Pas një takimi dyditor në Gjenevë, Komiteti Emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se epidemia Ebola në Afrikën Perëndimore është një “emergjencë e shëndetit publik me interes ndërkombëtar”. OBSH e ka bërë këtë deklaratë pak herë në historinë e saj, një prej tyre ka qenë kur virusi SARS goditi Azinë. Kjo deklaratë emergjente bëhet kur ka një ngjarje të jashtëzakonshme, që paraqet rrezik për shëndetin e popullsisë së shteteve të tjera dhe kërkon një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare. Pavarësisht se gjendja është e rëndë, OBSH konsideron se nuk mund të kufizohet përhapja e virusit, por u kërkon vendeve të ekstremizojnë kontrollet në dalje të aeroporteve, të monitorojnë çdo rast ethesh të pashpjegueshme. Komiteti i Emergjencave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjithashtu dekurajon çdo udhëtim kombëtar dhe ndërkombëtar të personave të prekur nga Ebola. OBSH u bën thirrje të gjitha vendeve që ende nuk kanë regjistruar asnjë rast, që të marrin të gjitha masat dhe të jenë të përgatitur për evakuimin dhe riatdhesimin e shtetasve të tyre, të cilët kanë qenë të ekspozuar ndaj virusit. Komiteti i Emergjencave realizoi një konferencë për të vlerësuar situatën e shkaktuar nga shpërthimi i Ebolas në Afrikën Perëndimore, ku numri i njerëzve të prekur i kalon 1700 dhe numri i të vdekurve arrin deri në 1000 që nga muaji mars. OBSH pranon se kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe gjithashtu pranon se pasojat e mundshme të zgjerimit ndërkombëtar janë serioze duke pasur parasysh virulencën e virusit dhe mënyrën intensive të transmetimit për shkak të dobësisë së sistemeve shëndetësore në vendet më të prekura (Guine, Liberi, Sierra Leone dhe Nigeri). Prandaj rekomandohet që vendet që kanë raste të transmetimit të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare. SHBA tashmë ka deklaruar gjendjen e gatishmërisë shëndetësore në vend dhe i ka këshilluar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në vendet e prekura. Agjencia e Shëndetit në OKB-së pranon se disa faktorë kanë favorizuar përhapjen e sëmundjes në nivelet aktuale. Midis tyre është edhe deficiti në sistemet shëndetësore të këtyre vendeve, mungesa e përvojës në trajtimin e virusit dhe lëvizjet e mëdha gjeografike të popullsisë në zonën kufitare mes tre vendeve. Në deklaratën e saj, OBSH njeh gjithashtu numrin e jashtëzakonshëm të rasteve të regjistruara në mesin e punonjësve të shëndetësisë dhe thekson nevojën që vendet më të prekura të kenë furnizim adekuat me pajisje mjekësore, kryesisht pajisje personale mbrojtëse, teknikë laboratori, pastrues. Në këtë drejtim, rekomandon autoritetet e këtyre vendeve afrikane që të marrin një pozicion udhëheqës dhe të sigurojnë që praktikat e morgut të kryhen nga personel i përgatitur. Ebola shkaktohet nga një virus që transmetohet kryesisht nëpërmjet kontaktit me lëngjet dhe sekrecionet e pacientëve të infektuar, por edhe trupat e tyre. Perioda e transmetimit varion nga dy deri në 21 ditë dhe vdekshmëria shkon mes 50- 90%. /Përgatiti: Ornela Jaupi
