Rreth tre orë ecje e shpejtë në javë ose me biçikletë, do të na mbronte nga sëmundjet e zemrës. Ky është konkluzioni i një raporti të hartuar nga një grup mjekesh në Britaninë e Madhe, i publikuar në “Gazetën mjekësore britanike”. Në këtë studim, ku janë vëzhguar 340 mijë pacientë, thuhet se aktiviteti fizik, qoftw ky dhe i limituar, do të ndihmonte njerëzit që të shmangnin ilaçet për sëmundjet kardiovaskulare.
Studimi thekson se kryerja e ushtrimeve fizike në mënyrë të rregullt mund të reduktojë me 50% edhe sëmundje të tjera vdekjeprurëse, si kanceri apo diabeti. Nëse këto ushtrime i kryen për një kohë të gjatë, afro dhjetë vjet atëherë rreziku për të ndërruar jetë në moshë të hershme ulet me 30 %.
Ky publikim vjen në një kohë kur koeficienti i përdorimit të ilaçeve është rritur në mënyrë të ndjeshme dhjetë vitet e fundit. Vetëm në Britaninë e Madhe thuhet në studim, qytetaret përdorin gati dy herë më shumë medikamente se një dekadë më parë. Mjekët që kanë kryer këtë studim, janë pjesë e stafeve më të njohura por edhe pedagogë nga universiteti i Harvardit, Londrës dhe Standfordit. / Vizion Plus
