Ndërtimet pa leje në Qendrën Historike, si një problem mjaft i madh dhe rekomandim i përsëritur i organizatës UNESKO-s, ka qenë gjithashtu një pikë e axhendës së përfaqësueses greke
Rijetëzimi, në këndvështrimin e UNESKO-s, mbetet sfida më e vështirë që Gjirokastra duhet të përballojë. Ndërsa qyteti ka hyrë në vitin e shtatë nën mbrojtjen e organizatës të trashëgimisë kulturore botërore, duket se zhvillimet pozitive, sikurse edhe problemet nuk mungojnë. Të paktën ky është në vija të përgjithshme konkluzioni i inspektimit më të fundit të kryer nga përfaqësues të kësaj organizate, pas monitorimeve në terren të monumenteve kryesore, por edhe takimeve me autoritetet lokale dhe drejtues të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Për dy ditë me radhë, Eleni Maistru, si pjesë e UNESKO-s, ka qenë në Gjirokastër për të parë nga afër jo vetëm investimet dhe projektet, por gjithashtu edhe plotësimin e rekomandimeve që kjo organizatë bën çdo vit për qytetet e mbrojtura prej saj.
Në përfundim të inspektimit Maistru ka deklaruar se pavarësisht ndërhyrjeve të rëndësishme të kryera gjatë viteve të fundit në Qendrën Historike, ka edhe probleme, prej të cilave më i vështiri për t’u zgjidhur është braktisja e saj.
“Vizita ime këtu është e lidhur me axhendën e UNESKO-s në të gjitha sitet e nominuara dhe te mbrojtura prej saj. Ka një ndryshim politikash të UNESKO-s, pasi gjatë viteve të fundit ka patur nominime, ndërsa këtë vit ka më pak të tilla dhe më shumë monitorim. Si çdo qytet historik, Gjirokastra ka vlera të veçanta dhe natyrisht monitorimi lidhet me faktin nëse këto vlera janë ruajtur dhe konservuar në nivelin e duhur.
Gjirokastra është një qytet shumë i rëndësishëm, po ka problemet e veta. Ajo çka unë evidentova gjatë vizitave në terren, por edhe takimeve me autoritetet lokale, është që për të administruar dhe menaxhuar Zonën Historike, është e vështirë. Fatmirësisht shumë nga këto monumente janë restauruar, por kjo nuk do të thotë që nuk ka ende punë për t’u bërë.
Por më e rëndësishmja është që ka planifikime projektesh për t’u ndërhyrë, jo vetëm në monumente, por edhe në urbanistikë, në bashkëveprim pushtetesh dhe kjo tregon që ka një rrjet të mirë, bashkëpunimi përsa u përket prioriteteve që lidhen me zonën historike. Sfida më e madhe e Gjirokastrës është sigurisht popullimi i zonës historike dhe më besoni që kjo është çështja më e rëndësishme. Sepse është e lehtë të restaurosh banesat, por eshtë shumë e vështirë t’i rijetëzosh ato”, është shprehur Maistru.
Ndërtimet pa leje në Qendrën Historike, si një problem mjaft i madh dhe rekomandim i përsëritur i organizatës UNESKO-s, ka qenë gjithashtu një pikë e axhendës së përfaqësueses greke. Janë rreth 300 të tilla, në pjesën më të madhe shtesa ndërtimesh, për të cilat shpesh është folur se do të prishen e do të ringrihen në përshtatje me arkitekturën karakteristike, por që deri tani asgjë nuk është zbatuar konkretisht. “Jam njohur gjatë takimeve me një listë të këtyre ndërtimeve, të ngritura në mënyrë jo të rregullt, të cilat janë ndërtuar në periudhën para se Gjirokastra të hynte në listën e qyteteve të mbrojtura nga UNESKO. Kam parë gjithashtu një plan veprimi, i cili duhet të fillojë të zbatohet, me prishjen e tyre. Por sigurisht ne nuk do të presim gjatë; është e palejueshme për Gjirokastrën. Dhe nuk duhet të lejohen më ndërtime të tilla”, ka theksuar Maistru.
Raporti i hartuar prej saj do t’i paraqitet UNESKO-s dhe më pas do të jetë vendimi i kësaj organizate për t’ia prezantuar shtetit shqiptar.
Entela Bani