Pak ditë më parë zvëndësministri i Energjetikës mohoi akuzat se Qeveria po i shet me çmim të lirë katër hidrocentralet në privatizim. Zoti Dervishi e krahasoi çmimin me disa raste të ngjashme privatizimesh në vendet e tjera, mes të cilëve edhe një në Turqi.
“Nëse do t’i referohemi hidrocentralit Kodova 1 dhe Kodova 2, i privatizuar për vlerën prej 56,08 milionë euro, fuqia e instaluar 59.5 megavat orë, vlera mesatare e privatizimit për megavatorë 943 mijë euro”, tha Dervishaj, në një prononcim të datës 16 janar.
Në fakt zvëndësiministri i referohet hidrocentralit të Kovadës, ndonëse e shqipton gabimisht Kodova. Ky hidrocentral ishte pjesë e një liste me 50 HEC-e që Qeveria turke privatizoi në vitin 2010. Në të njëtën listë ka edhe hidrocentrale, të cilët janë shitur me 52.7 milionë dollarë për megavat të instaluar, siç dëshmon një artikull i prestigjozes “The Economist”.
Sipas të dhënave të autoritetit turk të privatizimeve, në total fuqia e instaluar e 50 HEC-eve ishte 134 mega dhe cmimi mesatar që Qeveria turke arkëtoi nga to ishte 2.8 milionë euro për mega. Shifra është 2 herë më e lartë nga çmimi me të cilin Qeveria shqiptare po ia shet katër hidrocentralet kompanisë ‘Kurum’, e cila për koicidencë vjen pikërisht nga Turqia. Madje nëse nga çmimi i shitjes së Ulzës dhe dy Bistricave do të zbriteshin dhe 23 milionë euro kredi, që janë marrë për rehabilitimin e tyre, por që qeveria ja ngarkoi KESH-it për shlyer diferenca shkon ne 2.4 herë.
Por këto nuk janë argumentet e vetme që rrëzojnë pretendimet e Ministrisë së Ekonomisë. Krahasimi vetëm me çmimin e arkëtuar është i paplotë, nëse nuk merr parasysh edhe tarifat me të cilat hidrocentralet private ja shesin energjinë qeverisë. Përgjithësisht të gjitha Qeveritë zbatojnë politika nxitëse për energjinë e rinovueshme duke e blerë atë me çmime preferenciale. Këto çmime ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Në Turqi, qeveria turke ja blen energjinë hidrocentraleve private me 5.5 cent të euros për kilovat, që e konvertuar në lekë do të thotë 7.7 lekë për kilovat. Qeveria shqiptare i paguan privatët 18 për qind më shumë, pasi e blen energjinë e tyre me 9.2 lekë për kilovat. E thënë ndryshe, ‘Kurum’ i bleu hidrocentralet në Shqipëri 2 herë më lirë se sa çmimi në vendin e saj të origjinës dhe ka garancinë që ta shesë energjinë që do prodhojë nga to rreth 18 për qind më shtrenjtë se në Turqi. Krahasimet e zëvendësministrit, më shumë se justifikime për Qeverinë konfirmojnë të kundërtën, atë që privatizimi i katër hidrocentraleve ishte biznes me fitim për privatin, por me humbje për Qeverinë dhe qytetarët./tch