E thellë dhe e plotë si një oqean!

Bora Basholli

Në jetë edhe Zoti,

shpesh ta kthen kurrizin,

nëna me babanë,

kurrë s’të braktisin!

Bilës edhe kafshët,

e kësaj natyre,

nuk i kanë braktisur,

kurrë pjellat e tyre!

Veç kjo mund të quhet,

dashuri e plotë,

e vetmja që s’ka,

krahasim në Botë!

Dashuritë siç ndizen,

fiken përsëri,

vetëm prindërorja,

është një siguri!

Të ndjek që nga djepi,

gjersa bëhesh burrë,

kryedashuria,

që s’kërkon gjë kurrë!

Ti gjen një të huaj,

dhe të do vërtetë,

po jo si ata,

që të prunë në jetë!

Askush s’ta fal dot,

këtë dashuri,

se zemra e prindit,

më shumë rreh për ty!

Rreh më shumë për ty,

në udhët e gjata,

dashuri e vetme,

që s’bën deklarata!

Betime e fjalë,

ajo s’i duron,

e vetmja në jetë,

që s’na tradhëton!

Është si oqeani,

e thellë dhe e plotë,

asnjë fëmijë prindit,

s’i’a ka kthyer dot!

Dhe unë-si të tjerët,

të më kthehet s’pres,

po kjo përsëritet,

nga brezi në brez!

Bijtë tanë që dot,

s’na kthejnë nektarin,

as nga bijtë e tyre,

dot nuk do ta marrin!

Dashuri pa fund,

në jetë kam dhuruar,

por s’e fala kurrë,

për t’u kompesuar!

Jo veç nga ata,

që linda e rrita,

po nga askush tjetër,

të më kthehej s’prita!

Asgjë barabar,

s’të kthehet në jetë,

aq më shumë kur je,

dhe prind dhe poet!

Veç për dashurinë,

nuk mund të pendohesh,

sa më shumë të falësh,

më shumë pasurohesh!

Përditë e përditë,

pa fund kam dhuruar,

dhe gjithnjë jam ndierë,

më i plotësuar!

Sepse është e vetmja,

vlerë e shpirtit ton’,

që të bën të pasur,

veç kur e dhuron!

Arben Duka

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *