E – qeverisja, etika digjitale dhe institucioni politikbërës arsimor përballë tyre

Ornela

Nga Majlinda Keta

 Edukimi përgjithësisht, ai digjital në veçanti, është një nga 4 proceset që ndikon dhe ndikohet nga proceset e zhvillimit global. Ai së bashku me proceset komunikuese, ato ekonomike dhe politike arrin të ofrojë dhe tí ofrojë Shqipërisë vendin dhe rolin e saj në këto procese.

Ky globalizim, 4 proceset e tij, nën lupën e jetës dhe komuniteteve nën pandemi, në të gjithë botën, janë përfshirë në debate dhe refleksione të detyrueshme  për tú riformëzuar në brendi dhe formë për të maksimizuar efektin e tyre në këtë realitet të ri të komuniteteve dhe institucioneve shoqërore dhe shtetërore.

Kështu, e drejta për arsimim si një e drejtë themelore për njeriun, u ndje e “dhunuar” si në vende të zhvilluara dhe shumë më tepër në ato në zhvillim ndërsa ju cënua parimi më i madh etik i procesit të të E – Arsimimit, ajo e mundësisë së barabartë në aksesin për të mundësuar procesin. Prej këtu ishte e kuptueshme sa ky proces i “dhunuar” prodhon sjellje jo të qëndrueshme, bile edhe devijante, dhunuese të nxënësve dhe studentëve tanë sikurse kjo ndikoi edhe mbi E-mjediset dijeofruese të mësuesve dhe pedagogëve. Sot, e drejta për internet, po merr statusin e një të drejte themelore të njeriut.

Kështu, çdokush kujton videot që u bënë virale me copëza të shkëputura, jashtë kontekstit, nga orë mësimi të mësuesve që ofronin orën online nga celularët e tyre, që ishin cënim publik i dinjitetit të individit por edhe të vetë institucionit të edukimit.

As dje, por edhe sot vijojmë që askush të mos ju japë përgjigje pyetjeve të tilla për institucione arsimore:

A u blenë platformat tona digjitale në një kontratë të përmbushjes së parimeve të Etikës Digjitale?

Deri ku e kanë të lejuar institucionet e edukimit të drejtën e përdorimit të të dhënave personale dhe çfarë ndodh kur njeri prej nesh, komunitet i mjedisit digjital institucional, ja delegon te drejtën për të hyrë një të huaji në mjedisin tonë? Kush e mbron privatësinë tonë?

A e kemi ne në institucionet e edukimit normimin e duhur juridik në edukim(shkolla dhe universitete), Etikën Digjitale, që do tí bënte të ditur nxënësve, studentëve apo dhe mësuesve, pedagogëve se çfarë do të thotë shkelje e privatësisë së një mjedisi edukativ?

A duhet që nxënësi, studenti të ndjekë mësimin, auditorin akademik me prezencë të identifikueshme të portretit të tij?

Çfarë cënoi kjo në kushtet kur ne zhvilluam provimet online ndërkohë që patëm të dy qëndrimet në sjelljen e studentëve, me dhe pa portretin?

Në mosdashje të studentit për tú identifikuar me portretin live çfarë sjellje cilësohet ajo e një nxënësi apo studenti ku për identifikim përdorin simbole joetike por jo rrallë edhe bullizuese vizualisht për të tjerët?

Si duhet cilësuar dhe normuar juridikisht një sjellje që u pa gjatë orës akademike online ku pedagogët gjithashtu janë ndjerë të cënuar në mjediset lektuese dhe në seminare ndërsa merreshin komanda mbi “tabela” apo ndërhyhej në materiale të hedhura nga ato në murin e përbashkët?

Çfarë ndodh si si cilësohet institucionalisht situate kur statistika zyrtare nuk shpreh dhe përfaqëson të vërtetën mbi gjendje të tilla joetike, apo në cënim të ligjit në systemin e edukimit në Shqipëri? Të tjera pyetje mund të vijohen por që në thelb është një refleksion që duhet bërë individualisht dhe institucionalisht.

Në vende si Shqipëria, fuqizimi i sjelljeve jo të qendrueshme, joetike deri në cënim të ligjit si pasojë e aksesit jo të barabartë apo cënimit të parimeve etike gjatë procesit për pjesëmarrësit sigurisht që do të sjellin pasojat e tyre në:

  1. cilësinë e të mësuarit dhe me kompetencën digjitale si dhe me ndërlidhjen e saj me të tjerat e këtij shekulli,
  2. 2. thellimin e analfabetizmit në përdorim informacioni;
  3. rritjen e riskut nga krimi kibernetik mes mjediseve të nxënësve dhe studentëve tanë por edhe ndaj mësuesve dhe lektorëve.
  4. 4. cënimin e cilësisë së aftësisë për të menduar kritikisht mbi gjendje, sjellje apo statistika që dëshmojnë mbi prezencën e sjelljeve të tilla joetike në institucionet e edukimit, kjo si për individët ashtu edhe në nivel brezi.
  5. mosqasjen në standardin e duhur ndaj zhvillimeve globale për të njëjtat problematike sidomos asaj të prekjes së minorenëve dhe gjeneratave të reja nga krimi kibernetik.

Institucionet shqiptare sot mund të cilësohen si jetesë mes dy realitetesh, në shkallën e angazhimit dhe përgjegjësisë së ushtruar ndaj Etikës Digjitale.

Sot, Shqipëria, është një me një qeverisje që ka investuar për E- Qeverisjen. Janë një mori shërbimesh që sot qytetari shqiptar i merr apo i kryen përmes saj. Vendi ka një legjislacion të përpunuar në përshtatje më ligjet europiane mbi klasifikimet e krimit kibernetik , ndikim ky i proceve të europianizimit të paktën prej 2002. Ajo ka një qartësi të Kodit Penal mbi veprat penale dhe krimin kibernetik. Institucionet e drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, ka evidencë të qarta në përputhje me standardet ndërkombëtare, ku ndiqet dhe lexohet prekja e minorenëve nga krimi kibernetik dhe llojet më të shpeshta, në tendencë, të prekjes së tyre. Është e lehtë të hulumtosh e të konkludosh mbi to. Ka institucione edukimi jopublike, shkolla dhe universitete, që i kanë marrë përgjegjësitë e tyre ndaj problemit të shtruar. Studimet e mia personale por dhe në grup kërkuesish brenda dhe jashtë universitet, në plan kombëtar dhe ndërkombëtar, kanë dhënë një pamje të gjendjes.

Por, të gjithë e njohim mirë një parim funksionaliteti, është ligji dhe përpunimi mbi bazën e tij të politikës së institucionit, shprehur në dokumenta strategjike të zbatimit, monitorimit, ai që e bën realitet përgjegjësinë institucionale përballë publikut shqiptar dhe zhvillimit të vendit.

Po institucioni i edukimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës a e ka projektuar përgjegjësinë e saj ndaj këtyre zhvillimeve të mësipërme ndonëse realisht prej saj duhet të burojnë edhe idetë dhe praktikat e E-Qeverisjes në këtë të mirë të madhe publike siç është arsimi?

A u bë një refleksion, analizë dhe iniciativë ligjbërëse, mbi dy ligjet themelore, atë të arsimit parauniversitar dhe atë universitar pas përvojës së mësimit online?

A kemi ne një qasje të Arsimit Shqiptar me Etikën Digjitale?

Ku ta lexojmë këtë qasje përgjegjësie të institucionit qendror të politikës arsimore? A shprehet ajo në ligj, strategji zhvillimi afatmesëm e afatgjatë, kode etike institucionesh arsimore, apo në matricë veprimi zbatues dhe monitorues, kurrikul kombëtare dhe vendore, në aftësinë e veçantë të drejtuesve të përzgjedhur për institucionet arsimore, në koncept trajnimi burimesh njerëzore, në statistike zyrtare të arsimit që mat edhe këto sjellje jo të qëndrueshme, jo etike, në konceptim arkitekturor institucioni apo procedurash tenderimi për blerje patentash në E Edukimin?

Shqipëria duhet tí largohet dualiteteve në cilësi qeverisëse. Arsimi ka çfarë të këshillohet dhe asistohet nga E- Qeverisja, nga institucionet e drejtësisë apo ato arsimore jopublike për përfshirjen e Etikës Digjitale si standard i arsimit të shekullit 21, sidomos të një arsimi në kohë pandemie pa afat e që në çdo moment mund të na e sjellë sërish si parësor E- Edukimin. Pandemia, në mënyrë speciale, na detyron të “Të mësojmë si mësohet” dhe të rimendojmë kritikisht brenda sistemit dhe në ndërlidhje me institucione të tjera.

Ky vërtet është shekulli i aftësimit me kompetencën digjitale por mbi të gjitha është shekulli ku individi, komuniteti dhe shteti duhet të prihet nga respektimi i parimeve të Etikës Digjitale. Edukimi, sistemi arsimor, jo vetëm duhet të transformojë vetveten ndaj këtij standardi por edhe duhet tí prijë transformimit të vendit për këtë proces ku janë përfshirë gjithë zhvillimet globale. Ne kemi nevojë urgjente për një edukim transformativ.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Kujdes me titullin dhe drejtshkrimin . Shkruhet ‘ dixhitale ‘ . Ne gjuhen tone shkruhet ashtu sic shqiptohet . Shtypi dhe dokumentat zyrtare e kane detyrim te mos e shkelin gjuhen shqipe .

  • Po “Ervin Qerimi” me te drejte i ben verejtjen per “te foluren e shkrimin Shqip ,kesaj Majlindes qe eshte edhe vete mesuse ,se duke “mbjelle””fjale te tilla si ;”devijante” ,”live”e me radhe qe s’po i permend ketu ,ne nji shkrim , po ne nji leksion apo liber sa fjale te tilla te huaja ,qe e kane ”sozine” e tyre ne shqip mund te ” mbillen ?Dhe atehere librat duhen lexuar me fjalor te gjuheve te huaja perpara!Flisni dhe shkruani Shqip ,ju mesuesit te paret!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *