptarët, festat e fundvitit janë më të rëndësishmet edhe për sa i përket kujdesit që tregojnë ndaj vetes. Ndani edhe ju këtë mendim, në mënyrë të përgjithshme, si ju duken shqiptarët të veshur për festa?
Sigurisht mendimi dhe kujdesi ka ndryshuar. Shqiptarëve iu desh pak kohë që të edukoheshin me modën dhe kjo ndodhi se ne bëjmë pjesë në Mesdhe dhe jemi popull me temperament të vëmendshëm ndaj detajeve, por dhe kemi një përqasje me gjithçka të bukur që na rrethon. Festat e fundvitit janë patjetër një angazhim tepër i madh për sa i përket veshjes, arredimit të shtëpisë dhe përgatitjes për të pasur një pamje shumë të kuruar. Ajo që vë re është se të rinjtë nuk bëjnë ndonjë përpjekje të madhe, pasi janë po ato veshje që përdoren nëpër diskoteka, mjaftohen me shtimin e ndonjë aksesori më shumë dhe kaq, ndërsa grupmosha e dytë e mendojnë gjatë se si do të paraqiten, me kë shoqëri do të jenë, që të mos konsumojnë të njëjtën veshje dhe në këtë moment u drejtohen atelieve ose butikëve për të pasur një gjë të re në këtë fundvit.
Çfarë mund të na këshilloni më konkretisht për veshjet e femrave?
Pikë së pari duhet të gjejnë stilin ku janë, pika e dytë është ngjyra dhe së fundi aksesorët që do përdorin. Këshilla ime për ngjyrat që duhet të përdorin mbetet tek e forta. Në këtë periudhë mbizotëron e kuqja e egër ose bordoja. Ngjyra nud (nuanca pranë bezhës) si edhe e zeza nuk duhet lënë kurrë pa e zgjedhur. Për sa u përket materialeve mund të përdorim mëndafshin që nuk ka një stinë të përcaktuar, dantellën që është shumë festive si dhe kashmirin nëse duam që veshja të ketë shumë përdorime.
A ka ndonjë gjë në të cilën nuk duhet të gabojmë duke pasur kujdes?
Kujdes duhet të tregojnë në përzgjedhjen e stilit. Të kenë parasysh që nuk ka fustane të bukura dhe të shëmtuara, por ato duhet të dinë t’i zgjedhin sipas karakterit që mbartin, në të kundërt të drejtohen tek stilisti. Sa për guximin, i lejohet moshës së re, sepse duke qenë të rinj, u rri gabimi bukur, por duke qenë akoma në kërkim të vetes mund të mbajnë çdo stil deri në çudi.
Pa lënë mënjanë meshkujt, na sugjeroni diçka edhe për ta?
Meshkujt e kanë më të thjeshtë, duke u përqendruar tek aksesorët si dhe në një kostum festiv, çdo gjë është në rregull.
A ka ndonjë personazh publik që e veçoni për mënyrën e tij të të veshurit?
Do të veçoja Blendi Fevziun, pasi gjithmonë ka një pamje shumë të kuruar, por dhe më pëlqen se del nga kornizat e klasikes dhe guxon për të qenë ndryshe, kjo është të dish të bësh modë.
Të vishesh bukur në kohë krize
Edhe pse vendi kalon një krizë ekonomike, më të përkëdhelurat në këtë fundvit vazhdojnë të jenë qendrat estetike dhe dyqanet e veshjeve e të dhuratave. Mania për t’u dukur mirë ndoshta nuk ka për t’u zbehur kurrë. Mbrëmjen e shumëpritur të Vitit të Ri, njerëzit i lejojnë vetes të shpenzojnë edhe ca nga kursimet që kanë mbledhur gjatë vitit për t’u argëtuar e zbukuruar. Tendencat çdo vit ndryshojnë. Ka dhe një anë të kundërt kjo natë dhe ne ju ndihmojmë që të mos bëni gabime duke iu këshilluar se çfarë nuk duhet të përdorni në këtë mbrëmje speciale. Mbi të gjitha nuk duhet të vishni veshje të rastësishme, nuk duhet të përdorni shkëlqimin, ngarkesën në aksesorë dhe çizme, pavarësisht se janë në modë.
Gabimet
Gabimet që s’duhet ABSOLUTISHT të bëhen janë: Për femrat JO fustane casual për mbrëmjen e Vitit të Ri, JO aksesorë të ngarkuar, JO geta me shkëlqim, JO çizme, sado të jenë tendencë nuk vishen KURRË për mbrëmjen e Vitit të Ri dhe JO fustane tip “ballo” sepse jemi në 2014-ën. Për meshkujt JO çorape sportive sepse kur ulemi pantallonat ngrihen dhe duket shumë keq, JO kostum me shkëlqim, le ta lëmë për një ditë modën orientale pas, JO unaza-varëse floriri. Është një mbrëmje e shenjtë dhe JO këmishë me logo ose me emrin e firmës.

Ngjyra e kuqe eshte me e pershtateshme per daten 25 dhjetor. Eshte gabim te mendohet e tille per naten e nderrimit te viteve.
Shqiptaret duhet te mesojne nuk ka “plak te vitit te ri”. Ka Santa Claus, ose Babbo Natale. Keto jane vetem per Krishtlindjen. Edhe pema qe behet nuk eshte peme e vitit te ri por PEME KRISHTLINDJESH.
Bukur