Letër e nënshkruar
Fatmir Shehu
Nesër Kombëtarja e Futbollit do të zhvillojë në Elbasan ndeshjen me Serbinë. Ndodhitë gjatë ndeshjes që u bë në Beograd në tetorin e vitit të kaluar, na detyrojnë që të jemi më të kujdesshëm. Pavarësisht se historia është shumë e dhimbshme, duhet kuptuar se asgjë nuk ka ardhur nga popujt tanë, aq më shumë nga brezi i ri, por nga ideologjitë nacionaliste dhe liderët famëkeqë. Ka ardhur një kohë e re, të dy popujt tanë duhet të bëjnë maksimumin që as gjë e keqe të mos përsëritet. Urrejtja në më të shumtën vjen nga mos njohja dhe mosrespektimi i vlerave të ndërsjellta. Thuhet që: “E urrren se nuk e njef dhe nuk do ta njofish se e urren!”. Shqiptarët, e kanë zakon që edhe hasmi kur i vjen në shtëpi e varë pushkën në mur dhe kur i ikën nga shtëpia e përcjell dhe e siguron dhe mban përgjegjësi që të mos i ndodh asgjë e keqe. Djemtë e futbollit serb, sigurisht nuk janë as pak armiq, ata janë urë lidhëse dhe filiza të reja që nuk kanë lidhje me tragjeditë nacionale që kanë ndodhur në Ballkan. Ne dëshirojmë që ekipet të bëjnë një lojë spektakolare, të denjë për një futboll modern.
