Ka nxjerrë në mes të lokalit thikën që mbante me vete, por është përzënë nga pronari i biznesit. Si hakmarrje është kthyer me një automatik dhe ka qëlluar drejt lokalit duke rrezikuar jetën e nëntë personave. Ngjarja ndodhi ditën e enjte, ndërkoëh që policia bëri të ditur se gjithë historia është zhvilluar në një bar-kafe në fshatin Barbullush të Shkodrës.
Shpëtim Enver Gërmej, 32 vjeç, ka nxjerrë një thikë ndërsa ishte në lokal dhe për këtë arsye është nxjerrë jashtë nga pronari. Një gjë e tillë është pritur keq prej Gërmejt dhe si rrjedhojë ata janë zënë me fjalë njëri me tjetrin.
Pasi situata nuk është zgjidhur, 32-vjeçari ka shkuar në banesën e vet dhe ka marrë një automatik, të cilin e mbante pa leje, është kthyer në lokal dhe ka qëlluar nga jashtë me automatik. Në lokal ndodheshin nëntë persona, klientë e punonjës. Si rrjedhojë mbeti i plagosur lehtë nga copat e xhamave Frederik Tom Bardhi, 26 vjeç, banor i këtij fshati. Policia ndërkohë ka shpallur në kërkim autorin, i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy a më shumë personave, mbetur në tentativë”, si dhe “armëmbajtje pa leje”.