Partia Demokratike denoncoi sërish sot praninë e Arben Ndokës në aktivitetet e Partisë Socialiste në Lezhë.
Kreu i Departamentit të Rendit në PD, Enkelejd Alibeaj tha se ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli pati rastin të takohej me Sekretarin amerikan të Shtetit, Kerry, i cili theksoi rëndësinë e ligjit të dekriminalizimit.
“Dy ditë më pas, ministrja e Edi Ramës shfaqet me Arben Ndokën, që është objekt i dekriminalizimit, një nga arsyet pse kjo nisëm e opozitës me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, u bë ligj”, theksoi ai.

“Ja ku është fotoja e ministres së mbrojtjes me ish-deputetin, që dekriminalizimi e largoi nga parlamenti, por jo nga Edi Rama i cili i ka besuar qeverisjen e Lezhës të dënuarit për prostitucion dhe rrëmbim personi. Jo vetëm kaq, por PS-ja e Lezhës tha dje se Ndoka është krenaria e saj”, shtoi. /Dita/
