Edhe 90 minuta “ethe” për titullin në Superiore

redaktor

Do të vendoset në javën e fundit. Skënderbeu apo Partizani, triumfuesit e një sezoni të gjatë e spektakolar do të mësohen vetëm pas vërshëllimës finale me kampionatin e 77 kombëtar që përjeton një finale të nxehtë e cila do të sanksionojë titullin kampion dhe jo vetëm. 90 minutat e fundit janë vendimtare për një finale titulli në distancë, diçka që nuk ndodhte prej 7 vitesh.

Për të gjetur herën e fundit që kampionati është vendosur në javën përmbyllëse duhet të kthehesh pas në edicionin 2008-2009 kur Tirana rivalizonte me Vllazninë dhe në javën e fundit mposhtë pikërisht shkodranët 2-1 me gola te Mukës e Memellit. Tifozët e Partizanit nuk mund të harrojnë edhe finalen e një viti më parë, kur ju duhej një fitore për ti rrëmbyer titullin Dinamos kryesuese që i mjaftonte dhe barazimi, me blutë që triumfuan 2-1 në “Selman Stërmasi”. Ishte 17 maji i 2008-ës dhe fiks 8 vjet më pas të kuqtë kanë mundësinë e një tjetër finaleje, për të festuar në fund ju duhet të mposhtin Teutën dhe që Skënderbeu të mos marrë tre pikët në Vlorë përballë Flamurtarit. Kampionët në fuqi janë natyrisht të favorizuar si zotër të fatit të tyre, por në futboll gjithçka do të ndodhë me ethet e titullit të destinuara të mbretërojnë deri në fund.

Por në javën e fundit nuk vendoset vetëm titulli, pasi raundi i 36 vendos edhe për Europën. Kukësi e Teuta janë me pikë të barabarta dhe për të ndarë se cila prej tyre do të gjejë dritaren europiane sërish duhet pritur. Padyshim më pranë Europa League janë verilindorët të favorizuar jo vetëm nga përballjet direkte, por dhe nga fakti se në ndeshjen e fundit të kampionatit presin Tiranën që luan për prestigj, ndërsa Teutës i duhet të përballet me Partizanin që shpreson titullin.

E hapur, të paktën teorikisht është dhe çështja e mbijetesës, me llogaritë e matematikës që mbajnë ende në lojë, Bylisin, Laçin e madje dhe Flamurtarin. Tre fronte të hapura para 90 minutave finale për të vendosur fatin e një kampionati vërtet të çmendur.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *