Shtëpia ku është mbajtur Kongresi i Lushnjës po shkon drejt shkatërrimit. Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, thotë se ndërtesës 173 vjeçare i është bërë restaurimi i fundit i plotë në vitin 1970. Pas këtij viti, ndërtesa ka pasur vetëm restaurime të pjesshme, për shkak të mungesës së fondeve të autoriteteve lokale.
“”Tashmë godina po shkon drejt shkatërrimit, pasi çatia e çarë ka bërë që shirat e vjeshtës dhe dimrit të hyjnë brenda, duke e amortizuar atë pak e nga pak dhe duke e çuar drejt shkatërrimit total”, – thotë Tushe për Gazetën Shqiptare. Sipas tij, nëse sheh ambientet e brendshme të saj, muret janë çarë, ka lagështirë në çdo kënd, tavani prej dërrase është hapur në shumë vende, muret nga jashtë janë të mbytur në lagështirë.
Kryebashkiaku i Lushnjës thotë se i ka drejtuar disa kërkesa Ministrisë së Kulturës për restaurimin e objektit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Jo vetëm me gojë, por edhe në mënyrë zyrtare, me anë të shkresave të shumta, kam vënë në dijeni vetë ministrin e Kulturës, z. Aldo Bumçi, ashtu si edhe Institutin e Monumenteve të Kulturës. Nuk është bërë absolutisht asgjë, nuk është miratuar lëvrimi i asnjë lloj fondi. Kjo godinë ka mbetur thjesht me statusin e saj shtëpi muze”.
Kongresi i Lushnjës është bërë pjesë e fjalimeve të kryeministrit Berisha dy vitet e fundit. Dëshira për t’i dhënë 21 janarit një tjetër ngjyrim, që lë jashtë vëmendjes ngjarjet para Kryeministrisë, ka bërë që Berisha ta përmendë Kongresin e Lushnjës gjatë mbledhjes së grupit të PD-së, që u mbajt në 21 janar (4 ditë më parë), ndërsa po në këtë datë vitin e kaluar, ai u zhvendos në Lushnjë, për një aktivitet që përkujtonte këtë moment historik, ndërsa në Tiranë, opozita përkujtonte viktimat e 21 janarit.