Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
E drejta dhe shtrenjta Dita dhe ju i dashuri Adrian! Më bëri shumë përshtypje shkrimi i znj. Zenepe Luka lidhur me rëndësinë e 80 vjetorit të lindjes së të madhit akademik të shqipfolësve Rexhep Qosja dhe heshtjen e dy akademive të kombit tonë. E dinë të gjithë se ky personalitet e ka shkruar emrin e tij me germa të arta në gjithë zemrat e shqiptarëve.
Dikujt nga politika në të dy vendet tona ky nuk i ka plotësuar kërkesat, ndaj mbajnë të tillë qëndrim ndaj tij në këtë ditë të shënuar për të. Për faqe të zezë të tyre e paçin të dy akademitë! Një herë kam patur rastin të takohem në një takim elektoral të cilin e shoqëronte Rexhep Mejdani, ku Qosja kritikoi ashpër veprimtarinë e Sali Berishës në drejtimin e vendit, që solli duartrokitje dhe thirrje falënderimi për ato fjalë që tha. Në shpërndarje pati kërkesa që të pozonin si kujtim me këtë njeri tepër njerëzor, ku një foto ta kisha dhe unë. Pa dalë nga salla e mbledhjes i drejtohem duke i shtrirë dorën, ku i thashë:- Dua të bëj një pozë me ju, po të me lejoni? – Heu, ç’është ajo fjalë që po thua ore mik?
Menjëherë më hodhi krahun në qafë duke më afruar pranë vetes. Pati nga ata që donin ta ruanin, bile ishte një deputet socialist që futi dorën mes nesh, por Rexhepi me atë buzëqeshjen e tij melankolike më afroi dhe bëmë foto për të cilën u tregova dhe fëmijëve të mi që ta ruajnë si një vlerë të rrallë të jetës për pak minuta të babait të tyre me këtë figurë të shquar të kombit tonë.
Unë me gjithë familjen shfrytëzoj rastin t’i urojmë nga zemra edhe 80 vite të tjerë jetë duke kontribuar në detyrën e tij fisnike në shërbim të kombit shqiptar. Me mirënjohje të pambarimtë! I lutem redaksisë që ta trajtojë. Përshëndetje! Pjetër Bubaj
