DURRËS – Në një ngjarje të paprecedentë që do të hyjë në historinë e rrjetit mbarë-botëror www, burime bregdetare bëjnë me dije se të enjten që lamë pas u shtyp për herë të parë butoni “Unë jam nën 18 vjeç”.
Siç të gjithë e mbajmë mend, kjo është një masë sigurie në Internet që kufizon aksesin në uebsajtet me përmbajtje të papërshtatshme për moshat e papërshtatshme.
“E dija që fare mirë mund të shtypja butonin “Unë jam mbi 18 vjeç” dhe të vazhdoja të shihja femra me dhe pa sutjena”, tha adoleshenti Maqo Lulelakra, 17 vjeç, autori legjendar i shtypjes së butonit, “por pastaj do ta kisha gjithë jetën time në ndërgjegje atë gënjeshtër”.
Djaloshi shtoi se përderisa ishte 17 vjeç e 9 muaj, ai mund të priste edhe 3 muaj për të qenë në rregull me ligjin.
“Ajo që më bëri përshtypje,” tha Lulelakra, “është se ai buton mezi shtypej. Unë e di që është komandë virtuale, megjithatë m’u duk sikur kishtë zënë ndryshk ngaqë nuk ishte përdorur kurrë”.
Duke vazhduar rrëfimin, Lulelakra sqaroi se për hir të së vërtetës, ai e shtypi butonin vetëm nga kurioziteti se çfarë do të ndodhte po të klikoje një komandë që nuk e ka klikuar askush ndonjëherë në historinë e internetit.
“Plus është edhe frika,” shtoi Lukelakra, “masat e sigurisë në internet janë shtuar shumë dhe s’kam ndërmend të përfundoj nëpër komisariate”.
Në të vërtetë, saktësojnë burimet bregdetare, në të njëjtën ngjarje po vetëm pak momente më vonë, ka qenë miku i Maqos, 17 vjeçari Servet Skifteri, ai që e shtyu mënjanë shokun e vet, u ul në kompjuter dhe shtypi butonin “Unë jam mbi 18 vjeç”.
Atë çast, në shtëpi hyri me vrull një skuadër policie e grupit të gatshëm anti-buton në policinë e Durrësit dhe e arrestoi kundërvajtësin.
Shënim: Gojët e Liga është rubrike satirike. Pra, e kuptoni që ngjarja e mësipërme s’ka ndodhur kurrë. Butoni “Unë jam nën 18 vjeç” vijon të mbetet i pashtypur.
