Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e fundit të Këshillit të saj Mbikqyrës, u shpreh se kërkesa agregate (e përgjithshme) shfaqet e dobët dhe nuk arrin të gjenerojë një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend. Kjo nënkupton që në ekonominë tonë nuk ka nxitje për të rritur prodhimin dhe shërbimet. Sipas bankës sonë qendrore, të dhënat mbi ecurinë e aktivitetit ekonomik për tremujorin e katërt të vitit 2012 flasin për një rritje të ngadaltë ekonomike. Praktikisht, mund të shprehemi se po kapim stanjacionin, mosrritjen ekonomike. “Shpenzimet e sektorit publik janë tkurrur, duke dhënë një kontribut negativ në rritjen e kërkesës”, thotë Banka e Shqipërisë. Një tregues domethënës për pafuqinë e kërkesës konsumatore në vend janë importet, rënia e ndjeshme e tyre. Ecuria e dobët e konsumit dhe investimeve në vend është reflektuar në rënien me 8.1 përqind të importeve në janar 2013, në krahasim me janarin 2012. Të ardhurat buxhetore vijojnë të tkurren, nën ndikimin e ecurisë së plogësht të ekonomisë, duke shënuar një rënie vjetore prej 0.8 përqind për periudhën janar-shkurt 2013. Kjo ecuri negative e të ardhurave publike është materializuar në rritjen e defiçitit fiskal të vendit me rreth 5.1 përqind për këta dy muaj. Në tregun bankar, lëvizjet kanë qenë shumë të kufizuara. Rënia e normave të interesit është reflektuar më shumë në tregun e depozitave se në atë të kredive, duke sinjalizuar për një sjellje më konservatore të bankave në kreditim dhe për një sektor real më shumë të orientuar drejt kursimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, oferta monetare në ekonomi është ngadalësuar më tej në muajin janar 2013. Ky është një tregues shumë i rëndësishëm, pse dëshmon mungesën e likuiditeteve në ekonominë shqiptare dhe gjendjen e vështirë të biznesit shqiptar. Ngadalësimi i masës monetare ka reflektuar kërkesën e ulët të bizneseve dhe individëve për financim, si edhe reduktimin e financimit të deficitit buxhetor nga sistemi bankar. Rritja vjetore e kredisë për ekonominë vijon të ngadalësohet, duke regjistruar nivele të ulëta historike, prej 2.1 përqind në muajin janar 2013. Ecuria e plogësht e kredisë vihet re për të gjitha kategoritë dhe monedhat e financimit, si tek individët ashtu edhe tek bizneset. Të gjithë këta tregues pesimistë rregjistrohen në këtë periudhë të vitit, e cila presupozohet të ketë investime të shtuara publike, për shkak të asfaltit elektoral dhe zgjedhjeve të 23 qershorit(shpenzimet buxhetore janë rritur me 1.3 përqind për janar-shkurt 2013). Por me gjithë rritjen e parasë publike për të blerë vota, ekonomia nuk po reagon, nuk ka përmirësim. Në rast se kjo situatë vërehet në gjysmën e parë të vitit, mund të parashikohet lehtë rënia e ekonomisë sonë në gjysmën e dytë të vitit, kur buxheti i Shtetit do të jetë boshatisur dhe investimet publike do të jenë në minimumin e mundshëm. Nëse ekonomia rritet me pikatore 0.5-1 përqind në ritëm vjetor në këto muaj të parë të vitit 2013, ajo do të bjerë edhe më fort se ky ritëm në periudhën korrik-dhjetor 2013. Në këtë kohë nuk do të ketë asnjë nxitës fiskal apo nga privatizimi. Kompania Albpetrol ngeci aty ku ngeci. Nuk u shit, por vetëm po degradohet çdo ditë nën një menaxhim publik të papërgjegjshëm. Duke mos patur stimulim publik, duke mos patur rritje kredish për ekonominë, kjo për vendin tonë nënkupton mosrritje, stanjacion ekonomik. Dhe mosrritja pjell vetëm inflacion, numër të shtuar ndjeshëm të të papunëve dhe tkurrje të fortë të investimeve private. Konsumi, edhe pse ka rënë në një pikë shumë të ulët, do të bjerë edhe më. Dhe nuk kuptohet ku mund të kufizohet edhe më konsumi i qindra mijëra familjeve shqiptare, i cili është vetëm dhe thjesht konsum ushqimesh për mbajtjen gjallë, për mbijetesë. Kjo do të ndodhë në ekonominë tonë dhe tablonë e këtij parashikimi, edhe pse jo me këto fjalë të drejtpërdrejta, e jep me besnikëri banka jonë qendrore. E jep qartë dhe me shifra që të shtyjnë të kundërveprosh. Por asnjë kundërveprim nga qeveria jonë. Asnjë reagim për të përmirësuar situatën. Edhe pse kjo gjendje është rezultat i një politike shumë dritëshkurtër ekonomike të ndjekur nga qeveria e sotme përgjatë viteve të fundit, sidomos pas vitit 2009, kur u shfaq kriza financiare dhe ekonomike në Eurozonë. Në vend që të merrte masa të menjëhershme, të ndihmonte biznesin dhe kreditimin, u desh të kalonin tre vite(2009-2011) që qeveria të pranonte zyrtarisht pasojat e krizës mbi ekonominë shqiptare. Ndërsa sot e ka mendjen vetëm si të shpenzojë për të fituar vota. Një papërgjegjësi me ekonominë e vendit, e ngritur në sistem dhe që s’ka gjasa të ndalet deri në qershor të këtij viti.