Edelstein: Shqiptarë, ja çfarë mund të mësoni nga hebrenjtë!

redaktor

Yuli-Yoel Edelstein, Kryetar i Knesset, Parlamentit të Izraelit flet pas vizitës zyrtare në Shqipëri.

 

Nga Rudina Xhunga

A mund të na tregoni diçka rreth qëllimit të vizitës suaj dhe takimet që patët?

Rreth dy vite më parë Kryetari e Kuvendit, z. Ilir Meta, vizitoi Izraelin në një takim zyrtar, si i ftuari im. Patëm bisedime shumë të mira, me të dhe delegacionin e tij. Ai më ftoi për të vizituar Shqipërinë. Kaluan disa kohë, por jam i lumtur që kjo vizitë ndodhi sepse mendoj se ka një potencial të madh për të zhvilluar edhe më tej marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shqipërisë dhe besoj se marrëdhëniet e mira të institucionit të parlamentit mes dy vendeve, janë afatgjate dhe të forta sepse, siç e dini, qeveritë shkojnë e vijnë, ato ndryshojnë, por Parlamentet janë njëlloj në vendet demokratike.

Pra, me z. Meta diskutuam në lidhje me iniciativa të ndryshme, më pas nënshkruam një marrëveshje ndërmjet dy parlamenteve, një marrëveshje pune, ndërsa të dy ishim pjesë e Konferencës Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, në Pragë, si Kryetarë të Parlamenteve. Jemi duke vazhduar bisedat se çfarë mund të bëjmë më tej për të promovuar marrëdhëniet mes vendeve.

 

Përveç z. Meta, ju u takuat edhe me Presidentin Nishani i cili ju dha urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, Kryeministrin Rama, liderin e opozitës, Lulzim Basha dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

Pata kënaqësinë të takohem me Presidentin Nishani. U ndjeva shumë i nderuar dhe i prekur nga marrja e këtij urdhri. Pata, gjithashtu, një takim shumë të mirë, shpresoj, me Kryeministrin Edi Rama dhe takimet e tjera ishin me Ministrin e Jashtëm dhe liderin e opozitës. Mendoj se kemi mbuluar gjithçka në bisedat tona, sidomos duke pasur parasysh faktin se në shumicën e rasteve, në takime kishte edhe anëtarë të tjerë të parlamentit, me Kryetarin Meta, me Presidentin apo Kryeministrin. Kështu që, mendoj se kemi pasur një sërë takimesh të mira dhe për mua ishte shumë e rëndësishme të theksoja se çështja e marrëdhënieve tona nuk varet nga çështjet e  koalicion-opozitës, as në Izrael dhe as këtu.

 

Kjo është vizita juaj e parë në Tiranë?

Është vizita ime e parë fare dhe duhet të them se këtë ishim duke diskutuar edhe me Presidentin Nishani, që duhet të bëjmë më shumë për të ekspozuar Shqipërinë e vërtetë pasi imazhi që njerëzit kanë, për shkak të dekadave të errëta të diktaturës këtu, është ajo e një vendi që nuk përngjan me asnjë vend të Evropës dhe kur vjen në Shqipëri, sheh një vend që patjetër nuk ka arritur potencialin e saj të plotë, por mendoj se po zhvillohet shpejt dhe mund të jetë një destinacion i mirë për bizneset dhe turizmin. Pra, mendoj se ne, si miq të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar duhet t’ju ekspozojmë përpara Evropës dhe pjesës tjetër të botës.

 

Ky vit shënon 25 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Shqipërisë.

Menjëherë pas ndryshimeve që filluan në Shqipëri dhe Izrael,ne vendosëm marrëdhënie diplomatike, u afruam me Shqipërinë dhe hapëm Ambasadën e Shqipërisë në Izrael dhe këto tre vitet e fundit, kemi një Ambasador tonin këtu. Ky fakt tregon se ne i vendosëm prioritetet tona qysh në fillim, e vumë theksin tek bashkëpunimi midis vendeve tona. Në të gjitha takimet e mia këtu, të gjithë dolëm tek i njëjti përfundim; se jemi në rrugën e duhur, se çdo gjë po zhvillohet në mënyrë shumë pozitive, por jemi ende shumë larg nga arritja e potencialit të vërtetë të këtyre marrëdhënieve në ekonomi, teknologji, turizëm dhe të gjitha fushat e tjera ku mund të bashkëpunojmë. Do të doja të shtoja, gjithashtu, sa i përket marrëdhënieve diplomatike, se kam pasur kënaqësinë, së bashku me Ministrin e Jashtëm, të shpallim një konkurs online ku konkurrentë të ndryshëm duhet të krijonin një logo me rastin e 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Një student i ri arteve, fitoi konkursin dhe, nëse nuk gabohem, shpërblimi i tij do të jetë një udhëtim  në Izrael. Mendoj se është një shembull shumë i mirë i kontributit të kësaj marrëdhënieje nga njerëz që nuk janë diplomatë, zyrtarë aktivë apo diçka të këtij lloji.

 

Ju keni një jetë shumë interesante, do të doja të ndanim disa detaje të jetës suaj, për lexuesin e dritare.net. Keni lindur në ish Bashkimin Sovjetik. Rinia juaj ka kaluar nën një diktaturë si ajo komuniste që ne e njohim mirë. Duke kujtuar programet e dikurshme cariste ndaj hebrenjve, pastaj antisemitizmin e fshehur të pasardhësve të Leninit. Si ishte jeta juaj në Bashkimin Sovjetik?

Ditët e jetës sime si një hebre në Bashkimin Sovjetik, nuk ishin shumë hebreje, sepse nuk kishte institucione hebraike, nuk kishte shkolla për hebrenjtë, vështirë se mund të gjeje një Sinagogë, nuk kishte asnjë arsim hebre, nuk kishte asnjë komunitet hebrenjsh. Kështu që, të gjithë u rritëm pa ditur shumë, apo duke mos ditur asgjë në lidhje me identitetin tonë hebre, popullin hebre, lidhjet me Izraelin. Në atë kohë Bashkimi Sovjetik nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe disa prej nesh, në një fazë të jetës sonë, zbuluam rrënjët tona për arsye të ndryshme. Disa, për shkak se ata ishin në kërkim të identitetit të tyre, në rastin tim sepse unë urreja regjimin komunist, por një njeri nuk mund të rritet vetëm me urrejtje, duhet të shohë për diçka pozitive, për disa ide, për disa ideale. Për fat të mirë pata disa raste të mira për të mësuar rreth Izraelit dhe popullit hebre. Pastaj, fillova të mendoj rreth idesë për t’u larguar nga Bashkimi Sovjetik dhe të shkoja në Izrael. Mirëpo, kjo gjë ngjan shumë e lehtë sot, ku shkon në një agjenci udhëtimit dhe blen një biletë, por në ato kohë, ky veprim shumë shpejt më dhuroi një biletë falas për në Siberi. Unë kalova tre vjet të jetës sime, në një gulag. Për fat të mirë, në vitin 1987, kur ndryshimet kishin filluar në Bashkimin Sovjetik, u lirova nga kampi dhe rreth dy muaj më vonë kam marrë lejen për të shkuar në Izrael. Pasi arrita në atdhe, gjeta një jetë të bukur dhe pas gjithë atyre që 6kisha kaluar, vendosa se nuk do të përfshihesha kurrë në aktivitete publike. Më kujtohet kur i thashë dikujt që po përpiqej të më bindte se duhej të isha aktiv. Iu përgjigja: – “Unë tashmë i kam paguar taksat e mia për popullin hebre, kështu që më lini rehat”. Por siç mund ta dini, një valë e madhe e emigrantëve hebrenj të Bashkimit Sovjetik erdhi në Izrael dhe të gjithë ndjemë përgjegjësinë se duhej të luftonim për diçka dhe kur erdhi rasti, nuk mund të qëndronim mënjanë si dëshmitarë. Unë u përfshiva fillimisht në aktivitete publike dhe më pas në aktivitete politike. Kam qenë gjithmonë me fat në politikë, sepse punoja në vende ku arsyeja më çonte drejt politikës, fillimisht si Ministër i Emigracionit dhe më pas si Ministër i Diplomacisë Publike dhe Çështjeve të Diasporës, ku merresha me të gjithë komunitetet hebre dhe lidhjet e tyre në mbarë botën. Dhe në një moment tjetër më çoi në pozicion ku kam qenë disa herë Zv. Kryetari i Knesset-it dhe tani si Kryetar i Knesset-it. Mendoj se ky pozicion është një vazhdimësi logjike sepse si Kryetar i Parlamentit, ke përgjegjësinë e të gjitha grupeve të ndryshme të popullsisë dhe minoriteteve dhe për të siguruar që zëri i tyre të dëgjohet në Parlament. Kjo ishte diçka shumë e rëndësishme për mua, për dy arsye. Një, sepse unë e di se çfarë do të thotë një vend jo demokratik dhe nuk dua as t’i afrohem asaj. E dyta, mendoj se Izraeli duhet të jetë një shembull i multietnicitetit dhe i marrëdhënieve të përsosura me të gjitha pakicat.

 

Ju emigruat në Izrael pasi kaluat një eksperiencë që bota ende e kujtojnë me tmerr, si ato të burgjeve sovjetike. Cila ishte përjetimi që patët kur mbërritët në “Tokën e Premtuar”?  Si ishte për ju kalimi nga komunizmi në kapitalizëm?

Ishte një kalim i qetë sepse, siç thashë, në një moshë shumë të hershme, dhe këtu kanë meritë prindërit e mi, ata nuk u përpoqën të më fshihnin atë që mendonin për komunizmin, regjimin dhe Bashkimin Sovjetik. Kështu që besoj, kur isha rreth 9-10 vjeç, e kuptoja se diçka nuk shkonte me atë ideologji, prandaj edhe nuk isha nostalgjik i saj. Sa i përket sistemit të Izraelit, siç thashë më kishin mësuar të çmoja lirinë dhe vlerat demokratike, nuk kisha ndonjë farë interesi në biznes, prandaj nuk pata probleme, nga një tranzicion i këtij lloji. Mendoj se për mua dhe karrierën time politike, mësimet nga e kaluara ishin shumë të rëndësishme, sepse më kanë bërë t’i qëndroj larg vendeve me vlera problematike apo regjime problematike.

 

Në Shqipëri, ky tranzicion nga komunizmi në kapitalizëm, është ende problematik.

Mendoj se është shumë individuale. Në një kohë kishte shumë njerëz që thoshin kështu për hebrenjtë sovjetikë dhe në atë kohë kishim miliona hebrenj që erdhën në një hark kohor prej dhjetë vjetësh. Për disa prej tyre tranzicioni ishte i vështirë, sepse kërkonin një udhëheqje të fortë, por unë nuk e besoj këtë. E përsëris, është shumë individual ky lloj tranzicioni. Ndonjëherë duhen shekuj, por shumica e njerëzve, në mënyrë të natyrshme, e gëzojnë lirinë. Kështu që, nuk do t’i etiketoja ata si njerëz të rritur në këtë , apo atë vend. Jemi duke folur për qenie njerëzore dhe jo vendet ku kanë lindur.

 

Periudha 1996-1999 që ju ishit ministër, ishte edhe periudha me fluksin më të madh të emigrantëve me origjinë nga ish Bashkimi Sovjetik. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë? A ia dolët që emigrantët e ardhur, të ndiheshin sa më shpejt pjesë integrale e atdheut të rigjetur?

Kjo është një pyetje shumë e mirë. Fluksi i emigrantëve filloi në vitin 1991, kështu që, në qoftë se do të isha Ministër në atë kohë, do të më duhej të merresha me ndryshime të rëndësishme, si ku do të flenë këta njerëz, çfarë do të hanë, si mund t’i gjej të paktën një punë bazë etj. Kur unë isha Ministër, 1996-1999, kishim gjithashtu shumë emigrantë, por ishte një sfidë pak më e ndryshme, pasi ishte e qartë që këta njerëz nuk do të mbeteshin të pastrehë në rrugë, nuk do të kishte asnjë fëmijë të uritur. Gjithsesi ishte sfida e integrimit. Integrimi ka shumë aspekte dhe njëri prej tyre është integrimi profesional. Në atë kohë mendonim sesi është e mundur që një inxhinier punon në një pikë karburanti si një punonjës i thjeshtë, domethënë vendi po humbet potencialin e saj. Kështu që u morëm shumë me kurset e gjuhës, kurse trajnimi etj. Më pas është integrimi kulturor, që është një tjetër çështje e komplikuar. Ne nuk donim të krijonim një mekanizëm, ku hyje hebre sovjetik dhe dilje izraelit. Ne kërkonim të zhvillonim potencialin më të mirë të çdo komuniteti dhe në të njëjtën kohë të mos humbisnim emëruesin e përbashkët. Nuk ishte e lehtë, dhe kur dikush më pyeste si po ecën integrimi, unë përgjigjesha; ngadalë, që do të thotë është lajm i mirë. Sepse nuk mendoja se kishte mënyrë më të shpejtë në këtë proces.

 

Në botë ka një valë në rritje të antisemitizmit. Pas atentateve në Francë, kryeministri i atëhershëm Ariel Sharon u bëri thirrje gjithë hebrenjve të shkonin në Izrael. Kjo thirrje u përsërit pak kohë më parë edhe nga kryeministri aktual Beniamin Netanyahu. Ndërkohë perëndimi nuk do të ishte ky që është, pa hebrenjtë. A mendoni vërtetë që hebrenjtë duhet t’i braktisin vendet ku jetojnë?  Perspektiva e tyre nëpër botë është e zymtë?

Kur isha Ministër i Përthithjes së Emigrantëve, kur shkoja për të vizituar një vend, Argjentinë për shembull, ku ka një komunitet shumë të madh hebre, ndonjëherë emisarë izraelitë apo diplomatët, zemëroheshin me mua dhe një herë dikush më tha: Si ka mundësi, z. Ministër, që ju, me historinë e jetës suaj, që keni luftuar për të drejtën për të shkuar në Izrael, që bëtë burg, sepse kërkuat të shkoni në Izrael, si ka mundësi që nuk na keni kërkuar kurrë të shkojmë në Izrael. Unë mendoj se vendimi për të bërë Aliyah, sepse ne nuk e quajmë emigracion, por Aliyah, që do të thotë, të ngjitesh për në Izrael, është një vendim shumë individual. Nëse dëshiron të shkosh në Izrael, do ta gjesh mënyrën, por çdo proces i emigrimit është i vështirë, nuk ka emigracion të lehtë. Nëse çdo gjë është e mrekullueshme me ty, fëmijët do të ankohen sepse nuk ndihen rehat në shkollë, në qoftë se çdo gjë është në rregull me ata, nëna jote do të ankohet se nuk njeh gjuhën dhe të gjithë do të ndjehen nostalgjikë e do të duan të kthehen ku ishin. Pra, unë dua që hebrenjtë të vijnë në Izrael, sepse vërtetë duan dhe dua që hebrenjtë të vijnë në Izrael sepse ndjehen të tërhequr nga Izraeli, jo sepse vendet e tjera janë antisemite. Unë e thashë edhe në Parlament, Shqipëria është si një oaz për ne, në këtë valë të tmerrshme antisemitiste në mbarë botën.

Në të njëjtën kohë, nuk duhet të jetojmë me idenë se hebrenjtë e kërcënuar do të largohen nga vendi i tyre dhe do të vijnë në Izrael, sepse në botën moderne, mund të shkosh kudo në qoftë se nuk ndjehesh i tërhequr nga Izraeli. Bota është ndryshe sot. Kështu që duhet të punojmë për vendin tonë, që Izraeli të jetë tërheqës për hebrenjtë, për t’i thënë atyre që atje gjejnë mundësi kulturore, ekonomike, mundësi për  karrierën e tyre. Në kushtet e antisemitizmit, ne duhet ta luftojmë atë dhe shpesh kur flas me kolegët e mi, u them atyre ta luftojnë antisemitizmin jo për mua, por për vendin e tyre, për qytetarët e tyre, sepse siç themi sot, gjithmonë fillon me hebrenjtë, por nuk përfundon kurrë me hebrenjtë. Edhe nëse nuk do të ketë antisemitizëm, përsëri do të ketë sulme ndaj minoriteteve etnike apo pakicave fetare. Ky është qëndrimi im.

 

Izraeli është demokracia e vetme në një rajon ku sundojnë diktatorë. 8 milion izraelitë përballë qindra milionë arabëve. Disa prej tyre mohojnë holokaustin, të tjerë kërkojnë ripërsëritjen e tij, dhe pak prej tyre e shikojnë Izraelin si pjesë integrale të rajonit. Si ndihet një izraelit përballë një realiteti të tillë?

Realiteti është se kjo nuk është e re për ne. Ne ishim 600.000 në vitin 1948, të rrethuar nga qindra milionë arabë dhe mbijetuam. Jo vetëm mbijetuam, por u bëmë një vend i lulëzuar me teknologji, arsim, stabilitetit ekonomik e kështu me radhë. Pra, nuk mund të them se jemi tmerrësisht të frikësuar. Është 7një situatë e pakëndshme, kur njerëzit thonë, ju jeni vendi i vetëm demokratik në Lindjen e Mesme, unë gjithmonë e kam urryer këtë sepse dua të ketë demokraci në Lindjen e Mesme. Është shumë interesante, nëse e keni vënë re, se në 50-60 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë një konflikt të vetëm lufte midis vendeve demokratike, kanë qenë gjithmonë të përfshira vendet nën diktaturë. Dy vende demokratike nuk e luftojnë njëra-tjetrën sepse në botën e sotme është shumë i vështirë një vendim i tillë. Demokracitë nuk luftojnë njëri-tjetrin. Mendoj se situata e krijuar në Lindjen e Mesme, i bëjnë njerëzit gjithmonë e më shumë të mos besojnë te ajo qasje e vjetër, se trazirat në botë dhe të gjitha problemet në Lindjen e Mesme, janë për shkak se izraelitët dhe palestinezët kanë një konflikt. Besoj se ky perceptim është pak i vjetër. Siç folëm për antisemitizmin, do të thosha të njëjtën gjë edhe për mohimin e Holokaustit. Mohimi i Holokaustit dhemb dhe kur dëgjova në muajt e fundit se në Iran kishin shpallur një konkurs të veçantë karikaturash me temë mohimin e Holokaustin dhe ku çmimi i parë vlerësohej me 50 mijë dollarë, kjo më trazoi stomakun. Por përsëri, kjo nuk është kundër Izraelit, kjo është kundër gjithë njerëzimit. Njerëzit që mohojnë Holokaustin, nesër janë në gjendje të masakrojnë çdo pakicë. Kjo nuk është një situatë e këndshme dhe shpresojmë të ketë ndryshime, por bota duhet të jetë e durueshme. Ata që e përshëndetën Pranverën Arabe 5 vjet më parë, nuk e kuptuan se një vend, nuk mund bëhet demokratik,  menjëherë pas diktaturës,  sidomos kur nuk ka pasur traditë demokratike. Ky është një proces i gjatë dhe bota duhet të jetë në anën e duhur të historisë.

 

Shqipëria është një ndër vendet që ka përkrahur më shumë hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore. Ndjehemi krenarë që askush prej tyre nuk u kap nga nazistët. Jemi ndër popujt më pro izraelit në botë aq sa në popull, kur duam të cilësojmë një njeri të zgjuar, themi “i zgjuar si një hebre”. Por nuk shikojmë një zhvillim të madh të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike. A mendoni ju se mund të bëhet më shumë në të ardhmen?

Absolutisht! Siç e thashë, mendoj se jemi në rrugën e duhur, por ende ka potencial të madh dhe bazat janë, jo vetëm prej marrëdhënieve ekonomike, por edhe prej historisë pozitive dhe faktit që Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku komuniteti hebre u rrit gjatë Holokaustit. Por edhe një herë, mendoj se kemi një rrugë të gjatë përpara për të bërë, për të përmirësuar lidhjet ekonomike dhe marrëdhëniet tona. Ka shumë njerëz në Amerikë, një vend mik i Izraelit, të cilëve kur u thua se po shkon në Izrael, të thonë se atje është e rrezikshme, ka terrorizëm, ka luftë gjithë kohës. Ne e dimë se çfarë do të thotë të vuash nga një fare stigme dhe siç i thashë kolegut tim këtu, Presidentit, Kryeministrit, duhet të mendojmë se si t’i largohemi kësaj stigme, kur njerëzit thonë, oh, Shqipëria është një vend pa rrugë, pa shtëpi, të gjithë janë të varfër, një vend i tmerrshëm, por që kur vjen këtu sheh që çdo gjë është ndryshe. Prandaj një nga qëllimet tona në takimet e ardhshme është të përpiqemi të vëmë në dukje Shqipërinë reale para parlamentarëve izraelitë, biznesmenëve dhe gjithë të tjerëve, që ta shohin me sy tjetër e me mendje të hapur mundësinë e tyre për të ardhur në Shqipëri dhe pse jo, për të organizuar grupe biznesi. E di që ky është një problem imazhi dhe nuk mund t’i fajësoj ata pasi për shumë vite Shqipëria është perceptuar si vendi i Hoxhës, ku çdo gjë është mbyllur. Prandaj duhet të shfaqim Shqipërinë reale dhe ndryshimet thelbësore që po kalon ky vend.

 

Si e gjykoni votimin e fundit të Shqipërisë në favor të pranimit të flamurit të Palestinës në OKB? A e prisnit këtë qëndrim, apo do kishit dëshirë për një pozicionim më pro izraelit të vendit tonë?

Shumë nga miqtë tanë kanë votuar për këtë flamur, madje edhe disa njerëz në Izrael po më thoshin, pse merresh me këtë gjë, çfarë të intereson etj., por unë mendoj se ka një problem. Palestinezët apo udhëheqësit të paktën, janë duke mësuar me idenë që, pa negociuar, pa asnjë progres, pa bërë asgjë , mund të marrësh atë që do. Ata janë aq të mjerë, jeta e tyre është kaq e tmerrshme, saqë shkojnë tek të gjitha organet ndërkombëtare dhe ankohen. Ky është një mesazh i gabuar. Kur folëm me Ministrin e Jashtëm francez, kohët e fundit,  ai tha që, nëse nuk do të ketë progres në negociatat e Izraelit me Palestinën, Franca do ta njohë shtetin e Palestinës në mënyrë të njëanshme. Edhe në qoftë se je një 5 apo 7 vjeçar, e kupton logjikën që në qoftë se nuk ka përparim në negociatat, Franca do të njohë shtetin e Palestinës dhe nëse jam palestinez, ajo që duhet të bëj është të mos ndërmarr ndonjë iniciativë për përmirësimin e negociatave sepse Franca gjithsesi do ta njohë shtetin e Palestinës. Kjo është një logjikë primitive, jo matematike. Bisedova me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së se çështja e flamurit dhe shumë çështje të tjera, nuk i shërbejnë procesit të paqes, ato kanë efekt të kundërt në procesin e paqes, sepse kjo i bën palestinezët të mendojnë se nuk është e nevojshme të bësh gjë, kaq të mjerë sa janë, bota do t’i ndihmojë gjithsesi dhe do t’i njohë të gjitha pretendimet e tyre.

 

Njohja e Kosovës nga Izraeli. Ne e kuptojmë pozicionin izraelit, por gjithashtu njohja e Kosovës nga ju, për ne shqiptarët do të thotë më shumë se nga një shtet i zakonshëm. Kur do të vijë njohja e Kosovës nga Izraeli?

Nuk kam një datë të caktuar, por siç e dini kemi disa marrëdhënie me Kosovën dhe çështja e njohjes së Kosovës ju siguroj që nuk ka të bëjë me Ballkanin, Shqipërinë apo edhe Kosovën në vetvete. Është një çështje që lidhet pikërisht me pyetjen tuaj të mëparshme. Nuk mund të fajësoj nga njëra anë palestinezët  dhe nga ana tjetër të them se Kosova ka të drejtë. Njerëzit më thonë se është tjetër çështje. E di që është, por në kushtet e mundësisë për t’i shpjeguar botës këtë standard të dyfishtë, nuk dua që palestinezët të bëjnë lidhjen dhe të thonë pse Kosova është ndryshe? Pra, siç thashë, nuk ka një datë të caktuar, por kemi disa lajme pozitive. Di që ka një ekip serbësh dhe kosovarësh që po negociojnë. Në momentin që do të ketë një lloj marrëveshje, atëherë do të mund të formalizojmë lidhjet tona plotësisht.

 

Mendoj se populli shqiptar dhe ai hebre janë shumë të ngjashëm, por ju ia dilni të bëni diplomaci, të bëni biznes, të bëni para, ne jo. Çfarë duhet të mësojmë prej jush?

Oh, në qoftë se do ju mësojmë juve, atëherë ne do të bëjmë më pak para.(qesh). Unë nuk do ta shihja kështu.  Izraeli nuk investon në teknologji, risi për ta mbajtur atë të gjithën për vete. Në thelb, e di që do të tingëllojë absurde, por ne duam të ndihmojmë gjithë botën. Në fenë tonë është një shprehje e njohur që quhet ‘Tikkun olam’ që do të thotë, të bësh botën më të mirë dhe unë mendoj se në qoftë se ndjekim disa nisma, sidomos ato izraelite, do të kemi një botë më të mirë, jo vetëm për të përfituar. Por në këtë rast, në marrëdhëniet me Shqipërisë dhe Izraelit, do të thosha se duke futur teknologji dhe inovacion, shumë biznesmenë izraelitë mund të përfitojnë gjithashtu. Kështu që nuk kemi asnjë problem me shqiptarët që të mësojnë gjëra për të përfituar më shumë. Mund t’ju jap një shembull; në Ministrinë e Jashtme të Izraelit ka një departament të veçantë trajnimi që quhet ‘Mashav’ ku ekspertë të vendeve të tjera, trajnojnë persona nga Evropa Lindore, Azia, Afrika në fusha të ndryshme. E kontrollova listën me Ambasadorin këtu dhe pamë se Shqipëria është shumë lart në listën e prioriteteve të ‘Mashav’ dhe mendoj se kjo është një shenjë e mirë./dritare.net/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *