Qendra e majtë në Itali arrin pas tre raundesh të dështuara votimi, të zgjedhë kandidaten e vet, në krye të Dhomës së Ulët të Parlamentit.
Laura Boldrini mori 327 vota, ndërsa në momentin e kalimit të pragut të domosdoshëm prej 310 votash, duartrokitjet shpërthyen në sallë, shenjë lehtësimi pasi skenarët e bllokimit të mëtejshëm të parlamentit italian, ishin të pranishëm deri në fund. Boldrini mposhti në garën për kreun e dhomës së deputetëve, Roberto Fico të propozuar nga lëvizja “Pesë Yjet” e Bepe Grillos. Në senat, ka pasur një balotazh mes dy kandidatëve, Pietro Grasso e Renato Schifani.
Ndërkohë, presidenti italian, Xhorxho Napolitano njoftoi se do të nisë më 20 mars, konsultimet për krijimin e një Qeverie, më shumë se tre javë nga zgjedhjet e shkurtit. Ai përmes një deklarate, theksoi se është e rëndësishme që kabineti aktual të vazhdojë të jetë nën drejtimin e kryeministrit Mario Monti, të cilin e cilëson person me autoritet, deri në krijimin e një kabineti të ri.
Ngërçi politik që ka përfshirë Italinë rrezikon seriozisht të përkeqësojë edhe situatën e saj ekonomike, edhe kështu në gjendje delikate. Ka shqetësim se tregjet mund të nxiten të rrisin koston e huamarrjes për Italinë, ndërsa nga Qeveria e re pritet të vazhdojë reformat e domosdoshme të nisura nga Monti, për shkurtimin e deficitit dhe masa kursimi.