Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vizituar sot në Rrashbull familjen e një polici të vrarë, Bashkim Gjoni. Në profilin Facebook të Ramës janë postuar foto ku shfaqet me nënën e policit të vrarë duke premtuar njëkohësisht se “Do të rishikojmë pensionin për familjet e të gjithë punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës”.
Kryesocialisti premton se me ardhjen në pushtet të PS do të ketë më shumë “siguri për jetën e çdo njeriu që angazhohet në shërbim të shtetit dhe se jemi të vendosur ti japim autoritetin dhe dinjitetin maksimal policit”.
Deklarata dhe vizita e sotme e Ramës vijnë pas konferencës së djeshme për shtyp të kryesocialistit ku u shpreh mes të tjerash se Policia e Shtetit është tradhtuar dhe se lufta me krimin paraqitet si një lojë futbolli e shitur. Po dje Rama ngushëlloi dhe familjen e shefi i Komisariatit të Burrelit, Musa Skura. Pas deklaratës së Ramës reagoi menjëherë Ministri i Brendshëm, Flamur Noka që akuzoi Ramën se me deklaratat që bëri doli hapur kundër punës dhe imazhit të Policisë së Shtetit.
