Baritoni shqiptar Gëzim Myshketa është artisti i radhës që i është bashkangjitur koncertit të madh humanitar të Vatikanit që do të prezantohet me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë, më 3 shtator. Vetë Gëzim Myshketa ka bërë të ditur për mediat për pjesëmarrjen e tij në këtë koncert, ku fokusi është te interpretimi i Himnit të Nënës Terezës, që do të këndohet nga sopranoja e famshme shqiptare Inva Mula.
Dhe pikërisht për këtë koncert, KultPlus pati paralajmëruar më herët se artisti tjetër që do të performojë në Vatikan është po ashtu edhe violinisti shqiptar Shkëlzen Doli. Mirëpo, jo vetëm këta tre artistë do të jenë pjesë e koncertit të madh. Dijana Toska, organizatorja e këtij koncerti ka thënë për KultPlus se lista e artistëve është shumë e madhe dhe dita ditës po merr formë. Ajo ka shtuar se së shpejti do të bëhet i ditur komplet programi i këtij koncerti.
“Jemi në përfundim e sipër të programit të këtij koncerti që do të përcillet edhe nga Filarmonia Opera e Kosovës por edhe të instrumentistëve të tjerë nga Maqedonia dhe Shqipëria. Së shpejti do të dalim me programin e kompletuar. Dhe shpresoj që të kryhet edhe mbështetja e këtij koncerti nga ana e Qeverisë së Kosovës, pasi që, të njëjtit janë zotuar se do ta mbështesin këtë koncert”, ka thënë Toska.
