E vërteta vonon, por nuk harron

redaktor

Përshëndetje DITA. Kemi ndjekur me vëmendje pesë kërkesat e “të përndjekurve politikë” të futur në grevën e urisë. Ne i respektojmë te drejtat e tyre madje edhe për t’u vetëflijuar për të përfituar diçka në këtë kohë krize, megjithëse mendojmë se vetëflijimi është një gabim i rëndë dhe i dënueshëm, sepse për ne, komunistët, njeriu është kapitali më i çmuar.

Por ne iu bëjmë thirrje këtyre ish-të persekutuarve që, përpara se të hyjnë në grevë urie, të shkojnë në gjykatë dhe të marrin vendimin e pafajësisë, sepse akoma nuk kanë pastruar veten e tyre nga akuzat me të cilat janë dënuar. Edhe brezat që do të vijnë do t’i quajnë hajdutë ish-të përndjekurit politikë, pasi marrin para nga taksapaguesit shqiptarë pa marrë pafajësinë. Në gjykata do të gjenden edhe dosjet e atyre kriminelëve që mund të kenë dhënë dënime të gabuara, gjenden fajtorët e këtyre dënimeve dhe vërtetohet nëse janë vërtet të përndjekur politikë. Në këtë rast qëndrimi ynë është i prerë: Të ndalohet një herë e përgjithmonë kjo maskaradë e iniciuar nga Sali Berisha që fabrikoi dhjetëra mijëra gjoja të përndjekur, duke futur në të njëjtin thes si të dënuarit për krime politike, ashtu edhe ata që në të vërtetë dënimin kryesor e kishin për arsye ordinere, dhe akuzën politike vetëm si shtesë. Pa u ndarë përfundimisht të dënuarit politikë nga ato ordinerë, nuk do të ketë drejtësi edhe për vetë kauzën e të përndjekurve.

Për sa i përket dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, flini gjumë se nuk i hapni dot, por aq më mirë nëse do të mund t’i hapni. Atje do të dalë se në këto gjyqe jeni të përfshirë edhe ju si dëshmitarë të njëri-tjetrit, spiunë apo 80-lekësha. Për ironi të fatit, mund të rezultojë se pikërisht antikomunistët e sotëm apo të persekutuari e djeshëm mund të kenë qenë edhe denoncuesit më të mëdhenj dhe shërbëtorët më të zellshëm të organeve të diktaturës së proletariatit.

Për sa i përket daljes jashtë ligjit të komunistëve, ne iu themi se nuk kemi frikë as nga kërkesat tuaja, megjithëse ne do të na bënte nder një vendim i tillë, sepse do të motivoheshin më shumë në aksionet politike në ilegalitet për të demaskuar klasën politike dhe tradhtarët e vendit.

Nga ana tjetër, ne mbështesim pa rezerva grevën e shoqatës së të larguarve nga puna dhe dënojmë ashpër çdo largim nga puna të njerëzve të aftë dhe të kualifikuar.

Dhe ndërsa Shqipëria po zhytet thellë e më thellë në krizën më të thellë ekonomike të dy dekadave të fundit, ndërsa shqiptarëve po u shkon përditë e më shumë thika në palcë, në Kuvendin e Shqipërisë kusarët dhe barbarët hidhnin baltë mbi Enver Hoxhën. E kanë të kotë. Sa më shumë të shajnë e të hedhin baltë mbi të kaluarën, aq më shumë populli do të kuptojë dallimin e madh mes këtyre pseudopolitikanëve dhe Enverit. Sa më shumë të zhyten në batakun e hajdutllëkut ordiner, aq më shumë afron ora e ndëshkimit. E vërteta vonon, por nuk harron.

 

Marko Dajti

Kryetari i Partisë së Punës të Riorganizuar

 

Share This Article
1 Comment
  • Marko Dajti: Kot i thuani vehtes se jam kryetar PPSH.Realisht eshte Edvin Kristaq Vlash Rama.Kush e ka zerin e popullit qe nga viti 1942.Tre emra kan kaluar komunistet,po zerin e popullit e kan mbrojtur me fanatizem.Duhet te hapen dosjet edhe pse u pastruan nga komunistet vitin e pare te pluarizmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *