Elio Sinjoreli do të jetë drejtori i ri teknik i ekipeve Kombëtare. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka vendosur t’i besojë atij rolin e lënë vakant që pas largimit të Paolo Tramexanit, duke konfirmuar gjithnjë e më shumë një ”italianizim” të lojës së përfaqësueseve shqiptare.
47-vjeçari Sinjoreli ka qenë drejtues te Livorno, nga viti 2007, deri në vitin 2015. Gjatë këtyre viteve, emri i tij ka dalë në skenë për ngjarjet e famshme të skandalit të trukimeve që pushtoi futbollin italian disa vite më parë.
Ai u akuzua se si këshilltar i presidentit të Livornos, Spineli, kishte premtuar mijëra euro për lojtarët e ekipeve kundërshtare që të influenconin rezultatin përfundimtar të ndeshjeve.
Prokuroria e Kremonës hapi një çështje ndaj Sinjorelit dhe klubit, por vetëm Livorno u dënua me një gjobë prej 15 mijë eurosh për përfshirjen në këtë çështje. Hetimet në Itali rreth këtyre çështjeve vazhdojnë ende.
Në fillimin e vitit 2017, Sinjoreli kaloi në rolin e drejtorit sportiv te Mantova. Klubi arriti të mbijetonte në Lega Pro me një fitore në javën e fundit.
Por mospagesat e detyrimeve të drejtuesve sollën falimentimin e tij dhe rrezikohet edhe mosregjistrimi në kategoritë amatore, duke u shkrirë plotësisht./panoramasport/
