Vetëm disa orë pas marrjes së postit të rëndësishëm si Zëvendëspresident i Internacionales Socialiste, Edi Rama tregon se kjo ishte një arritje që i dedikohet të gjithë socialistëve të Shqipërisë dhe reformave që janë ndërmarrë në atë parti. Në një intervistë për gazetën “DITA” tregon emocionet që përjetoi kur Sekretari i Përgjithshëm Ajala i komunikoi miratimin e kandidaturës së tij si numri dy i partive të majta në gjithë botën. Shefi i opozitës tregon se mesazhin e parë nga Shqipëria ia nisi bashkëshortja Linda. Ai ka folur dhe për situatën politike në vend, duke vënë theksin se e djathta është në prag të një ndarje të madhe ashtu siç ndodhi me të majtën në vitin 2005. Rama flet për koalicionin me LSI duke theksuar se dasia dhjetëvjeçare te e majta është drejt fundit. Për një koalicion me FRD-në, kryesocialisti thekson se, Bamir Topi ka një mision për të reformuar të djathtën, ndërsa shprehet i bindur se vizita e Klinton dhe Fyle në Tiranë i kanë dhënë garancinë se zgjedhjet këtë herë nuk do të kenë fatin e atyre të mëparshme.
Z.Rama, zgjedhja juaj si Zëvendëspresident i Internacionales me zgjedhjet shqiptare në prag është komentuar mbrëmë si një shenjë dyfishe për qytetarët shqiptarë se era e ndryshimit po fryn majtas. Kë do donit të falënderonit më së pari?
Dua të falënderoj çdokënd që besoi tek PS dhe e mbështeti PS në këto vite të vështira. Çdo votues, çdo anëtar të familjes sonë politike, çdo përfaqësues në çdo nivel. Të gjithë pa përjashtim. Kjo e sotmja është një satisfaksion i jashtëzakonshëm personal padyshim, por për mua s’ka fije dyshimi se s’bëhet fjalë për një arritje personale. Bëhet fjalë për një vlerësim të madh për çka PS ka qenë dhe ka bërë në këto vite. Për modernizimin, prurjet e reja, arritjet drejt barazisë gjinore, rezistencën e madhe opozitare për lirinë e zgjedhjeve e, padyshim programin për një Rilindje Shqiptare. Ky është preludi i fitores së 23 qershorit!
Kush ua ka bërë urimin e parë nga Shqipëria?
Urimin e parë e mora nga delegacioni ynë sapo sekretari i përgjithshëm Luis Ajala shpalli të miratuar kandidaturën. Pastaj nga Shqipëria mesazhin e parë e mora nga Linda që sigurisht ishte edhe e para që e mësoi prej meje, disa çaste përpara sesa të shkruaja njoftimin në “Twitter”.
Me çfarë note do e vlerësonit vizitën e Fyle në Tiranë për kauzën e opozitës dhe tuajën në veçanti për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për mos prekjen e votës nga pushteti?
Jam shumë i kënaqur nga bashkëbisedimi me komisionerin dhe nga qasja e tij shumë e qartë për periudhën para e pas zgjedhjeve të qershorit, si një periudhë tejet e rëndësishme për fatin europian të Shqipërisë. Jam i bindur se këtë herë nuk do përsëriten farsat e 2009 dhe 2011 në Tiranë, për shumë arsye po edhe për faktin se as ShBA e as BE nuk do lejojnë që shqiptarët të humbasin besimin tek sistemi. E kam krijuar këtë bindje nga vizita e zonjës Klinton dhe më është përforcuar nga vizita e komisionerit Fyle.
Sondazhet e nxjerrin PS-në dukshëm në krye. Por a do të keni ju një takim me Kreshnik Spahiun e AK-së dhe Bamir Topin e FRD-së për të krijuar frontin opozitar edhe me ta në koalicion?
Bamir Topi ka një projekt divergjent me tonin. Ai synon të shpëtojë të djathtën nga një shkatërrim që do ketë pasoja dhjetëvjeçare. Ne duam të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e djathtë. Momentalisht konvergojmë vetëm në nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme dhe në këtë pikë mund dhe duhet të bashkëpunojmë.
Jeni shprehur pak ditë më parë se koalicioni me LSI nuk është çështje mes dy individësh por një investim
strategjik. Keni një pakt për bashkëqeverisje nëse LSI del vetëm në këto zgjedhje?
S’kemi asnjë pakt por e përsëris, kur flas për LSI nuk shoh thjesht 23 qershorin po objektivin strategjik të rikonfigurimit të kampeve në Shqipëri. Jam i bindur se cikli që hapi dasia e egër e para dhjete vjetëve është drejt fundit pavarësisht nga 23 qershori. Është radha e të djathtës të hyjë në këtë cikël. Këto zgjedhje do jenë 2005 jonë djathtas!
Listat “e famshme” të deputetëve që hapin përherë sherre si në PS, si në PD e gjithandej, PS-ja do ti shpallë para apo pas muajit maj?
Këto janë për momentin mollë sherresh për të shitur gazetat. Sigurisht që do ketë edhe pakënaqësi po kjo është pjesë e natyrshme e jetës së çdo skuadre para se të hyjë në fushë. S’ka lojtar në botë që të jetë i kënaqur kur i bie të rrijë në stol.


Me behet shume qejfi dhe ndjehem krenar, per PS, force politike qe preferoj dhe kam ndihmuar me cfar kam mundur . Sa te kesh prane vehtes njeres si Besnik Baren,Ben Blushin etj do te nderohesh e respektohesh. Nuk di cfar thot Kaci , e Beni i konvertuar ne vlonjate. Urime dhe pershendetje nga shum, shume large.
Ky eshte lajm i mire, 2013 me kembe te mbare. Urime dhe me 23 qershor!
Urime zotit Edi dhe gjithe socialisteve shqiptar per vleresimin qe ju be.Eshte me se e vertet qe Edi Rama ka ber nje revolucion te thell ne te gjtha drejtimet per te bere PS nje force konkuruese jovetem ne shqiperi por edhe me tej….Kam shume besim qe Edi Rama do te jete risi e medhe per shqiperine, shpresoje dhe besoj se me gjithe veshtiresite qe do te kete vendi yne, ai ka dhene prova se eshte nje menaxher shume i mire.Prandaj mendoj qe t’a mbeshtesim Edi Ramen ne sipermarjen shume te veshtire per te fituar zgjedhjet dhe pastaj ne qeverisjen e vendit
e vetmja menyre qe edi te vije ne pushtet eshte aleanca me ak, te tjerat jane llafe se nuk kane elektorat qe nga frd e deri te ashtuquajturit aleate te vegjel te ps-se. perndryshi edushi do te filloje perseri te ankohet si gjithmone…
“Këto zgjedhje do jenë 2005 jonë djathtas”! Nje shprehje fare e pakuptueshme qe per me teper vihet ne titull; Nuk kemi qe te gjithe te njejtin nivel zgjuarsie apo “kapshmerie”; por ne qofte se ideja eshte “do t’ja marrim te djathtes me 2013 siç na e morri ajo me 2005” , perse mos te thuhet ne shqipe me te qarte “Këto zgjedhje do jenë 2005 jonë, majtas”; me qarte e sidomos me bukur; nje lider i majte s’ka pse t’i referohet nje ndodhie te djathte…
Ma dashamiresi per formen, e respekt per permbajtjen.
Urime te sinqerta per Z.Rama ,me pune dhe vendosmeri ndryshove Tiranen, reformove PS ,bere nje qendres pa kompromis per te drejten dhe ligjin dhe mbi te gjitha krijove besimin per te udhehequr per ndryshimin.Suksese PS