Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi tha sot se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të miratojë një rezolutë, e cila të kërkojë ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare në Libi.
Këto komente zoti Sissi i bëri në një intervistë që dha në një radio franceze, një ditë pasi forcat e tij kryen sulme ajrore ndaj militantëve të Shtetit Islamik në qytetin Darna të Libisë lindore. Bombardimet u kryen si hakmarrje për vrasjen me prerje koke nga militantët të 21 të krishterëve të kishës koptike egjiptiane.
Këto vrasje ishin treguesi më i fundit i kaosit që ka mbizotëruar në Libi, ku qeveritë paralele dhe forcat milicore luftojnë për marrjen e kontrollit që prej katër vitesh, pas vrasjes së ish-udhëheqësit libian, Moammar Gadhaffi.
