E majta duhet të guxojë

editor

Qeveria e koalicionit të majtë PSSH-LSI e mori zyrtarisht pushtetin, madje me një maxhorancë prej 83 deputetësh, çka i jep mundësi për ndërmarrjen e reformave të thella në fushën ekonomike dhe në atë institucionale. Vendosja e shtetit ligjor, e shtetit të së drejtës e të mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët është objektivi që i dallon të majtët nga forcat tjera politike, është si të thuash thelbi i filozofisë së tyre. Kjo është beteja kryesore që duhet të fitojnë socialistët. Për të fituar këtë betejë modeli i tyre duhet të jetë i suksesëshëm në disa drejtime të rëndësishme.

 

Së pari, vendosja e shtetit të së drejtës. Shqiptarët duhen të jenë të barabartë para ligjit. Më shumë se varfërinë, standartin e ulët ekonomik, ata kanë vuajtur pabarazinë para ligjit. E kanë përjetuar atë në kërkim të një vendi pune, e kanë përjetuar në kërkim të pronës së tyre, e kanë përjetuar në vështirësitë e sorollatjet për rregjistrimin e fëmijëve në shkollë, e kanë përjetuar në kërkim të kujdesit shëndetësor. E kanë përjetuar edhe kur, për zgjidhje të mosmarrëveshjeve të ndryshme,apo ngjarjeve kriminale, janë gjendur para gjykatave, të cilat në vend që të dënojnë fajtorët, mafiozët, kriminelët kanë dënuar e zhgënjyer ata që janë dëmtuar nga veprimet kriminale. Edhe në raste kur qeveria ka dashur të demostrojë “vendosmëri” në luftën kundër korrupsionit më shumë janë dënuar qytetarë të thjeshtë, punonjës e zyrtarë të nivelit të ulët, personat shumë periferikë, si i thonë “peshqit e vegjël”. Asnjeherë nuk është guxuar të ndëshkohen ata që marrin pjesën e luanit në gjithë aferat korruptive. Drejtësia, ndëshkimi i veprimeve kriminale duhet të jetë përmbajtja e shtetit tonë në të ardhmen. Për t`a bërë realitet drejtësinë e “dëshiruar” duhen reforma të thella në organet e drejtësisë, në prokurori, në gjykata dhe në institucione të tjera të saj. Krahas kësaj reforme, që do të garantojë dhënien e drejtësisë në të ardhmen, në të njëjtën kohë, duhet të bëhet drejtësi edhe për veprimet antiligjore, kriminale të kryera deri tani, pavarësisht nga personat, partitë, grupet e interesit që janë të implikuar në këto veprime. Ka disa momente në historinë e këtyre viteve që nuk mund të harrohen, nuk mund të kalohen pa u gjykuar. Kaosi dhe vrasjet e vitit 1997, sulmi kundër institucioneve të shtetit në vitin 1998, tragjedia e Gerdecit, në vitin 2008, që solli 26 të vrarë dhe qindra të plagosur, pa llogaritur dëmet ekonomike dhe ekologjike, vjedhja e preventivit të rrugës Durrës-Kukës, që llogaritet mbi 250 milionë euro, vrasjet e katër demostruesve paqësorë nga Garda e Republikës më 21 janar 2011, etj. nuk mund të lihen pa autorë e pa të pandëshkuar. Përndryshe edhe historia e ardhshme e vendit tonë do të jetë përsëri histori tragjedish, vjedhjesh, krimesh dhe poshtërimesh ndaj popullit. Vemdosja e shtetit të së drejtës është domosdoshmëri edhe për t`i vënë fre kriminalitetit, që këto vite është bërë një rrezik i përditëshëm për jetën e qytetarëve, edhe të atyre të papërfshirë, aspak, në afera kriminale e korruptive.

 

Së dyti, zbatimi i një skeme më të mirë të shpërndarjes së produktit kombëtar. Pa rënë në pozitat e barazitizmit të majtët, qeveria e tyre, duhet të sigurojnë mundësi e shanse të barabarta për punë, për kujdes shëndetësor,për arsimim e argëtim për të gjithë qytetarët. Një objektiv i tillë kërkon administrimin dhe përdorimin me përgjegjësi të madhe të burimeve financiare e materiale që ka në dorë shteti, çka rrjedhimisht do të rezultojë në paga e pensione më të mira, në fonde më të shumta në interes të arsimimit të të gjithe qytetarëve, në fonde më të shumta në sektorin e shëndetësisë, në fonde më të shumta për t`u ardhur në ndihmë kategorive më në nevoje, si të paaftët për arsye shëndetësore, kategorive sociale të margjinalizuara deri tani si Romët, etj. në fonde për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave tona në fushën e kulturës e të artit, sporteve, mjedisit, etj. Kjo detyrë do të jetë nga më të vështirat, madje, në se nuk do të punohet me seriozitet e në mënyrë profesionale mud të bëhet edhe dështimi i të majtës. Vështirësia do të lidhet kryesisht me aftësinë ose jo për të rritur produktin kombëtar, PPB, si kushti vendimtar për të zbatuar skema sociale gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme. Por vështirësia do të lidhet edhe me rrezikun e devijimit të të majtës nga programet e ofruara, për efekt të korrupsionit, interesave klanore e nepotike të qarqeve që vijnë në pushtet.

Së treti, e majta duhet ndërtojë një admnistratë profesionale, një administratë që nuk e konsideron veten “zot” mbi qytetarët por si shërbëtore të tyre. Edhe ky është një mision i vështirë, sepse duhet të tejkalohen disa dukuri negative të deritanishme. Duhet të luftohet koncepti i administratës me përfaqësues të klaneve familjare, miqësore, nepotike që ka qenë gati përcaktues në aktivitetin e administratës së deritanishme. Duhet të luftohet, po ashtu, koncepti i administratës militante, të mbushur me militantë politikë, të cilët edhe pse kanë një rol shumë të madh në promovimin dhe suksesin e programeve të partive, nuk mund të “uzurpojnë” admnistratën dhe t`a kthejnë atë në celulë partie. Duhet të luftohet koncepti shkatërrues i ndarjes së administratës në parcela të partive që janë në pushtet. Ta ndash admnistratën në domene të partive pjestare në koalicionin qeverisës, si ka ndodhur deri tani, do të thotë të përgatitësh dështimin e saj. Mua më ka habitur, madje më ka trembur shifra e deklaruar në disa organe të shtypit, sipas se cilës del se LSI ka dikasteret që menaxhojnë afro 85% të buxhetit të shtetit, ndërsa PS paska digastere që përbëjnë afro 82% të punonjësve të administratës!!! Këto të dhëna nuk botohen thjesht për erudicion, për informim e transparencë me publikun. Më shumë kanë brenda “paralajmërimin”, ”frikën” se, si edhe në të kaluarën, ndonjë parti politike a grup interesi do të ketë shumë hapësirë për të abuzuar me buxhetin e shtetit, apo edhe me administratën duke e keqpërdorur atë. Përvoja e deritanishme e ka vërtetuar katërcipërisht handikapin që ka një ndarje e tillë. Ajo ka çuar në dobësimin e forcës së kontrollit të Këshillit të Ministrave, të kryeministrit personalisht, në të gjithë sektorët. Kurrësesi administrata nuk mund të jetë përfaqësuese e interesave të një partie të caktuar,qoftë edhe e atyre partive që kanë shumicën në pushtetin qëndror apo lokal. Administrata është e shtetit, është aset kombëtar dhe jo e partive politike, është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallime politike, sociale, fetare, arsimore, etj. Deklarata e bërë nga Edi Rama, tani kryeministër i vendit “Pushteti është i popullit, ne zbatojmë detyrat” nuk ka lidhje aspak me leninizmin, si thotë Sali Berisha, por është sfidë shumë e madhe për t`u fituar nga administrata e ardhshme. Profesionalizmi, ndjenja e përgjegjësisë dhe vendosmëria në plotësimin e detyrave duhet të jetë kriteri kryesor i rekrutimit të punonjësve të administratës. Këtu nuk e kam fjalën aspak për të mbajtur ende në punë lloj lloj militantësh partialë, punonjës që me paaftësinë dhe korrupsionin e tyre kanë dëmtuar rëndë performacën e administratës si dhe interesat e qyetarëve e të vendit në përgjithësi. Qëndrueshmëria politike,sociale dhe ekonomike, qetësia dhe rendi publik, në shumë vende demokratike, garantohen kryesisht nga administrata profesionale, larg interesave të ngushta partiake. Edhe kjo është një betejë e madhe që duhet të fitohet nga koalicioni në qeveri.

A do të mundë e majta të bëjë ndryshimet e premtuara në sektorin e ekonomisë? A do të mundë ajo të realizojë reformat e thella në prokurori,në polici,në gjykata e të arrijë të vendosë shtetin e së drejtës,barazinë e qytetarëve para ligjit? A do arrijë ajo të ndërtojë e të motivojë për punë një administratë profesionale që do t`i bëjë ballë me sukses sfidave që e presin Shqipërinë në vitet e ardhëshme? Kjo është një sprovë shumë e vështire për të majtën në pushtet, për qeverinë e saj, e veçanërisht për z.Edi Rama, si kryeministër i vendit. Të kërkosh ndryshimin e modelit, në kushte të tilla, duhet të kesh guxim e, në të njëjtën kohë, duhet të jesh i përgatitur e i përgjegjëshëm për suksesin e këtij aksioni. Këtë duhet t`a bëjnë të majtët në se duan të kenë sukses. Vështirësitë më të mëdha do të hasen në fushën e ekonomisë. Që të ndryshosh pozitën e shtetit në lidhje me administrimin dhe zhvillimin e pronës dhe të mjeteve të prodhimit duhet të promovosh një filozofi ndryshe nga ajo “ekstraliberale”, që në termat e sotme mund të akuzohet si “marksiste”. Këtë presion kërkon të ushtrojë PD dhe Sali Berisha kur sulmon programin e qeverisë se re. Por,pavarësisht nga akuzat e tij për kthim te Marksi, te “etërit shpirtërorë”, te “blloku”,etj, realizimi i këtij programi është rruga e vetme, e sigurtë për ta nxjerrë vendin tonë nga mizerja ekonomike e sociale ku ndodhet aktualisht e për ta futur atë në rradhën e vendeve të zhvilluar. Në këtë luftë “nervash” PSSH dhe qeveria e saj e ka një rrugëzgjidhje. Në se nuk guxojnë t`u referohen ideve të Marksit, meqë më heret janë interpretuar si prioritet absolut i pronës shtetërore edhe i përqëndrimit të pushtetit politik, të paktën t`i referohen modelit ”keynesian”, sipas të cilit shteti, duke zotëruar asete të fuqishme dhe kontroll të fortë mbi ekonominë dhe politikat e vendit, garanton një program më efektiv përzhvillimin ekonomik të vendit dhe shpërndarjen e produktit kombëtar në të mirë të të gjithë qytytetarëve, pa dallime të mëdha.. E për ta arritur këtë duhet forcë e madhe për t`u përballur e për t`u ndarë me të kaluarën. Përvojë për një luftë të tillë pa kompromis ka në shumë vende, ka në Europë, madje ka edhe në Ballkan. Në Francë janë marrë në hetim disa presidentë e kryeministra qoftë edhe për përfitime e favore të vogla. Në Itali një nga politikanët e rëndësishëm të së djathtës, disa herë kryeministër, Silvio Berluskoni, u hetua për evazion fiskal dhe u dënua me katër vjet heqje lirie. Më parë, në një proces të gjatë,u hetua një nga personalitetet më të mëdha të politikës italiane, Giulio Andreoti. Në Kroaci, për abuzime ekonomike e financiare, u dënua kryeministri më i suksesëshëm, Sanader. Po kështu ngjau edhe me kryeministrin e Sllovenisë, Janzha. Madje edhe në Kinën e largët një nga drejtuesit e PK të një rajoni të madh, Bo Xilai, për afera korruptive,u dënua me burgim të përjetëshëm. Le të mësojë e të marrë guxim e majta jonë edhe nga këto shembuj. Në se ajo e ka guximin kushtet janë për një aksion të tillë. Shpresojmë të zgjedhin udhën e duhur.

Share This Article
5 Comments
  • BURGOSJA LE TE BEHET JASHTE SHQIPERISE,NQS MERRET NJE VENDIM I TILLE. NQS AI DO TE BURGOSET NE SHQIPERI ESHTE E QARTE SE KJO ESHTE PJESE E NJE PROJEKTI PER TA DESTABILIZUAR SHQIPERINE,nga i cili do te humbasin vetem populli shqiptar.saliun nuk ka per ta gjetur gje vetem nqs ekziston ndonje force qe te zbatoj variantin HOTI.bile saliu mund te largohet nga politika .po me anetaret e kabinetit te tij dhe turmat e tija qe jane per tu cuar ne te njejten salle gjyqi cmund te behet? ASGJE.pozita dhe opozita jane ne biznes te perbashket EKONOMIKO-POLITIK.mund te denohen peshq te vegjel.SALIU JO KURRE!

  • Plotesisht dakort me ato qe shkruan autori. Por se pari duhet te forcohet shteti. Njerezit duhet te fillojne t’i besojne qeverise se re. Te provohet ne praktike se ajo po punon per vendin dhe popullin. Po ashtu gjate kesaj kohe duhet te kryhen ndryshime rrenjesore ne sistemin e drejtesise, ne polici, prokurori, ne te gjithe administraten ne pergjithesi. Shteti duhet te mbuloje me auroritetin e tij çdo centimetr katror te vendit. Pastaj i vjen rradha edhe gjykimeve dhe denimeve te atyre qe kane pervetesuar, korruptuar, vjedhur dhe vrare.

  • Ok autorit per gjithcka te shkruar ,por ka haruar se shtetit te se drejtes nuk duhet ti beje karshillek Lazarati i cili eshte turp i ketij vendi.

  • Te lumte Ganii Elezi. Plejade kontributi dhe sakrifice. Personifikim i ish ushtarakut te devotshem,, te afte dhe atdhetar.

  • Te pershendes Gani bashkeudhetari im ne shkolle dhe ne karjeren ushtarake,me pelqu shume shkrimi i juaj ku spikat llogjika dhe e verteta qe duhet aplikuare ne shqiperine tone te shumevuajtur.
    Edhe pse nuk mund te me indetifikosh perseri ne do mbetemi shok te vjeter dhe do ruajme kujtime te mira per njeri tjetrin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *