E nderuara redaksi, në numrin e datës 26 mars 2016, në gazetën tuaj është botuar artikulli me titull: “Izolimi i Vito Kapos pas vdekjes së të shoqit”. Vëmëndje më tërhoqi pjesa me nëntitull: “Rrëmbimi i polakut Mijal dhe një episod me Llambi Peçinin”. Nuk kam ndërmend të polemizoj me burimin e këtij informacioni, por dua të sqaroj mbi ngjarjen lidhur me këtë çështje.
Në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kam punuar si diplomat në Ambasadën tonë në Varshavë dhe aty jam njohur me praktikën e arratisjes së Kazhimiezh Mijalit nga Polonia në Shqipëri. Ai nuk u “rrëmbye nga burgu”, sepse Mijali nuk ishte as i arrestuar dhe as i burgosur. Ai u pajis me një pasaportë diplomatike të një korrieri diplomatik shqiptar të M.P.Jashtme (jo Llambi Peçini, por një person tjetër), që ishte dërguar posaçërisht me këtë mision në Varshavë. Ngjarjen dhearsyet e arratisjes së tij në Shqipëri e përshkruan vetë Mijali në intervistën që i ka dhënë revistës polake “Shteti i Ri”, botuar në Nr. 30 të saj, datë 27 korrik 2001. Të plotë këtë intervisë të përkthyer në shqip e kam botuar në “Gazetën Shqiptare” të datës 20 shkurt 2002. Po jap vetëm pjesën ku Mijali flet si u realizua kjo arratisje:
“Në atë kohë [viti 1966] shokët e Komitetit Qëndror më njoftuan se nëse do të qëndroja më gjatë në Varshavë, më priste arrestimi i sigurt. Në atë kohë Ambasada shqiptare në Varshavë më pajisi me pasaportë diplomatike dhe më 13 shkurt 1966 unë u nisa për në Berlin nga stacioni qëndror hekurudhor i Varshavës. Kisha me vete vetëm një çantë të vogël dore. Në kufirin polako-gjerman më penguan, sepse në pasaportën time rezultoi një gabim që kishin bërë ata të Ambasadës shqiptare të Varshavës, të cilët nuk më kishin dhënë formularin që ishte i nevojshëm për kalimin e kufirit. Në kufi unë iua shpjegova në rusisht se nuk kisha patur asnjë lloj formulari dhe pastaj ata më lejuan të kaloja. Nga Berlini Lindor, ambasadori shqiptar më shoqëroi për në Berlinin Perëndimor dhe prej andej fluturova për në Paris. Kur mbërrita në kryeytetin francez, atje ishte shumë ngrohtë dhe, me veshjen që kisha unë, dukesha sikur vija nga Poli i Veriut, prandaj shqiptarët më blenë një pardesy, të cilën e kam edhe sot e kësaj dite. Mbas dy ditësh qëndrimi në Paris, unë fluturova për në Romë dhe prej andej, nga Brindizi për në Durrës udhëtova me vapor. Kjo është e gjitha se si u largova unë nga Polonia për në Shqipëri”.
Letër e nënshkruar,
Leonard Zissi
