Ksera, Fullani, Gjika, Mziu… Të gjithë, të arrestuar… të premten në darkë!

Dita

Pas deklaratave për të disatën herë nga ana e kryeprokurorit Adriatik Llalla se po heton dosje të rënda politikanësh, (zakonisht njoftimet bëheshin çdo vit, në fillim të vjeshtës së parë, pra diku nga shtatori), dhe pas kritikave të fundit të vetë presidentit të Republikës për punën e Llallës, është arrestuar dje një ish ministër i qeverisë së kaluar.

Spiro Ksera, ish ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, ka provuar prangat në Gjirokastër dje në mbrëmje, i akuzuar për shpërdorim fondesh, thënë ndryshe miratime shumash të mëdha për aktivitete fiktive, që në fakt nuk janë zhvilluar, psh për komunitetin rom.

Një vit më parë, është arrestuar shefi i tij i kabinetit, Kleves Bitro. “Qerratai” (për të rikthyer në kujtesë një titull kopertine të DITA-s asokohe) kishte të njëjtin stil pune, më saktë vjedhjesh, por kryente edhe akte autonome, si dërgimi në SHBA si pjesë delegacioni nga ministria, i njerëzve që realisht bëheshin emigrantë që nuk ktheheshin më.

Kjo e djeshmja, ishte e premtja e Spiros. Për sqarim, lajmi u përhap mediatikisht më shpejt, ose pothuaj njëherësh me prangosjen konkrete. Më herët, kemi përcjellë, komentuar e analizuar të premten e Xhelal Mziut, atë të Shpëtim Gjikës, të ish guvernatorit të Bankës Qëndrore Fullani… A e vini re? Arrestimet e një profili të caktuar, që kanë ca politikë brenda dhe premtojnë të shpalosen si të profilit të lartë, ndodhin të premten. A mos ka vendosur prokuroria, në jehonë të një bestytnie të njohur për këtë ditë fatkeqësish, ta nxijë “edhe zyrtarisht” ditën e premte, duke vulosur bash këtë ditë fate zyrtarësh të lartë, ish ministrash e kryebashkiakësh? A ka një përmasë prej Tabir Saraji në këtë përzgjedhje apo ka diçka tjetër… në këtë rastësi jo dhe aq të rastësishme?

“Po ç’të të them, ja zgjidheni ju ditën”, reagoi me humor në anonimitet një oficer policie, kur e pyetëm për këtë përkim, pastaj shtoi, “epo, është më mirë kur populli ka ç’të flasë gjatë fundjavës”.

Është e premtja që mundëson pak spektakël dhe jehonë mediatike, pasi normalisht duhet të vijë e hëna që gjykata të marrë një masë sigurie për të pandehurin? Pak pranga, disa kamera e një çikë qeli uikendi nuk i bëri keq as Mziut, as Gjikës e Fullanit.

Realisht, arrestimi i një ministri apo ish, është ngjarje serioze dhe inkurajuese në luftën kundër korrupsionit. Por nuk i shpëton analizës, fakti që Ksera ishte hallka më e dobët në zinxhirin ish qeveritar të Berishës, tashmë as deputet dhe as ndonjë partiak i thekur në PD.

Po të heqësh një paralele mes postit dhe shifrës 30 milionë lekëshe për të cilën akuzohet, sërish bie në sy që “peshku i madh” ka gjasa të kthehet në peshk akuariumi.

Shpresojmë që për prokurorinë ky të jetë vetëm sipari i konkretizimit të punës së saj hetimore disa vjeçare, siç ka deklaruar mjaft herë kreu i saj. Kjo, duke e ditur se ku e ka katandisur korrupsioni këtë vend dhe duke qenë të qartë, ne dhe lexuesit, e aq më shumë prokurorët, se për çfarë shifrash bëhet fjalë. Në të kundërt, s’do na mbetet veçse të themi se u mbars Llalla, e polli një Kserë.

Rastësisht të premten.

 

Spiro Ksera

ksera

Të premten e 29 janarit u ekzekutua urdhër-ndalimi i prokurorisë së Tiranës për ish-ministrin e Punës dhe të Cështjeve Sociale, Spiro Ksera. Sot, Ksera ndodhet në drejtorinë e Tiranës, ku ka komunikuar edhe me avokatin e tij, Genc Gjokutaj.

Shpëtim Gjika

gjika

Ka qenë data 6 shkurt e vitit 2015 kur ish-kreu i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika u vu në pranga. Ka qenë mesdita e së premtes kur efektivë të policisë janë paraqitur me udrhër ndalimin nga ana e organit të akuzës.

Arrestimi i Gjikes ndodhi rreth orës 14:00 në një restorant pranë banesës së kryebashkiakut 52- vjeçar të Vlorës. Një skuadër policore është paraqitur në lokalin ku po drekonte Shpëtim Gjika dhe pasi ka marrë kontakt me të, i ka bërë me dije se kishte një vendim gjykate për arrestimin e tij.

Para prangosjes, mësohet se kryebashkiaku ka qenë në zyrën e tij, si çdo ditë tjetër pune në Bashki.

Rreth orës 13:00 ai ishte larguar mesa duket për të drekuar diku pranë banesës së tij, ku edhe ndodhi arrestimi. Pasi ka dalë nga restoranti ku ndodhej me disa persona të tjerë, policët i kanë vënë prangat Shpëtim Gjikës, i cili është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.

Ardian Fullani

fullani

Ka qenë data 5 shtator e vitit 2014 kur gjykata kishte caktuar masën “arrest me burg” të vendosur në mungesë ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani, pas kërkesës së prokurorisë. Ka qenë ditë e premte. Në ora 19:45 të mbrëmjes Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ndodhej në zyrën e tij, në godinën e ish-kompanisë VEFA në Tiranë.

Një skuadër e policisë mbërriti te sheshi “Avni Rustemi” me urdhrin e arrestit të lëshuar nga gjyqtarja Blerina Muça, pas kërkesës së prokurorit Ramadan Troci.

Sapo Guvernatori kishte hapur derën e makinës së tij “BMW”, me targë TR 0270 Z, katër oficerë policie, dy civilë e dy me uniformë, e kanë penguar të futej brenda.

Oficerët i kanë komunikuar Fullanit urdhrin e arrestit për akuzën “shpërdorim detyre”. Mes punonjësve të Policisë dhe Guvernatorit të Bankës Qendrore ka pasur një bisedë sqaruese, që ka zgjatur vetëm disa sekonda dhe më pas dy prej oficerëve e kanë kapur nga krahët, duke e drejtuar drejt makinës së tyre. Fullani ka hipur në një tjetër “BMË” të bardhë të Policisë dhe është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në orën 19:55 të mbrëmjes, Fullani u fut i prangosur në Drejtorinë e Qarkut, ku u izolua në qelinë e paraburgimit.

Xhelal Mziu

mziu

Arrestimi i kryebashkiakut të Kamzës u bë po në një ditë të premte, në mbrëmje vonë. Ka qenë 20 dhjetori i vitit 2013, kur policia ekzekutoi urdhrin e Prokurorisë për arrestimin e tij për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera publike.

Policia ekzekutoi në mbrëmje vendimin e Gjykatës së Tiranës, që kishte vendosur ndaj kryebashkiakut masën e sigurisë “arrest me burg”, pas kërkesës së Task-Forcës të Prokurorisë, që kishte regjistruar procedim penal që prej muajit shtator.

Një orë pas arrestimit të Mziut, policia shpalli në kërkim edhe drejtorin e zyrës juridike të Bashkisë Kamzë, Atli Hoti, për të njëjtën akuzë, pasi dyshohet të ketë bashkëpunuar me Mziun.

Vetë bashkëshortja e tij, aso kohe në një intervistë për Panoramën hodhi poshtë akuzat që qarkulluan se në banesë Mziut iu gjet vulë zgjedhjesh dhe se ajo vetë ishte pronare argjendarie. “Procesverbalin e këqyrjes së banesës nga Policia e kam firmosur vetë dhe aty nuk ishte shënuar asnjë objekt i jashtëligjshëm, aq më pak një vulë KZAZ-je. Ndërsa historia e argjendarisë është e sajuar, unë nuk kam argjendari në pronësi, por jam drejtoreshë e një filiali banke, sipër të cilës ndodhej një dyqan i tillë”, tha ajo.

Share This Article
7 Comments
  • Pas te premtes nuk ka me zyra dhe telefon. Por si spjegohet qe te gjithe keta jane te lire. A behet shfaqje. Prisni e shihni. Iformalitet jo vetem ne ekonomi,por kudo ne gjitha aushat.

  • Pas te premtes nuk ka me zyra dhe telefon. Por si spjegohet qe te gjithe keta jane te lire. A behet shfaqje. Prisni e shihni. Iformalitet jo vetem ne ekonomi,por kudo ne gjitha fushat.

  • Te arrestuar te premten, kur ka dy dite pushim pastaj ( shtune+djele) dhe fakti qe jane te lire me pas, tregon se Prokuroria eshte krejt e deshtuar ne arrestimet qe ka kryer e ne akuzat qe ka ngritur. Kjo shpjegon dhe arrestimet ditet e premte. Nuk jane te gjitha rastesi.

  • Nuk ka asnje gjase qe ti gjeje gje keta mostra! Kjo, pasi, jo vetem keta, i mbron ligji, megjithese duhej te ishin me kohe brenda!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *