Virusi Ebola po vazhdon të përhapet në mënyrë të shfrenuar në Afrikën Perëndimore. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi në Gjenevë se që nga e diela e javës së kaluar janë raportuar 57 raste të reja vdekjeje. Po ashtu OBSH-ja njoftoi se deri tani me virusin vdekjeprurës janë infektuar gjithësej 1.323 vetë dhe 729 prej tyre kanë vdekur. Duke pasur parasysh rastet e reja të infeksioneve të vazhdueshme situata në vendet e prekura, Guinea, Liberia dhe Sierra Leone, vazhdon të jetë “e mprehtë”, tha OBSH.
Pavarësisht përhapjes së rasteve të sëmundjes OBSH-ja theksoi në të njëjtën kohë që për momentin nuk rekomandon kufizime për udhëtime në shtetet e prekura, ose kufizime në tregtinë me këto shtete.
Sierra Leone shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Nisur nga përhapja e vazhdueshme e virusit Ebola në Afrikën Perëndimore edhe Sierra Leone shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në nivel kombëtar. Presidenti Ernest Bai Koroma synon një paketë masash për të penguar përhapjen e epidemisë. Kështu zona të tëra në lindje të vendit pritet të shpallen zona karantine. “Gjendja ka dalë jashtë kontrollit”, thotë Mariano Lugli, koordinator i Mjekëve pa Kufij në Gjenevë. Virusi nuk mund të ndalet dhe autoritetet shëndetësore lokale janë të krejt të mbingarkuar.
Vendi fqinjë i Sierra Leones, Liberia e kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme që fundjavën e kaluar.
Thirrje për ndihmë ndërkombëtare
Drejtuesi i projekteve ndërkombëtare pranë organizatës humanitare “Dhurata Shprese”, Reinhard Scheumann, i bëri thirrje komuniteti ndërkombëtar që të bashkojë forcat për të përballuar krizën e kësaj sëmundjeje. “Përgjegjësia për të kapërcyer këtë katastrofë nuk mund t’u lihet vetëm disa OJQ-ve të pakëta,” tha Scheumann.