Në tentativën e saj të radhës për të qetësuar sado pak situatën negative në kampin e 24 herë kampionëve, si pasojë e rezultateve negative në këto shtatë javë kampionat, e kurorëzuar me shkarkimin e trajnerit Shkëlqim Muça, si dhe për të gjetur mirëkuptimin e tifozërisë bardheblu shumë të irrituar, përfaqësia e klubit Tirana, ka dalë pasditen e djeshme me një deklaratë për mediat.
“KF Tirana dëshiron të sqarojë çështjen e pankinës bardheblu nëpërmjet kësaj deklarate për mediat. Pas largimit të trajnerit Shkëlqim Muça, skuadra ka vijuar normalisht përgatitjet për ndeshjen e radhës që përkon me takimin e të mërkurës në Kupën e Shqipërisë përballë Kastriotit. Bardheblutë i janë besuar dyshes Emanuel Egbo dhe Ivan Gvozdenovic.
Të dy trajnerët, pjesë e stafit teknik prej fillimit të sezonit e njohin mjaft mirë skuadrën si dhe kanë eksperiencën e duhur për ta ndihmuar ekipin të rikthehet tek rezultatet”, sqaron klubi nëpërmjet kësaj deklarate.
“Të dy trajnerëve i është kërkuar nga klubi të marrin në dorë drejtimin e plotë të skuadrës dhe përgatitjet e saj për ndeshjen e radhës në Kupën e Shqipërisë dhe atë në kampionat. Ekipi ka vijuar stërvitjen në dy ditët e fundit me përqendrim maksimal te takimet e radhës.
KF Tirana nuk nxiton të përcaktojë emrin e trajnerit të ri për skuadrën duke zgjedhur të veprojë me maturi. KF Tirana i kërkon tifozëve të ruajnë qetësinë në një situatë që do të rëndohej më tepër pa mbështetjen e tyre”, përfundon deklarata për mediat e publikuar nga përfaqësuesit e klubit të Tiranës.
