E rrallë: Nazistët që vunë yllin e kuq

Dita

Nga Alqi Koçiko

 

Mund të tingëllojë e pabesueshme, aq më tepër që si në dokumentet zyrtare të historiografisë zyrtare për luftën nacional-çlirimtare shqiptare, ashtu dhe në dokumentet e Vermahtit për Shqipërinë, nuk përmenden fakte të tilla. Megjithatë, disa dokumente më parë të arkivuara nën siglën “sekret” në arkivën qëndrore të ushtrisë, flasin për “partizanë gjermanë” në Shqipëri, një temë kjo e errët dhe e paqartë, mbi të cilën tentojmë të hedhim dritë me këtë sprovë. Në fakt, vetë përdorimi i termit të mësipërm në disa dokumente të kohës, nënkupton ndarjen e kësaj kategorie nga robërit gjermanë të luftës, të cilët përmenden gjithashtu në një sërë dokumentesh të drejtuesve ushtarakë partizanë shqiptarë. Fati i këtyre të fundit ishte i ndryshëm nga ai i partizanëve, çka është rrëfyer herë pas here edhe nga dëshmitarë të kohës. Por përveç kësaj, mister mbetet, megjithë rrëfimet e disa personazheve, fati i një koloneli gjerman.

“Lejohen me kalue kufinin shqiptaro-jugosllav, nga ana e Strugës për të shkuar në Beograd (Jugosllavi), partizanët gjermanë të poshtëshënuar, mbasi do të riatdhesohen. Autoritetet ushtarake të mos 11 nxjerrin pengesa në kalimin e kufinit…”, dhe dokumenti i Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare shqiptare, me numër 67 të regjistrit, nga fondi i kabinetit ushtarak me firmën e shefit të këtij kabineti, major Sadik Bekteshi në datën 18.8.1945, përmban emrat e 15 partizanëve gjermanë për t’u riatdhesuar.

f1Një dokument i bashkëngjitur, bashkë me listën e emrave, gjeneralitetet dhe origjinën, përmban shënimin se “partizanët e lartpërmendur i kanë dokumentet në misionin ushtarak sovjetik”. Këto emra të partizanëve gjermanë vijnë nga formacionet e brigadave VIII, XIV, XIX partizane shqiptare, por edhe nga trupat e ushtrisë partizane greke, ELAS, që kanë kaluar në përbërje të “nacionalçlirimtarëve” tanë. Një tjetër “lejekalimi” në frëngjisht, me qëllim riatdhesimi, është firmosur nga majori Bekteshi, për një tjetër listë prej 16 partizanësh gjermanë. Nëse historitë dhe aventura e partizanëve italianë (të cilët krijuan edhe një batalion krejt të tyrin, me emrin e komunistit italian Antonio Gramshi) në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore është e njohur, “partizanët nazistë” kanë mbetur në hije, qoftë dhe për numrin e pakët të tyre, ashtu si dhe për vetë konceptin e pazakontë.

1Megjithatë gjithçka është e vërtetë. Fjala është për ushtarë gjermanë që dezertuan pas gjysmës së dytë të vitit 1944 nga armata gjermane, që pranuan ta presin fundin e luftës në rradhët partizane. Nga ana tjetër, është fakt që këta ushtarakë “gjermanë” në shumë raste ishin të nacionaliteteve austriake, çeke apo edhe armene: Në shumë raste, dokumentet e kohës bëjnë fjalë për “ermenë” të zënë rob apo të dorëzuar tek partizanët. Dokumentet dhe raportet e Vermahtit, deri tani nuk kanë zbuluar ndonjë dukuri “partizane”: Aty flitet vetëm për sulmet partizane ndaj “bishtave” të kolonave gjermane dhe robërve të zënë në këto raste, por jo për dezertime të qëllimshme e të mirëfillta. Sa për robërit, ekziston një dokumentacion jo i paktë me lista nazistësh që forcat partizane ditët e fundit të luftës dhe pas çlirimit, i kanë futur në punë si forcë krahu. Ky destinacion kuptohet qartë në shkresën 466, Tiranë, 19.9.1945, të firmosur nga shefi i kabinetit ushtarak të Komandës së Përgjithshme Sadik Bekteshi: “Bashkë me këtë shkresë ju dërgojmë të quajturin Kurt Kronberg, rob lufte gjerman, i cili të mbahet pranë asaj komande bashkë me robërit e tjerë të luftës, mbasi do të dërgohen në punë”.

Në fondin arkivor të Brigadës XX më 14 tetor 1944, komisari politik i kësaj brigade Misto Treska informon udhëheqjen e ushtrisë shqiptare se: “Të shtatë gjermanët, listën e të cilëve bashkangjitur u’a përcjellim, janë kapur në aksionin e datës 11 tetor në afërsitë e Xhyrës. Këta bënin pjesë te një autokolonë prej dhjetë makinash të shoqëruara nga tri autoblinda që vinin prej Librazhdit në Strugë. Janë dorëzuar pas një lufte të rreptë. Siç ju lajmëruam fonografisht, këta bënin pjesë në batalionin “Feldersaz” të Divizionit të këmbësorisë 297”. Dhe ai vazhdon: “Lajmërohemi prej Batalionit II, se janë dorëzuar atje gjithsej 6 ermenë me armë, si vullnetarë për të luftuar”. Mbrapa kësaj shkrese vjen lista me të gjitha gjeneralitetet përkatëse të ushtarakëve gjermanë, ku jepen të dhënat e 5 gjermanëve robër të dezertuar dhe veças të 20 gjermanëve të kapur robër.Të dezertuarit janë nga Vjena, ndërsa të kapurit rob janë 80% me profesion punëtorë dhe bujqër.

Në një listë të robërve gjermanë që ndodhen në repartet e Ushtrisë Kombëtare, përfshihen

9 vetë në Komandën e Qarkut të Durrësit dhe 64 të tjerë në Komandën e Qarkut të Peshkopisë. Kjo listë e gjatë ka të dhëna të sakta për vendlindjen e të tjera, plotësime njohëse.

Dokumenti më përmbledhës për partizanët gjermanë vjen nga fondi i Shtabit të Përgjithshëm, dosja 190, viti 1945, me përmbajtjen: “Lista e partizanëve gjermanë që kanë qenë në Shqipëri”. Në të dhënat e këtyre listave për çdo kolonë përkatëse jepen emrat dhe mbiemrat për 30 vetë, në listën tjetër për 50 vetë dhe në vijim pasojnë datëlindjet, mbiemri familjar, feja, data e ardhjes në Shqipëri, funksionet që ka kryer në Shqipëri, i martuar dhe a ka patur fëmijë etj.

2Por një mister më vete përbën odiseja e një koloneli gjerman, fotografia e të cilit duke parakaluar në qendër të Tiranës në 28 nëntor 1944, figuron në revistën “Ngjarja e muajit” të janarit 1945, botim i zyrës informative të qeverisë amerikane, nën diçiturën: “Në çdo vend ka njerëz fisnikë, ndjenja e drejtësisë e të cilëve qëndron përmbi çdo pasion edhe atëherë kur vendi i tyre bën ndonjë padrejtësi. Shqipëria ka njohur disa njerëz të tillë, që duke u larguar nga bashkëkombësit e tyre, u bashkuan me ata që luftojnë për demokraci dhe për liri. Këtu sipër shihet një kolonel gjerman që luftoi me ushtrinë nacionalçlirimtare shqiptare, duke përshëndetur shokët shqiptarë të luftës”. Kush është ky kolonel “fytyra e të cilit është ‘prishur’ për arsye sigurie të familjes së tij në Gjermani”, siç thotë në vazhdim diçitura?

Nuk janë të shumta historitë e rrëfyera pas viteve 90-të nga dëshmitarë e protagonistë të luftës, që kanë në qendër kolonelë gjermanë. Një prej tyre, e paqartë sa i përket autorësisë, flet për një kolonel gjernan të zënë rob bashkë me disa ushtarë gjatë një aksioni të Myslym Ketës, atentatorit të njohur guerrilas, në mesin e shitatorit 1943, por nuk ka të dhëna të mëtejshme për fatin e këtij koloneli. Ngjarja tjetër vjen një vit më vonë kur në skajin jugor, Sarandë, partizanët shqiptarë kapin rob komandantin ushtarak nazist të ishullit të Korfuzit.

Për këtë rrëfen edhe ish partizani Ihsan Budo, eksponent komunist i zonës, i dënuar në vitin l956. Sipas Budos, gjithë garnizoni gjerman i Korfuzit kishte marrë urdhër për të lëshuar ishullin, dhe koloneli përgjegjës i ngarkoi trupat në dy anije ndërsa vetë me pak shoqërues, mbërriti në Ksamil. Pa e ditur se Saranda ndërkohë e çliruar, ishte në duart e partizanëve, ai u kap rob në Qafën e Gjashtës nga forcat e batalionit 1 të Brigadës 14. Ushtarakët anglezë të pranishëm në qytet, u habitën nga ky sukses i papritur dhe “na propozuan që në këmbim të kolonelit të na jepnin të gjithë robrit që kishin zënë në dy anijet gjermane”. Por sipas Budos, Shtabi ynë i Përgjithshëm dha urdhër që jo vetëm të mos e pranohej oferta angleze, por të shërohej plotësisht komandanti i plagosur.

Koloneli u mor në pyetje nga Islam Radovicka, komandant i Shtabit të Zonës së Parë Operative, dhe u shoqërua drejt qendrës, pra Shtabit të Përgjithshëm. Budo sqaron se pas kësaj nuk mësoi asgjë për fatin e ushtarakut të lartë, që në fakt ishte austriak nga Vjena, deri “në vitin 1978, kur ndërsa isha i burgosur në Ballsh, bashkë me Shyqyri Këllezin, Ali Kubatin, Lola Manon, Edip Ohrin, Andon Shetin, ky i fundit më tha se më pas koloneli gjerman ishte dërguar në Berat, dhe prej andej e kishin transferuar në godinën e Gardës nëTiranë.

Një ditë ai ishte arrastisur, pasi kishte gënjyer me një orë dore rojen, efektiv i Gardës. Udhëtonte natën dhe flinte ditën. Kështu kishte mbërritur në Vlorë dhe, ndërsa përpiqej të kalonte tunelin e Ujit të Ftohtë ishte ndeshur me një gardist nga Dukati, i cili kishte njoftuar forcat e Degës së Punëve të Brendshme. U kap dhe u pushkatua nga gjyqi ushtarak”. Një informacion plotësues vjen nga nacionalisti Xhemal Alimehmeti, i cili në fillim të vitit 1945 kishte qenë i burgosur në burgun politik të Tiranës. Në një rrëfim të pas viteve 90-të për “Gazetën Shqiptare”, ai pohon se “atëherë burgu i Tiranës ishte një mozaik kombesh dhe popujsh, ku kishte gjermanë, italianë, polakë, hungarezë, bjellorusë etj. Nga gjermanët binte në sy një kolonel që gjatë luftës kishte shërbyer si Guvernator i Korfuzit…”.

A është ky koloneli gjerman që pasi u zu rob, e detyruan të parakalojë me rastin e hyrjes së qeverisë së re në Tiranë, si për vulosur triumfin e partizanëve shqiptarë? Çdo konkluzion i nxjerrë do të ishte ekzagjerues dhe i pambështetur, ndërkohë që çuditërisht për këtë çështje nuk është folur edhe më vonë. Ajo që ka kemi mundur të gjejmë, është emri i kolonelit gjerman që drejtonte trupat në ishullin e Korfuzit gjatë vitit 1944. Ai quhej Emil Jaeger. Ironikisht, ky kolonel do mbetet në histori si ndër shumë të paktët ushtarakë nazistë që penguan me sa kishin në dorë, deportimin e hebrenjve të ishullit drejt kampeve të përqëndrimit.

Përveç partizanëve të riatdhesuar, gjermanët edhe pas luftës kanë vazhduar të kërkojnë shokët e tvre të humbur në Ballkan si robër lutte, për të cilët ende nuk kishin marrë asnjë lajm. Për këtë flet edhe numri 7 i gazetës “Ushtari gjerman” (“Deutsche Soldaten-Zeitung”) i korrikut 1956, në faqen 11 të së cilës jepet informacion për një takim të veteranëve të mbijetuar të divizionit 297 të Këmbësorisë, që ka luftuar në Shqipëri:

“Më 26 shkurt u bë në Vjenë takimi i parë i këtij lloji pas luftës, i ish-pjesëtarëve të Divizionit të infanterisë 297. Nga të gjitha pjesët e Republikës federale dhe nga të gjitha provincat federale të Austrisë kishin ardhur në Vjenë, luftëtarët e vjetër të Lindjes dhe të JugLindjes të këtij Divizioni, për t’u parë përsëri 11 vjet pas përfundimit të luftës, për të kujtuar shokët e rënë dhe për të sqaruar fatin e përmbi 7000 të humburve…”. Takimi tjetër ka për t’u bërë në nëntor të vitit 1956 në Augsburg. Në vjeshtë botohet një libër mbi luftimet e çetave në Shqipëri, ndërsa takimi tjetër i pjesëtarëve të Divizionit 297 u njoftua në gazetën “Ushtari gjerman” në qershor 1957, për datat 6-7 shtator në Vjenë”.

 

****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Share This Article
7 Comments
  • Vallahi edhe Hitleri vete te kishte ardhur ne Shqiperi do te ishte bere komunist, pa le po ta kishin lene vetem me Nexhmijen nja dy ore, do behesh me nje here aleat me Bashkimin e Lavdishem Sovjetik.

    • Te drejte ke se edhe jot eme sa ishte ne internim u be shume komuniste duke provuar hallatet e brigadierve te kooperatives ne rreze te mullareve dhe ku u POLLE ti nje KRRIC GOMARI!

      • Nuk ke perse e ben kaq te qarte qe je i pasjellshem dhe i paedukuar. Po mire po e zeme se ajo qe thua ti per time me eshte e vertete, por nuk shof ndonje ndryshim te madhe nga jot eme, ish shefe kuadri ne Degen e Brendshme te Bulqizes qe meqe ISHTE komuniste ua merrte ne goje hallatet atyre oficereve dhe pastaj nxorri nga bytha nje debil si puna jote.

    • sa të dush!
      e ke parasysh atë historinë me ariun lali!!
      “o bab e kapa ariun(balli kapi gjermonin)”
      “sille këtu or bir”
      “se sjell dot or bab”
      “atëherë lëshoje or bir”
      “po smë lëshon ariu(gjermoni)or bab”
      “atëherë pse s’thu që të paska kap ariu ty e jo ti ariun?”
      kështu berto,ballistëk kapën shumë e shumë gjermon,pranej në fund të luftës ikën me ta!!

      • more intiligenta ;;;; vetem shaheni ;;;;pak kulture ;;enveri sju a la ;;;shqiptare qe ju bashkuan gjermanit ;;;;; e bene sepse nuk donin rracen e keqe te bilshevikeve ;;;; dhe kroatet bosnjake ju bashkuan gjermanit se nuk donin bashkimin ne serbet dhe bolsheviket ;;;dhe sa per komunistat ;;;;;jane bajgat e botes ;;; shurra e demokracies ;;; ; ata qe se kuptojne akoma jane lope;;; ose ;;;;;;;;

  • The Schirmer inheritance eshte nje roman I Eric Ambler. Flet per nje ushtar gjerman ne Greqine veriore qe u bashkua me Elas dhe u be komandant guerril gjate Luftes civile. Ne fund perfundoi ne Shqiperi dhe u kthye ne Gjermani. Eshte histori e lezetshme sesi njeriu I pershtatet rrethanave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *