Ngjarje më e madhe kulturore e vitit është duke ndodhur. Prej orës 09:00 të së mërkurës në Tiranë ka hapur dyert Panairi i 17-të i Librit “Tirana 2014”. Në stendat e vendosura në Pallatin e Kongreseve paraqiten me botimet e tyre të autorëve shqiptarë dhe të huaj rreth 100 shtëpi botuese. Në përkujtim të 200-vjetorit të lindjes së autorit arbëresh, Jeronim De Rada sivjet çmimi kryesor që do të ndahet për autorin më të mirë do të jetë pikërisht çmimi “Jeronim De Rada”. Panairi do të presë vizitorët dhe blerësit për pesë ditë me radhë, deri të dielën e 16 nëntorit.
Panairi i 17-të i Librit
Panairi i 17-të i Librit “Tirana 2014” zhvillohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Për herë të parë është realizuar në vitin 1998. Sipas organizatorëve, ky Panair ka treguar tashmë se është aktiviteti më i madh vjetor për librin, duke shënuar rezultate në rritje nga viti në vit, dhe duke siguruar kështu vijimësinë e Panairit të Librit të Tiranës dhe përkrahjen e gjerë të tij.
Në Panairin e 17-të Librit marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase dhe të huaja, institucione të arsimit të lartë, dhe organizata të tjera kulturore që punojnë me librin. “Në këtë Panair do të ketë një pjesëmarrje të gjerë të ambasadave dhe institucioneve të huaja në vendin tonë, duke i dhënë kësaj ngjarjeje, kaq të rëndësishme për vendin tonë, një karakter ndërkombëtar. Ky Panair do të shndërrohet në një panel të rëndësishëm diskutimi për artin dhe kulturën”, shprehet kryetari i Shoqatës së Botueseve, Petrit Ymeri.
Botimet
2866 botime ishin për vitin 2012, 1086 të tillë ishin para një viti, pra 1780 botime më pak. Ndërsa për këtë vit Shoqata e Botuesve Shqiptarë, nuk e ka ende një raport telegrafik, pasi numri i tyre ndryshon nga viti në vit. “Këtë nuk e dimë ende, duhet që të presim deri sa të shpallen. Zakonisht këto regjistrime i marrim nga Biblioteka Kombëtare, por sivjet kanë një rënie të dukshme botimet e librave të rinj, sikurse kanë edhe shitjet. Madje unë u trishtova para dy ditësh sepse edhe botuesit nga Prishtina më thanë të njëjtën gjë”. Kështu e shpjegon Ymeri, tregun e librit, madje ai e quan të dëmtuar. “Ky fenomen është më shumë se shqiptar, është një fenomen edhe evropian, por jo në këto përmasa që është te ne. Te ne ka një rënie më tepër se 40 për qind dhe këtë e dinë të gjithë botuesit. Megjithatë ne mundohemi që të ulim çmime dhe të bëjmë fushata promovimi”.
Cilësia
Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuese edhe këtë vit, janë bërë përpjekjet maksimale për cilësinë e Panairit, nga të gjitha shtëpitë botuese. “Botuesit janë të interesuar që të prezantohen sa më bukur dhe nuk duan që t’ju mungojë asgjë”, ka thënë Ymeri përpara çeljes së Panairit.
Kjo varet nga politika që ka secila shtëpi botuese. Sipas Ymerit, dikush mund të bëjë ulje rreth 20 për qind, dikush tjetër pesë për qind, por mund të ketë edhe të tjerë botues, që nuk bëjnë ulje fare. “Ne si organizator nuk bëjmë dot ulje. Ndërsa nga pikëpamja morale çmimet duhet që të vendosen për të tërhequr lexuesin, sepse sa më shumë ulje që të ketë, aq më interesant do të jetë edhe aktiviteti. Kjo është praktika që ndiqet”. Ndërsa në lidhje me organizimin mësojmë se, çmimi i stendave është ai që ka qenë, nis nga 70 euro deri në 80 euro m2. As qiraja e Pallatit të Kongreseve nuk ka ndryshuar, Shoqata e Botuesve paguan për të rreth 80 milionë lekë të vjetra.
Mbështetja e Ministrisë së Kulturës
Diskutimi i mbështetjes së Panairit të Librit nga Ministria e Kulturës, është i vjetër. Madje edhe gjatë viteve të kaluar, kur Ministria e Turizmit Kulturës dhe Sporteve (sot Ministria e Kulturës), e qeverisë së mëparshme në pushtet mbështeste Panairin me një fond të caktuar, botuesit asnjëherë nuk përfitonin asnjë ulje për stendat. Ndërsa këtë vit, mesa duket Ministria e Kulturës, ka vendosur që mos kontribuojë me fonde konkrete. “Ministria e Kulturës nuk ka dhënë asnjë mbështetje, asnjë qindarkë. Këto çështje i di Ministria e Kulturës, që me arsyet që ka dhënë, mbetet një justifikim qesharak fakti i mosmbështetjes së Panairit. Por tashmë kjo është një histori që ne e kemi harruar dhe e kemi lënë pas krahëve”- shpjegon kreu i Shoqatës së Botuesve. Por sot, nuk ka asnjë rëndësi, Panairi, pavarësisht të gjitha vështirësive e nisi rrugën e tij dhe pret vetëm vizitor.
108 tituj të rinj konkurrojnë për çmimet e Panairit
Ajo që vihet re këtë vit janë titujt e rinj, më të paktë se edicionin e kaluar, për shkak të vështirësive ekonomike që hasin botuesit në tregun e leximeve. E me gjithë prurjet më të pakta, nuk janë shteruar as kreativiteti e as cilësia, ku mes librave në konkurrim për katër çmimet e Panairit të Librit ka autorë shqiptarë si edhe mjaft shkrimtarë të huaj që vijnë të përkthyer në gjuhën shqipe. Janë 108 vepra të reja në konkurrim për çmimet: “Autori i vitit”, “Përkthyesi i vitit”, “Letërsia për fëmijë”, si dhe do të ketë një çmim për përkthyesin e karrierës. Ato do të vlerësohen nga një juri e përbërë prej emrave si Virgjil Muçi, Nasi Lera, Persida Asllani, Beti Njuma dhe Alfred Lela. Janë disa prej titujve por edhe autorëve që premtojnë se do të tërheqin dritat e vëmendjes drejt vetes. Shtëpia botuese “Onufri” ka njoftuar një libër të ri të Kadaresë; “Dudaj” prezantohet me të shumëdebatuarin “Vargjet Satanike”, Shtëpia “Dituria” me autoren e njohur Irene Nemirovski, apo me Carlos Ruiz Zaffon. “Toena” sjell në këtë panair romanin e ri të Mira Meksit “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, një libër mbi mbretëreshën Teuta. Gjithashtu vjen edhe një libër nga Zija Çela. Po ashtu në Panair janë edhe autorët Preç Zogaj me librin “Fillimet”, Blendi Fevziu me “Ahmet Zogu” , violinisti me famë botërore Tedi Papavrami me “Fugë për violinë”, Rudolf Marku me “Letra që na vjen pas vdekjes”, si dhe Ben Blushi, me esenë e tij “Hëna e Shqipërisë”. Duket se autorët shqiptarë kanë notuar sërish në ujërat e publicistikës dhe romanit historik, ndërsa letërsia artistike dominohet nga përkthimet. Letërsia shqiptare e zhanrit fiction vjen më e lehtë, megjithatë këta libra premtojnë të ngjallin interes.
Programi
Panairi i Librit gjatë pesë ditëve
Edicioni i 17-të i Panairit të Librit u hap dje në Pallatin e Kongreseve. Nga data 12 deri më 16 nëntor disa nga aktivitetet që do të prezantohen në këtë Panair janë: promovime librash, konferenca shkencore për autorë të ndryshëm, ndërsa në fokus do të jetë 200-vjetori i lindjes së Jeronim de Radës.
Dita e dytë e Panairit (13.11.2014)
12.00 -13.00 -Konference e organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë për Jeronim de Radën në sallën e konferencave. Referojnë: Dr. Moikom Zeqo, “Kënga e këngës dhe Milosao”. Dr. Lili Sula, “Si të lexojmë De Radën”. Mehmet Gëzhilli me “Një vështrim bibliografik për veprën e Jeronim de Radës” etj.
15.00-16.00 Prezantim i botimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, salla e promovimeve.
16.00-17.00 (Gjergj Fishta) “Pure Latino” – autor Carlos Campos Serna, salla e promovimeve etj.
Dita e tretë e Panairit (14.11.2014)
10.00 – 12:00 – Konferencë e Luan Ramës dhe Dominique des Déserts, me temë: “Shqipëria në konfliktin e Luftës së Parë Botërore”.
11.00 -“Arkipelagu Spiritus”, autor Zija Çela, stenda e Sh. B. Toena.
12:00 – 13:00 “Studime për De Radën”, autor Prof. Jup Kastrati, salla e promovimeve.
13:00 -“Bebi skafisti”, autor Çlirim Hoxha, stenda e Sh. B. Toena.
18:00 -“Bishti i Kometës”, autor Besnik Mustafaj, stenda e Sh. B. Toena.
19:30 -“Gjykata administrative dhe kontrolli ligjor mbi administratën”, autor Sokol Sadushi, stenda e Sh. B. Toena.
Çmimet e Panairit (15.11.2014)
11:00 -Ndarja e Çmimit special “Jeronim de Rada”
13:00 –Ndarja e çmimeve të Panairit të 17-të të librit “Tirana 2014”, salla ovale
11:00 -“Shërbëtori i ‘zotërisë’ së pabesë”, autore Teuta Dhimarko Kasoruho, stenda e Sh. B. Toena.
Mbyllja e Panairit (16.11.2014)
12:00 -Bardhyl Xhama, ceremonia për dhënien e çmimit “Tasim Gjokutaj”, stenda e Sh. B. Toena.
13:00 -“Moj e dashura Arbëri”, autor Sadulla Zendeli, stenda e Sh. B. Toena.


Një panoramë e plotë e panairit prezantuar në mënyrë dinjitoze por dhe kritike nga znj. Entela Resuli? Nesër të premten do të shkoj. Megjithatë Entela mospjesëmarrja e ministres se kulturës në ceremoninë promovuese z. Mirela Kumbaro dhe mosfinancimi i këtij aktiviteti të madh vjetor nga ministria e saj më duket i palogjikshëm!? Madje më tepër se kaq,- nënvletësim i një evenimenti të madh të fushës së kulturës shqiptare!? Nderime Entela!