“E majta” dhe “e djathta”-dallimet midis tyre

redaktor

Ç’janë “e majta” dhe “e djathta”

Termat “parti e majtë-e djathtë”,  “krahu i majtë- i djathtë”,  “koalicion i majtë- i djathtë”, “politika ekonomike të majta-të djathta” apo fare shkurt, “e majta– e djathta” hasen shpesh në bisedat e përditshme, në median e shkruar dhe elektronike, dhe sidomos në fushatat zgjedhore.

Sipas Fjalorit Politik të Oksfordit, këto terma kanë lindur gjatë Revolucionit francez (1789–1799); deputetët që ishin për republikën, kundër Monarkisë u vendosën në të majtë të kryetarit të Asamblesë Kombëtare, ndërsa përkrahësit e Regjimit të Vjetër, në të djathtë.

Prej asaj kohe, “e majta” ka fituar imazhin e një force që kërkon ndryshime politike ekonomike dhe sociale kurse “e djathta” kërkon ruajtjen e institucioneve ekzistuese.

Kuptimi i këtyre termave ka evoluar në vende dhe në kohë të ndryshme, por në përgjithësi, e majta mbështet më shumë barazinë sociale, kurse “e djathta”, drejtësinë sociale. E majta është më “liberale” apo “progresiste”, kurse e djathta më “konservatore” apo “regresive”.

Partitë e majta kanë mbështetje më të fortë nga punëmarrësit si dhe nga shtresa e mesme, kurse partitë e djathta, nga kapitalistët dhe punëdhënësit, ndonëse kjo ka ndryshuar në kohë.

“E majta” është e lidhur më shumë me vlerat liberale, rolin e shoqërisë, dhe shtetin e mirëqënies, kurse “e djathta”e vë theksin në tregun e lirë dhe politikën e taksave të ulëta.

Qendra gjithnjë e më tepër ka fituar terren ndaj ekstremeve të spektrit politik. Parlamenti Europian me 754 deputetë, nga 27 vende të BE, përbëhet nga 7 grupe politike, por vetëm prej tyre  zenë 61% të numrit gjithsej. Partia Popullore Europiane, (qendër e djathtë), ka 270 deputetë ose 35.8 % dhe Aleanca Progresiste e Socialistëve dhe Demokratëve, (qendër e majtë), 190 deputetë ose 25.2 %.Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve (centristët), ka 85 deputetë ose 11.3 %.

Në Britani, e majta përfaqësohet nga Partia Laburiste, kurse e djathta nga Partia Konservatore. Në ShBA, e majtë cilësohet Partia Demokratike, kurse e djathtë, Partia Republikane. Një demokrat njihet si një liberal, ndërsa një republikan si një konservator.

Në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2013, ish-kryeministri italian M.Monti pat deklaruar se dallimi midis të majtës dhe të djathtës ishte zhdukur. Por sociologu britanik A.Gidens, një studiues i njohur i së majtës, në gazetën La Repubblica të 15 janarit 2013 u përgjigj se e djathta dhe e majta ekzistojnë ende. Duke cituar filozofin liberal-socialist italianN. Bobbio, (1909-2004), ai ve në dukje se kuptimi i termave ka evoluar në krahasim me të shkuarën, por mbeten ende dy koncepte politike thellësisht të ndryshme edhe në botën e sotme të globalizuar.

 

Partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri

Në Shqipëri nuk ka pasur ndonjë traditë të hershme për pluralizëm politik dhe aq më pak, për parti të majta dhe të djathta. Partitë e para politike u krijuan pas Kongresit të Lushnjës, nga fundi i 1920, në kuadrin e zgjedhjeve të para parlamentare të prill 1921.

Në tetor 1920 një grup deputetësh të drejtuar nga Fan Noli (ku fillimisht bënte pjesë edhe A.Zogu) shpallën programin e Partisë Popullore me reforma demokratike antifeudale, që mund të konsiderohen të majta. Kjo parti përfaqësonte opozitën në Parlament.

Rreth një muaj më vonë, një grup deputetësh të tjerë, shpallën krijimin e Partisë Përparimtare të kryesuar nga Hoxhë Kadriu. Kjo parti përfaqësonte krahun konservator dhe mbështeste A.Zogun kur ky u bë kryeministër më 1923.

Por pluralizmi politik, edhe pse në formë fillestare, nuk vazhdoi gjatë. Me të ardhur në pushtet (1925) dhe deri sa u largua (1939), A.Zogu e ndaloi veprimtarinë e partive politike.

Në vitet 1940-1945, që përkon me periudhën e Luftës, u formuan PK (1941), Partia e Ballit Kombëtar (1942), Partia e Legalitetit (1943), përkatësisht parti të ekstremit të majtë dhe të djathtë.

Në vitet 1945–1990 Shqipëria ka qënë republikë, me sistem një partiak, i tipit komunist.

Pluralizmi politik daton me ligjërimin e PD si parti e parë opozitare, më 12 dhjetor 1990.

Zgjedhjet e para pluraliste parlamentare të 31 marsit 1991 shënuan krijimin e sistemit politik shumëpartiak, i konsoliduar në vijim me zgjedhjet e zhvilluara deri më 23 qershor 2013.

Në këto zgjedhje morën pjesë dy grupime kryesore: Koalicioni “Aleanca për Punësim Mirëqenie dhe Integrim” (i djathtë) me 25 parti, i kryesuar nga PD, dhe Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” (i majtë) me 37 parti, i kryesuar nga PS.

Jashtë këtyre dy koalicioneve konkurruan katër parti të tjera: Aleanca Kuq e Zi, Fryma e Re Demokratike, Lidhja për Drejtësi e Progres dhe Partia Popullore Kristian Demokrate.

Nga 66 parti që morën pjesë në zgjedhje, vetëm 7 arritën të fitojnë vende në Kuvend.

Koalicioni i majtë fitoi 84 deputetë, nga të cilat PS 66, LSI 16, PBDNJ 1 dhe PPKD 1.

Koalicioni i djathtë fitoi 56 deputetë, nga të cilat PD 49, PDIU 4, PR 3.

 

“E djathta”dhe “e majta”: qëndrime të ndryshme për çështje historike

“E djathta” dhe “e majta”, kryesisht PD dhe PS-LSI, ndajnë qëndrime të ndryshme për çështje me karakter historik, të cilat prekin shtresa të caktuara shoqërore.

“E djathta” ka “rishikuar” ngjarje dhe figura të caktuara historike. Kjo u duk qartë në programin qeveritar për festimet e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ku vëmendja zyrtare u fokusua tek ish-mbreti Zog dhe ceremonitë në Tiranë. Kurse “e majta”, duke u mbështetur në shkencën historike,  vlerëson rolin e patriotit të madh  I.Qemali dhe të Vlorës si qytet i Flamurit.

“E djathta” e glorifikon periudhën e sundimit të mbretit Zog në vitet 1925-1939. Zogu bëri shtet! “E majta” ka vënë në dukje se Zogu bëri një shtet autokratik, me një sistem politik, pa opozitë. A.Zogu bëri një shtet të korruptuar, të lidhur pas qerres fashiste të diktatorit Italian Musolini. Mbi 90 për qind e popullsisë mbeti analfabete.

“E djathta” në fakt nuk e njeh 29 nëntorin 1944, si ditë të Çlirimit. Madje ka edhe “historianë” të saj që LANÇ e cilësojnë si një Luftë Civile, duke nxjerrë të “larë” ballistët, kur parrulla e tyre ishte: “Shqipëri e shqiptarëve.Vdekje tradhtarëve”! Kujtoni ku i degdisën 5 herojtë e Vigut! “E majta” e vlerëson LANÇ si një luftë të drejtë, në krah të aleancës fituese Anglo-Ruso-Amerikane.  Kjo luftë u udhëhoq nga PKSh, me pjesëmarrje të gjerë të rinisë shqiptare, me sloganin: “Vdekje fashizmit-liri popullit!” 29 nëntori 1944 është padyshim dita e Çlirimit.

“E djathta” mohon çdo arritje të periudhës të sistemit komunist 1945-1990. “E majta” ka mbajtur qëndrim kritik për sistemin një partiak, ka dënuar luftën e klasave, mungesën e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, mbylljen e vendit etj. Por në të njëjtën kohë, ka vlerësuar edhe disa arritje të cilat e përmirësuan gjëndjen social- ekonomike të popullit. U thanë moçale e këneta, u kthyen në toka pjellore që siguruan pjesën më të madhe të ushqimeve në vend. U ndërtuan hidrocentralet që vazhdojnë të furnizojnë familjet dhe ekonominë me energji elektrike. U zhduk analfabetizmi dhe sëmundjet që shkurtonin jetët e njerëzve etj.

 

Dallime programore midis “të djathtës” dhe “të majtës”

“E djathta” zgjodhi “shock therapy” për kalimin në ekonominë e tregut. Sipas saj, “tregu zgjidh gjithçka”, ekonomia nuk ka nevojë për rregullim nga shteti. Politikat e qeverisjes të PD në vitet 1991-1996 sollën ngritjen e tezgave në vend të tregut, dhe të skemave financiare piramidale, në vend të strategjive të zhvillimit. Për rrjedhojë, pasoi kriza e thellë e vitit 1997, të cilën qeverisja e PS e zgjidhi përmes politikave të matura ekonomike në vitet 1998-2005.

Slogani i PD në fushatën zgjedhore ishte: Ne jemi ndryshim! Përpara! Mirëpo programi i saj nuk parashikon ndonjë ndryshim. Në të kundërtën, shpreh një lloj statu quo, qëndrimi në vend, pa ndonjë element të ri. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e përfundimit të lidershipit të PD-së, se gjatë tetë vjetëve janë arritur vetëm suksese, prandaj nuk ka nevojë për politika të reja ekonomike.

Qeveria e djathtë nuk e pranon krizën ekonomike dhe financiare. Sipas krerëve të PD vendi i ka bërë ballë krizës globale, ritmet e rritjes ekonomike krahasohen me ato të Gjermanisë! Aq në “terezi” e kishte punën qeveria, sa në çdo takim z.Berisha përsëriste premtimin: do të rrisim pagat, edhe pensionet! Sipas “të majtës”, efektet e krizës botërore jo vetëm nuk janë kapërcyer, por janë kthyer në krizë të brendshme duke keqësuar treguesit makroekonomikë, financiarë,  në të gjithë sektorët. Qeveria dështoi me privatizimin e CEZ-it, Albetrol-it, ARMO-s, etj. Borxhi publik arriti në mbi 63% të PBB, papunësia reale arriti në mbi 30% të forcave të punës.

“E djathta” është për “taksën e sheshtë” mbi të ardhurat personale. Sipas këtij sistemi, të gjithë tatimpaguesit paguajnë të njëjtën përqindje tatimi, pavarësisht nga niveli i të ardhurave të tyre. Ky sistem tatimi favorizon të pasurit. “E majta” është për tatimin progresiv, sipas të cilit, kush fiton më shumë të ardhura duhet të paguajë më shumë tatim. Të pasurit duhet të paguajnë më shumë se proporcionalisht, pasi shteti shpenzon më shumë për pasurinë e tyre.

“E djathta” nuk parashikon reduktim të TVSh për artikuj apo shërbime të caktuara. Programi i PS premton 0 % tatim për produktet bazë ushqimore bazë si: miellin, bukën, qumështin, vezët. Po kështu është premtuar ulja në 6 % e furnizimit me energji elektrike për familjet.

“E djathta” nuk e pranon gjendjen e rëndë në sistemin e shëndetësisë. PS e konsideron shëndetin publik faktor themelor zhvillimi dhe do të ofrojë një shërbim për të gjithë qytetarët. Të gjithë atyre që varfëria i ka lënë pa sigurim shëndetësor, do t’u ofrohet shërbim falas. Ata që paguajnë sigurime, do të përfitojnë një shërbim cilësor dhe falas nga skema ku kontribuojnë. Qeveria e majtë do të heqë taksën 10 % mbi shërbimin shëndetësor dhe barnat.

“E djathta” nxiti shtimin sasior në arsimin e lartë, duke shkelur mbi standartet bashkohore. PS angazhohet që universitetet, publike dhe private, të rrisin autonominë, cilësinë dhe standardet e mësimdhënies, për t’i pajisur studentët me aftësitë e nevojshme për sfidat e shekullit të 21. Programi i PS parashikon ngritjen e Sistemit të Pavarur të Vlerësimit dhe Renditjes të shkollave të larta me qëllim liçencimin mbi baza e kritere shkencore të tyre. Buxheti i arsimit në përgjithësi do të dyfishohet kundrejt PBB në krahasim me nivelin e tanishëm.

“E djathta” nuk e pranon nivelin e lartë të varfërisë dhe e ka reduktuar ndihmën ekonomike në vetëm 33 lekë për person në ditë! PS e konsideron këtë krejtësisht të pamjaftueshme, prandaj në programin e saj është angazhuar për llogaritjen e minimumit jetik si bazë për një ndihmë të denjë. Për ata që jetojnë nën minimumin jetik, do të mundësohet formimi profesional, në mënyrë që kjo shtresë e popullsisë të dalë nga skamja e të rehabilitohet në tregun e punës.

“E djathta” erdhi në pushtet me angazhimin për një qeverisje me duar të pastra por në të kundërtën, korrupsioni u kthye në një sistem. E majta është angazhuar të çmontojë sistemin e korrupsionit dhe kulturën e pandëshkueshmërisë, përmes konkurrencës të ndershme dhe interesin publik në themel të qeverisjes, për ta hapur dhe zhvilluar ekonominë e shoqërinë.

 

Më në fund: në zgjedhjet e 23 qershorit e majta fitoi rreth 290 mijë vota më shumë se e djathta, ose 16.6 për qind. Shumica e votuesve kanë ditur të dallojnë alternativën më të mirë. Sovrani e bëri detyrën e vet: tani e ka rradhën qeveria e majtë.

 

 

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *