Eficenca e energjisë, Shqipëria 10 vite mbrapa vendeve të rajonit

Saimir Lleshi

Një ligj i ri për energjinë po diskutohej prej disa javësh në komisionet parlamentare. Ligji për eficencën e energjisë është shtysë nga Bashkimi Evropian, me anë të të cilit Shqipëria do të përfitojë në futjen e teknologjive të reja për energjinë.

Sipas të dhënave, Shqipëria është 10 vite prapa nga vendet e rajonit jo vetëm për sa i përket futjes së teknologjive të reja, por edhe për sa i përket ligjeve në këtë fushë. Sipas planeve, deri në vitin 2020, Shqipëria do të kursejë rreth 11% të energjisë me anë të pajisjeve të reja, megjithëse konsumi do të rritet çdo vit me 8%.

Ligji në fjalë u diskutua sot në komisionin për Integrimin Evropian, ku përfaqësues nga qeveria ishte zv/ministri i Energjisë, Ilir Bejtja, i cili theksoi se kjo nismë ligjore përmban ndryshime themelore në raport me ligjin ekzistues të miratuar në vitin 2005.

Sipas tij, ky ligj pati problem në zbatimin e tij, për shkak se nuk u bë një ndarje e qartë e përgjegjësive institucionale për monitorimin dhe zbatimin e tij. Shumica e akteve nënligjore të parashikuara nga ky ligj nuk dolën asnjëherë, disa nuk u miratuan, ndërsa ligji nuk gjeti mbështetje institucionale as për ngritjen e kapaciteteve publike dhe teknike duke mos u miratuar një fond eficenca të energjisë.

Drafti në fjalë, sjell objektivin kombëtar për reduktimin me 11% të konsumit deri në vitin 2020, duke marrë në konsideratë kapacitetin, realitetin teknik e teknologjik të Shqipërisë dhe mundësitë e aplikimit të ligjit.

Sipas zt. Bejtja, ky ligj synon të kontribuojë në sigurinë e furnizimit me burime energjetike nëpërmjet kursimit në konsum. Z. Bejtja shpjegoi se synohet ulja e varësisë nga importet e energjisë, transformim eficent të burimeve primare të energjisë tek konsumatori fundor.

Gjithashtu, zv/ministri sqaroi se ligji është i rakorduar edhe me Direktivat e Paketës së Tretë të Komunitetit Evropian.

“Sigurimin e operimit normal të tregut në fushën e energjisë në përgjithësi, përfshirë përcaktimin e çmimeve të produkteve energjetike sipas kritereve konkurruese dhe të mbështetura në koston efektive, si dhe të përfitimeve të mbrojtjes mjedisore; Reduktimin e pengesave për promovimin e eficencës dhe kursimin e energjisë dhe nxitjen e investimeve në këtë fushë; promovimin e zgjidhjeve financuese për iniciativat lidhur me eficencën në kursimin e energjisë; transformimin e sektorit publik me një shembull model lidhur me menaxhimin e energjisë”, nënvizoi Z.Bejtja.

Pas diskutimeve për çështje të energjisë elektrike mes deputetëve dhe të ftuarve, projektligji u miratua në tërësi.

Në vitin 2005, Parlamenti miratoi një ligj për eficenën energjisë, por nuk u zbatua asnjëherë, ndërsa në vitin 2008 nisën përpjekjet për një ligj të ri, i cili ka 7 vjet që po diskutohet.

Tani Shqipëria është vendi i fundit në rajon, që nuk ka një ligj për këtë problem themelor. /Dita/

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *