Departamenti amerikan i Mbrojtjes thotë se ka hapur një hetim për gjeneralin Xhon Alen, i cili aktualisht është me mision në Afganistan. Hetimi vjen pak ditë pasi gjenerali në pension David Petraus dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA, për shkak të një marrëdhënieje jashtëmartesore. Presidenti Obama e emëroi muajin e kaluar komandantin Alen si kreun e komandës së Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe më pas si Komandant të Lartë të forcave aleate në Afganistan.
Tashmë ai po hetohet për dërgimin e mundshëm të disa mesazheve “jo të hijshme” anonime një gruaje të lidhur me ish-drejtorin e CIA-s, Xhill Kelli. Punonjësja e komandës qendrore ushtarake në Tampa, shefi i së cilës ka qenë David Petraus, i ishte drejtuar për ndihmë FBI-së për shkak të “e-maileve kërcënuese”. Rezultoi se ato vinin nga biografja e Petrausit, Paula Broduell, me të cilën ai kishte pasur një lidhje jashtëmartesore. Por, dyshohet se mesazhe elektronike anonime në drejtim të zonjës Kelli të ketë dërguar edhe komandanti Xhon Alen.
Gjenerali Alen ishte në pritje të konfirmimit nga Senati për caktimin e të tij si komandant i NATO-s në Evropë. Zëdhënësi i Pentagonit tha se Byroja Federale e Hetimeve e paraqiti çështjen në Departamentin e Mbrojtjes. Ai nuk përcaktoi natyrën e hetimit, duke shtuar se gjatë kësaj periudhe, Xhon Alen do të mbajë pozicionin e tij si komandant i lartë i forcave aleate në Afganistan.
Sekretari i Mbrojtjes, Leon Paneta, deklaroi se FBI-ja raportoi për çështjen në fjalë në Pentagon ditën e diel. Ai shtoi se gjenerali Alen, i cili mohon të ketë bërë shkelje, do të qëndrojë gjithsesi në detyrë deri në përfundim të hetimit dhe zbardhjes së çështjes. Zoti Paneta vlerësoi punën e gjeneralit në Afganistan, në arritjen e progresit në luftën kundër talebanëve.
Ndërkohë, presidenti amerikan Barak Obama, me kërkesë të zotit Paneta, ka pezulluar emërimin e gjeneralit Allen për t’u bërë komandanti suprem i NATO-s në Evropë. Paneta urdhëroi Pentagonin që gjithashtu të shqyrtojë emërimin e pasardhësit të Allen në Afganistan, gjeneralit Xhozef Danford.
Një oficer i Pentagonit po kontrollohen deri në 30 mijë faqe email dhe dokumente të tjera nga komunikimet e gjeneralit Allen dhe zonjës Kellei mes viteve 2010 dhe 2012.
Nuk janë sqaruar ende të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje që ka marrë përmasat e një skandali, ku emra të njohur po dalin në dritë në vijimësi. Pas Petraus dhe Broduell, po shihet së fundmi në të edhe roli i komandantit Xhon Alen. Deri më tani çdo informacion është marrë nga burimet anonime të FBI-së, sipas të cilave hetimet kanë nisur katër muaj më parë.
Gjenerali David Petraus ishte përfshirë në një lidhje jashtëmartesore me shkrimtaren Paula Broduell, e cila kishte akses të gjithanshëm tek ai. Ajo qëndroi me gjeneralin gjatë kohës që ai komandonte trupat amerikane në Afganistan dhe çështja kryesore për të cilën po hetohet Petraus është nëse ajo ka pasur akses në e-mailet dhe kompjuterin e tij, e cila përbën një shkelje të qartë të të gjitha rregullave të sigurisë.