E RRALLË / Djaloshi i ashpër zbut katër keca të egër, njërin e quan Salih

redaktor

 

Ka marrë dhenë lajmi i ditëve të fundit, që bën fjalë për një djalosh nga malësitë e Shqupit të Epërm i cili ka marrë guximin të zbusë dhe të bashkëjetojë me katër keca të egër.

I riu malësor quhet Lulrrafsha Mosuvrafsha dhe është shndërruar në personazhin e mediave të Tiranës dhe agjencitë ndërkombëtare.

“Ndodh shpesh që gjatë dimrit, në zonat tona të vijë keci deri në derën e shtëpisë, për të kërkuar ushqim. Shumë njerëz i kanë frikë, por nëse i trajton mirë dhe u tregon dashuri, kecat dinë të ta kthejnë po njësoj,” thotë i riu.

Ai shpjegon se egërsirat i kapi duke i joshur me mish gici.

“Unë i pashë teksa endeshin të uritur në rrethinat e fshatit Shqup. U ofrova mishin e gicit dhe ata vrapuan në drejtim të kundërt, të neveritura nga era. Unë ofro dhe ata vrapo, derisa hynë në oborrin e shtëpisë sime,” thotë Lulrrafsha.

Siç dihet, bashkëjetesa me kecin është e rrezikshme pasi kjo kafshë plot 5 kilëshe mund të të shpojë me dy brithat e vegjël, ose të të godasë me kokë kur inatoset.

Por Shqupasi i ashpër nuk i druhet dhunës kecore dhe sqaron se mjafton t’i shprehësh dashuri dhe ta ushqesh me pak bar të njomë të përzier me patatina, dhe keci bëhet miku yt më i mirë.

I pyetur pse zgjodhi të zbusë pikërisht kecin, Shqupasi thotë se gjithmonë e ka tërhequr kjo bishë krenare.

“Pastaj, keci kur rritet bëhet dhi, ose në rastin më të keq, cjap. Brirët e dhisë janë edhe në kapelen e Skënderbeut, sic kemi parë nga fotografitë dhe videot e vjetra të mesjetës. Gati gati, të duket sikur je duke ushqyer vetë Skënderbeun”, analizon Lulrrafsha.

Madje në një prononcim për agjencinë QN, djaloshi shpjegoi pse kecit më të dashur i ka vënë dhe emër.

“E kam quajtur Salih. Ka dëgjuar se edhe Skënderbeu i tanishëm në Tiranë, Salihu i Madhërishëm, dikur ka lozur me dhi e keca në fëmijëri, dhe kjo e ndihmoi të bëhet gjigandi që njohim të gjithë”.

“Kur të rritem, shpresoj që edhe unë t’i ngaj atij”, përfundoi djaloshi.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike, mjedisore dhe ekologjike, pro kecave dhe egërsirave të tjera që rriten të lira në natyrë.

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *