Pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos njohë dekretin e Presidentit Meta për zgjedhjet vendore, bashkitë e drejtuara me përfaqësues të zgjedhur nga radhët e opozitës kanë kërkuar anulimin e procedurave të nisura për zhvillimin e zgjedhjeve.
Përmes shkresave të firmosura nga vetë kryetarët e bashkive, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i është kërkuar të bëjë lirimin e ambienteve, nën administrimin e këtyre bashkive të planifikuara për t’u shfrytëzuar si KZAZ, si dhe ndërprerjen e afishimit të listave të zgjedhjeve në qendrat e votimit.
Shkresat janë firmosur nga 16 drejtuesit e bashkive, që në zgjedhjet e vitit 2015 u zgjodhën nën logon e Partisë Demokratike. Vendimit të kolegëve të tyre iu bashkuan edhe 9 kryebashkiakët e LSI-së. Sot në listë është shtuar edhe Bashkia e Klosit.
Tashmë beteja institucionale e nisur në Tiranë duket se do të transferohet në rrethe, ku zyrtarët lokalë mund të shkojnë drejt përplasjes pas urdhrave të lëshuara për lirimin e ambienteve të parashikuara për zhvillimin e zgjedhjeve. Nëse maxhoranca nuk do të tërhiqet nga zhvillimi i zgjedhjeve në 30 qershor të paktën në 26 bashki të vendit, procesi zgjedhor rrezikon të ketë probleme të forta.
Kryebashkiakët e 26 qyteteve në të gjithë vendin, pasi janë lëshuar urdhrat për anulimin e procedurave të nisura për përgatitjen e zgjedhjeve, iu drejtuan me një letër të përbashkët Kryeministrit Rama. Në letrën e tyre, kryebashkiakët i kërkonin kreut të qeverisë të mos thellohej në paligjshmëri dhe të respektonte dekretin e Presidentit Meta të publikuar në Fletoren Zyrtare.
“Zoti Kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri! Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, për sa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë. Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri! Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit do të jetë, si gjithmonë, maksimale. Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne! Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në”, thuhej në letrën e kryebashkiakëve.
Nga an tjetër, KQZ paralajmëroi të gjithë kryebashkiakët që kërkuan lirimin e ambienteve, në të cilat do të mbahen zgjedhjet e 30 qershorit të mos kryejnë asnjë veprim antiligjor pasi do të paditen penalisht. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, theksoi se kërkesat e kryebashkiakëve janë në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se këto kërkesa dhe veprime janë në shkelje flagrante të dispozitave të Kodit Zgjedhor, parimeve të përgjithshme të tij dhe i ngarkojnë kryetarët e këtyre bashkive me përgjegjësi penale dhe administrative sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. KQZ i Zgjedhjeve i bën thirrje dhe kërkon reflektimin të menjëhershëm për të mos penguar apo cenuar punën e KZAZ-ve në përmbushje të përgjegjësive dhe detyrave të tyre. KQZ, në përmbushje të detyrës dhe përgjegjësive të tij, do të ndërmarrë veprimet sipas përcaktimeve të ligjeve në fuqi, për të shmangur çdo pengesë apo qëndrim që tenton të cenojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019”, tha Hoxhaj. Pas kësaj deklarate, kreu i KQZ-së, Klement Zguri, sqaroi se deklarata e zëdhënëses së KQZ-së ishte vetëm opinioni i katër anëtarëve të PS-së.
BASHKITE E DREJTUARA NGA OPOZITA
PD
BASHKIA KAMZË: Xhelal Mziu
BASHKIA VAU I DEJËS: Zef Hila
BASHKIA SELENICE: Përparim Shametaj
BASHKIA SHKODËR: Voltana Ademi
BASHKIA DROPULL: Ahilea Deçka
BASHKIA POGRADEC: Eduart Kapri
BASHKIA VORË: Fiqiri Ismaili
BASHKIA MAT: Nezir Rizvani
BASHKIA KLOS: Basir Çupa
BASHKIA DEVOLL: Bledjon Nallbati
BASHKIA LEZHË: Fran Frrokaj
BASHKIA PËRMET: Niko Shupuli
BASHKIA TYROPOJË: Besnik Dushaj
BASHKIA MALLAKASTËR: Agron Kapllanaj
BASHKIA KUKËS: Bashkim Shehu
LSI
BASHKIA SKRAPAR: Nesim Spahiu
BASHKIA KUÇOVË: Selfo Kapllani
BASHKIA BULQIZË: Melaim Damzi
BASHKIA PËRRENJAS: Miranda Rira
BASHKIA GJIROKASTËR: Zamira Rami
BASHKIA CËRRIK: Altin Toska
BASHKIA DELVINË: Rigels Balili
BASHKIA BERAT: Petrit Sinaj
PDIU
BASHKIA PEQIN: Saimir Hasalla
BASHKIA RROGOZHINË: Beqir Nuredini
e.ll./dita
