E PASHPJEGUESHME / Basha shastis gazetarët: Ju betohem, zëri që del nga goja ime nuk është i imi!

redaktor

TIRANË – Gjatë një konference të papritur për shtyp sot, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i la të shastisur gazetarët e pranishëm kur deklaroi me një sinqeritet dhe bindje të pahasur më pare tek ai, se nuk mbante asnjë përgjegjësi për fjalët që dilnin nga gurmazi kur hapte gojën.

 “Dëgjoni, se nuk e di sa kohë kam në dispozicion. Unë nuk e di si del zëri me të cilin unë flas, sa herë hap gojën. Shkurt muhabeti, ato fjalë nuk i kontrolloj unë, okej?,” deklaroi Basha duke parë me frikë rreth e rrotull dhe duke i hedhur një sy orës.

 “Sa herë kam nisur të flas këto 14 vitet e fundit, fjalët më kanë dalë automatikisht nga kordat vokale që kam, ja këtu në gurmaz (tregon me gisht) komplet jashtë kontrollit tim”.

Dhe Basha arsyetoi, gjithnjë duke nxituar, se ai nuk mund të quhet përgjegjës për tingujt që nisin si valë zanore nga stomaku, dridhen me ndihmën e ajrit të mushkërive dhe përplasen në laring për të prodhuar më tej fjalë, fjalë pa fund.

“Si t’ua shpjegoj? Me vjen shumë keq që shtypi më fajëson mua për fjalët që dalin nga goja time. A nuk keni pyetur veten ndonjëherë se cila është kjo forcë misterioze që përdor zërin tim për të komunikuar me mediat, elektoratin demokrat, ndërkombëtarët etj? Unë nuk e di. Mund të jetë ndonjë shejtan, ndonjë makineri okulte, ndonjë Berishë i vogël që jeton në kordat e mia vokale… nuk e di.”  

Basha sqaroi sesi, sa herë që hap gojën, bota i errësohet dhe kur pushon së foluri, vjen në vete pa mbajtur mend asgjë nga ato që ka thënë.

“Diçka më kanë bërë, ju betohem! Kjo është e para herë që jam vetvetja që kur kam ardhur në Shqipëri…”

Dhe duke parë orën i lebetitur, Basha mërmëriti, “mooss, nuk kam më kohë” dhe iu lut reporterëve:

“Më besoni, çfarë do dëgjoni ditët në vijim nga unë, nuk do jenë fjalët e mia”.

Gojët e Liga mësojnë se pas një ngrirjeje disa sekondëshe në mimikën e Lulzimit, ky i fundit sikur u përmend nga një gjendje transi dhe iu drejtua mikrofonëve:

“Ty të them! Ty Edvin krimi! Po u preke një fije floku demokratëve, gjej vrimë ku të futesh, o këlysh i bllokut, o kriminel që do të të heqim zvarrë…”  

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike që beson se kandidatët mançurianë nuk janë thjesht trillim letrar

Share This Article
7 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *