Efektet e TTIP në ekonominë globale

anazapta

Marrë nga “The Globalist”

Dr.Valbona Zeneli

Në kohë të pasigurta ekonomike, TTIP do të thotë lidhje më të forta midis perëndimit—dhe me pjesën tjetër të ekonomisë globale.

Marrëveshja e propozuar për të përfunduar deri në fund të vitit 2014 – mbi një marrëveshje transatlantike për tregtinë dhe investimet, e cila do të shërbente për dy tregjet më të mëdha botërore – Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – ka si qëllim të thellojë marrëdhënien transatlantike, të mbajë lidershipin e politikave tregtare botërore dhe të avancojë një sistem të bazuar në rregulla të qarta për qeverisjen globale.

Në terma praktike, kjo marrëveshje pritet që të rrisë prodhimin e brendshëm bruto të kombinuar – në SHBA dhe BE – me rreth 1 për qind në periudhën afatshkurtër, të shtojë 2 milionë vende pune të reja dhe të ofrojë më shumë zgjedhje dhe çmime më të ulëta për konsumatorët.

Me gjithë avantazhet që pritet të sjellë, marrëveshja e propozuar transatlantike e tregtisë dhe e investimeve ka hasur edhe opozitë nga palë të tjera në ekonominë, të cilët rendisin një sërë pengesash për suksesin e kësaj marrëveshjeje.

 

Efekte tek marrëveshje të tjera tregtare?

Një nga pikat kryesore të kritikës është se kjo marrëveshje tregtie do të vendoste në disavantazh vendet e treta – si përshembull Kanada, Meksika apo Turqia, të cilat kanë marrëveshje bilaterale tregtie me SHBA-në ose BE-në. Pra, a do të ulë TTIP vlerën e këtyre marrëveshjeve?

Një tjetër kritikë është se një marrëveshje përfundimtare do të rrezikonte funksionimin e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT-së). A mundet që kjo marrëveshje të pengojë përfundimin e marrëveshjeve multilateral (si për shembull raundin e Dohas)?

Të tjerë oponentë përmendin historinë e debatueshme midis BE-së dhe SHBA-së në lidhje me politikat globale për sa i përket bujqësisë, pronësisë intelektuale dhe teknologjisë së informacionit.

Statistikisht, kërkimet empirike moderne sugjerojnë se nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale, në fakt mund të rrisë incentivat e palëve të treta për të arritur liberalizim më të madh në nivelin multilateral.

Kjo është pozitive edhe për palët e tjera në ekonominë botërore, duke pasur parasysh rrjetet e integruara të furnizimit në tregun global. Pra, çdokush mund të përfitonte nga kjo marrëveshje.

 

Nevoja për integrim

Politikëbërësit kanë nxjerrë mësime nga kriza e fundit ekonomike. Këto mësime reflektojnë një paradigmë të re zhvillimi dhe zbulojnë se bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik ndërkombëtar janë bërë imperative për të adresuar natyrën e sfidave të reja globale.

Kjo zhvendosje drejt marrëveshjeve më të gjera i përgjigjet më shumë realiteteve të sotme ekonomike, në të cilat tregtia dhe investimet ndërkombëtare janë gjithnjë e më shumë të ndërlidhura. Objektivi kryesor është konsolidimi dhe harmonizimi i rregullave të investimeve mbarëbotërore, duke krijuar një fushë loje të niveluar për konkurrencën.

Marrëveshje të tjera të cilat janë duke u negociuar ndërkohë, janë marrëveshja e Partneritetit Transpaqesor (TPP) – që lidh Amerikën e Veriut dhe të Jugut me tregjet dinamike të Azisë së Paqësorit – si edhe marrëveshjet BE-Japoni dhe BE-Kanada, të cilat janë duke lëvizur shpejt drejt finalizimit.

A mundet që marrëveshjet rajonale si ajo midis SHBA-së dhe BE-së të ulin gjasat e reformave të suksesshme të regjimit të tregtisë multilateral nën udhëheqjen e OBT-së?

 

Bllok ndërtues apo pengesë?

Është demonstruar se sforcot e integrimit rajonal nuk janë as blloqe ndërtuese e as penguese për progresin e liberalizimit multilateral. Nga njëra anë, këto marrëveshje ulin incentivat e vendeve pjesëmarrëse që të bëjnë lëshime në nivelet multilateral. Nga ana tjetër, ato rrisin benefitet nga negociata të suksesshme multilaterale për vende të papërfshira më parë. Në veçanti, në këto raste mund të binden në tavolinat e negociatave disa vende të mëdha në zhvillim që të bëjnë lëshime.

Lidhur me kundërshtimin se një marrëveshje e përfunduar TTIP do të ulte vlerën e marrëveshjeve bilaterale me vendet e treta, studiuesit sugjerojnë për vendet të cilat janë të lidhura në një marrëveshje me BE-në ose SHBA-në, kanë incentiva më të mëdha për të krijuar një partneritet më të thellë me partnerin tjetër me të cilin nuk kanë ende një marrëveshje.

Kjo do të lejonte faktikisht që një marrëveshje tregtie SHBA-BE, përfundimisht do të krijonte një platformë për përfshirjen e rajoneve të tjera, me të cilat palët kanë paraprakisht negociata apo marrëveshje. Ky është edhe themeli i argumentit të “bllokut ndërtues” të TTIP.

Një marrëveshje bilaterale më e thellë midis SHBA-së dhe BE-së nuk përbën rrezik për sistemin e tregtisë multilateral. Në të vërtetë, ajo e ndihmon këtë sistem për t’u zhvilluar më shumë në një formë të strukturuar.

 

Një hap historik

Rendi ekonomik transatlantik, i bazuar në një sistem rregullash është unik. Në dekadat e fundit, ka nxitur rritjen ekonomike globale për shumë aktorë, duke përfshirë këtu edhe Kinën. Ky rend ka potencialin që të integrojë fuqitë në zhvillim në këtë sistem. Por forcimi i këtij sistemi është parakusht.

TTIP është një partneritet politik, ekonomik dhe kulturor dhe në kohen e duhur – i cili po të negociohet mire – do të nxisë zhvillimin ekonomik botëror, forcojë partneritetin natyral të perëndimit dhe krijojë një fushë loje të barabartë për konkurrencë të ndershme.

Kjo marrëveshje mundet gjithashtu të forcojë lidhjet midis vendeve të Bashkimit Europian. Pra është një hap historik, i cila do t’i sillte benefite të jashtëzakonshme të dyja anëve të Atlantikut.

Dr. Valbona Zeneli është profesore e studimeve të sigurisë në George C. Marshall Qendra Europiane e Studimeve të Sigurisë.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *