Franca do të prezantojë një taksë ekologjike deri në 18 euro për të gjitha biletat për fluturimet që nisen nga aeroportet franceze për të financuar projekte transporti më pak ndotëse për ambientin.
Taksa, e cila pritet të mbleddhë rreth 180 milionë euro në vit, do të hyjë në fuqi në vitin 2020 dhe do të vendosë një taksë prej € 1.50 për biletat ekonomike për fluturimet e brendshme dhe ato brenda Evropës. Taksa më e lartë prej 18 euro për biletë do të vendoset për udhëtarët në business class, në fluturimet jashtë bllokut evropian.
Taksa do të zbatohet vetëm për fluturimet dalëse dhe jo për ata që fluturojnë drejt Francës.
Aksionet e Air France dhe Lufthansa humbën pikë me 4.5% dhe 2.5%, menjëherë pas njoftimit.
Air France deklaroi se e kundërshtoi taksën e planifikuar, duke thënë se do t’i kushtonte kompanisë 60 milionë euro në vit.
Një taksë e ngjashme u vendos në Suedi në prill 2018, e cila shtoi deri në 40 € çmimin e çdo bilete në përpjekje për të ulur ndikimin e udhëtimive ajrore mbi klimën.
Në Gjermani, taksa e gjelbër e fluturimeve i shton 8 deri 45 euro euro çdo bilete.
Qeveria e presidentit francez Emmanuel Macron ka dashur t’i shtrëngojë dhe më parë ligjet për mjedisin, por iu desh të hiqte dorë nga rritja e taksës mbi naftën vitin e kaluar, pas protestave të jelekverdhëve, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
