David Becker, një fotograf i “Getty Images” po fotografonte koncertin e muzikës country në Las Vegas, ku e gjeti veten mes sulmit më të përgjakshëm me armë në historinë e Amerikës.
Ai zuri një kënd ku ishte i mbrojtur nga të shtënat që zgjatën rreth 20 minuta dhe filloi të fotografonte skenat e tmerrit, duke bërë kështu disa nga fotografitë më prekëse të kohëve të fundit.
Becker pa një numër të madh njerëzish të panjohur që vraponin të tmerruar, mori kamerën dhe filloi të fotografonte të rinjtë që qanin, kërkonin familjarët të dëshpëruar, apo që shtriheshin të pajetë në tokë.
“Ndërsa disa grupe njerëzish filluan të ndihmonin njëri-tjetrin, të tjerë vrapuan për të shpëtuar. Po përpiqesha të kapja çdo gjë që lëvizte, ishte vërtet e vështirë të gjendeshe mes asaj që po ndodhte.” rrëfen ai.
Becker fotografoi pamjen më rrënqethëse të sulmit të përgjakshëm në Las Vegas. Një burrë që duket se ishte duke mbrojtur me trupin e tij bashkëshorten.
Fotografi ka rrëfyer se ai u qëllua, por se ia doli të shpëtonte dhe të largohej së bashku me të shoqen. “Pak momente më vonë të dy mblodhën forcat e u ngritën. Nuk e di nëse ajo është plagosur, por ishte shumë e qartë se ai ishte duke e mbrojtur me trupin e tij”.
Ishin pikërisht fotot e tij ato që mbushën rrjetin ditën e djeshme, dhe i treguan mbarë botës “fytyrën e përgjakshme” të masakrës në qytetin e kazinove.